Ish-Presidenti Trump nuk e përjashton kandidaturën në 2024
1 Mars 2021Në daljen e tij të parë publike që nga largimi nga detyra, ish-Presidenti i SHBA Donald Trump foli gjithashtu për çështjen e kandidimit në zgjedhjet presidenciale në vitin 2024. Në Orlando, Florida, republikani la të kuptojë një kandidim të mundshëm për president të SHBA në vitin 2024. "Kush e di, mbase do të vendos ta mund atë për herë të tretë," tha 74-vjeçari, duke iu referuar Partisë Demokratike.
Audienca në takimin e Konferencës Konservatore të Veprimit Politik (KPPK) e pranoi këtë deklaratë me duartrokitje të forta. Në të kaluarën, Trumpi kishte flirtuar hapur me mundësinë për të kandiduar përsëri për presidencën. Pas daljes i pafajshëm në procesin e shkarkimit për shkak të sulmimit kundër Kapitolit në 6 janar nga mbështetësit e tij, kjo rrugë në thelb është e hapur për të.
Donald Trump është i sigurtë në vetvete
Trump përsëri pohoi në aktivitetin vjetor të politikanëve konservatorë dhe aktivistëve se ai në të vërtetë i fitoi zgjedhjet e 3 nëntorit 2020 kundër demokratit Joe Biden - por kjo nuk është e vërtetë. 74-vjeçari refuzon deri sot të pranojë humbjen e tij të qartë. Ai pretendon se fitorja iu grabit nga mashtrimet masive në zgjedhje, por nuk paraqiti kurrë ndonjë provë. Biden mori 81 milionë vota në zgjedhje dhe një shumicë të qartë të elektoratit. Më shumë se 74 milionë amerikanë votuan për Trump.
Jo parti të re
Trump theksoi në mënyrë të qartë unitetin e Partisë së tij republikane në konferencë. "Ne do të jemi të bashkuar dhe të fortë si kurrë më parë," tha ish-presidenti. Përkundër asaj që u raportua disa javë më parë, ai nuk po planifikon të themelojë një parti të re. "Unë nuk po nis një parti të re," tha ai. Gjithçka tjetër është "lajm i rremë".
Në fjalim, ish-presidenti e kritikoi ashpër pasardhësin e tij Biden. Demokrati kishte lëbë pas "muajin e parë më katastrofik" nga të gjithë presidentët në historinë moderne të SHBA, tha Trumpi në Orlando. Qeveria sipas tij është "anti-punë, anti-familje, anti-kufij, anti-energji, anti-gra, anti-shkencë". Biden po hap kufirin me Meksikën fqinje dhe po lejon migrantë të panumërt në vend, tha Trump. Politikat e tij e çojnë vendin në "komunizëm".
Ende mbështetje e fortë për Trump
Ish-presidenti i diskutueshëm ende gëzon një mbështetje të madhe në pjesë të mëdha të Partisë Republikane dhe në disa grupe në bazë, ndonëse ka kritikë të brendshëm. Kjo u tregua gjithashtu në një sondazh të opinionit të të pranishmëve në konferencën CPAC, se kush do të ishte kandidati më i mirë republikan për president në zgjedhjet e 2024. Trump përfundoi në vendin e parë me një diferencë të madhe me 55 përqind.
Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis doli i dyti me 21 përqind të votave. Të gjithë kandidatët e tjerë të mundshëm përfunduan në rezultat njëshifror. Në sondazh, 97 përqind e pjesëmarrësve i dhanë Trump një vlerësim të mirë. Veç kësaj, në sondazh, 95 përqind ishin në favor të vazhdimit të politikave të Trumpit. Në konferencë në ditët e fundit u mblodhën mbështetësit e Trumpit, kritikët e brendshëm ndaj ish-presidentit qëndruan larg CPAC.
aud (dpa, rtr, afp, ape)