Itali: Frikë nga politika kundër të huajve
24 Maj 2018"Nganjëherë ne shkojmë me migrantët pas mësimit në një lokal këtu afër. Njerëzit në banak janë në përgjithësi kundër migrantëve, por nuk janë kundër atyre që sjellim ne me vete." Kështu e përshkruan mësuesja e italishtes Chiara Bergamini klimën, kur bëhet fjalë për numrin e madh të azilkërkuesve në vend. "Kur e takojnë një migrant dhe flasin me të, atëherë gjykimi është ndryshe,” thotë Chiara Bergamini.
Ajo jep mësim katër herë në javë në organizatën humanitare "In Migrazione" në një lagje në rrethinat e Romës. Klasa ka migrantë nga gjithë vendet e mundshme. Shumë prej tyre jetojnë në një kamp që ndodhet aty afër, ku ata presin për të marrë vendimin për kërkesat e azilit ose zgjatjen e lejes së qëndrimit.
Shumë prej migrantëve, tregon mësuesja, janë analfabetë. Shumë janë të traumatizuar. "Disa janë depresivë, nuk lëvizin nga krevati ose ia ngulin sytë gjithë ditën celularit për të mbajtur kontakt me familjen." Disa prej refugjatëve, që kanë ardhur për arsye ekonomike, janë po ashtu të mërzitur dhe të zhgënjyer që kanë ngecur në Itali dhe nuk lejohet të punojnë, thotë Chiara Bergamini. Natyrisht disa prej tyre kthehen në kriminelë ose ushtrojnë dhunë. Por pjesa më e madhe janë të sjellshëm dhe mirënjohës.
"Nuk e njoh zotin Salvini"
Hamadun Fofana nuk ka dëgjuar që ministri i ri i Brendshëm që mund të jetë nga "Lega” radikale e djathtë, Matteo Salvini, ka thënë se do të dëbojë nga Italia 500 mijë refugjatë. Zotin Salvini nuk e njoh. "Mua nuk më ka trajtuar kurkush keq këtu. Shpresoj të mbetet kështu ", thotë i riu që ka ikur më 2015 nga Mali dhe gëzon statusin legal të refugjatit.
Parrullat e shefit të "Lega"-s Salvini, sipas të cilave migrantët janë pak a shumë të gjithë kriminelë, që duhen dëbuar, e shqetësojnë Simone Andreottin. Andreotti është president i organizatës humanitare "In Migrazione". "Klima", thotë ai, "mund të ndryshojë. Sulmet kundër njerëzve që duken të huaj mund të shtohen. Në muajin shkurt në qytetin e Maceratës një italian qëlloi mbi një njeri me ngjyrë dhe kjo nxiti demostratat kundër racizmit. Cilësia e kampit të azilantëve është modeste. Më keq nuk mund të bëhet."
Simone Andreotti ankohet se sistemi italian nuk është i përgatitur për migrantët. Ata grumbullohen në kampe të mëdha që ngrihen jashtë qyteteve, ku nuk mund të kenë kontakt me popullsinë dhe nuk mund të mësojnë gjuhën dhe zakonet. Por sistemi është futur prej qeverisë socialdemokrate. "Me Salvinin nuk pritet të bëhet më mirë ", thotë ndihmësi i refugjatëve. "Ne mundohemi t'ia bëjmë të qartë refugjatëve se Italia është shumë më tepër se kampi ku ata jetojnë. Ne i motivojmë ata që të ngrihen çdo ditë dhe të bëjnë diçka. Shpesh ata bëjnë punë ilegale dhe bien në duart e kriminelëve", tregon mësuesja Chiara Bergamini.
"Kush do t'i merrte gjithë këta njerëz?"
Të dëbosh 500.000 vetë është e pamundur. Simone Andreotti dhe Chiara Bergamini janë të mendjeje. "Salvini nuk mund ta verë një gjë të tillë në jetë, edhe nëse do të donte." E para, mendon Simone Andreotti, shteti duhet të jetë në gjendje t'i gjejë ata dhe e dyta duhet të gjejë një vend që do t'i pranonte gjithë këta njerëz. Kërkesa e tij është populiste, por nuk mund të zbatohet.
Pjesa më e madhe e migrantëve kalojnë disa muaj në kampin e pranimit pasi kanë bërë regjistrimin në Italinë e jugut. Pastaj shkojnë në qendra grumbullimi në veri. Por shumë prej migrantëve nuk shfaqen më. "Ata kalojnë në ilegalitet dhe punojnë në fushat në jug, ose shkojnë në Gjermani apo Francë, a diku tjetër," - thotë Simone Andreotti. Rregulli i BE-së, sipas të cilit vendi që shkelet i pari duhet të jetë vendi që kujdeset për refugjatët dhe azilantët, nuk respektohet. Prandaj qeveria italiane ka të drejtë kur thotë se "Rregullorja e Dublinit” nuk funksionon.
Ministri i ri i Brendshëm i Italisë, Salvini do të këmbëngulë që vendet e tjera të BE-së të pranojnë migrantë. Por pikërisht ato shtete që refuzojnë të marrin migrantë, qeverisen nga koalicione populisto- nacionaliste: Polonia, Hungaria, Çekia, Austria.