Jaguari dhe Land Rover në pronësi të një koncerni nga India
27 Mars 2008Adhuruesit britanikë të automobilëve e përjetojnë këtë me ndjenja të përziera: grupi indian Tata nuk ka më shumë se dhjetë vite në biznesin e automjeteve dhe pikërisht ai arrin të bëhet pronar i dy markave tradicionale britanike, Jagurait dhe Land Roverit. Pronari i deritanishëm i tyre, koncerni amerikan Ford, negocio pothuajse një vit me shumë të interesuar. Tani marrëveshja është perfekte. Tata do të paguajë rreth një miliardë e gjysëm euro. Një biznes shumë humbës për Fordin. Vetë Fordi pagoi asokohe për secilën markë nga dy miliardë e gjysëm euro, pra gjithsje pesë miliardë. Që prej blerjes së Jaguarit kanë kaluar 19 vjet ndërsa të Land Roverit tetë.
Tani shefi i Tata-s Ratan Tata e bën të qartë se ndërrmarrja e tij është një koncern botëror. Në sallonin e automobilëve në Gjenevë ai paralajmëroi strategjinë e tij të zhvillimit: 'Ne duam të shpërhapemi më tej, si për shembull në Tajlandë, Indonezi dhe vende të tjera aziatike. Përveç kësaj në Evropën Lindore si dhe në Afrikë dhe Amerikë të Jugut. Sa i përket Jaguarit dhe Land Roverit, ne jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për dy marka britanike të cilat janë shumë me vlerë dhe kanë një emër shumë të mire.”
Edhe pse Jaguar-i është makina e oborrit të mbretreshës dhe pricit Çarls, kjo nuk e ka ndihmuar shumë Fordin i cili ka pësuar vetëm humbje nga kjo markë. Për dallim Land Roveri ka arritur të zhvillohet mirë gjatë viteve të kaluara. Për të dyja markat në Mbretërinë e Bashkuar punojnë më tepër se 15 mijë vetë. E ardhmja e tyre është siguruar njëherë për njëherë, gëzohen sindikatat. Por kjo gjendje mund të ndryshojë, supozon gazetari John Reed: 'Nuk pritet që në një periudhë afatshkurtër Tata të shkurtoj vende të punës. Të dy markat kanë marrë një garanci pesë vjeçare për punëtorët. Megjithatë të tre fabrikat këtu janë shumë të mëdha ndërkohë që prodhojnë vetëm 300 makina në vit. Në një periudhë afatmesme apo afatgjatë me siguri që do të ketë shkurtime të vendeve të punës'.
Mediat britanike që trajtojnë çështje financiare e shohin blerjen si një hap strategjik të një konkurrenti të ri në mesin e koncerneve automobilistike. Tata donte të fuste njërën këmbë në tregun evropian dhe Fordit i duhej të ndërmerrte diçka për të evituar humbjet e vazhdueshme, thotë analisti Jay Nagley.
Markat britanike të automobilave kanë përvoja të ndryshme me pronarët e huaj. Martesa e shkurtër mes BMë-ës dhe Roverit nuk kujtohet për të mirë në Londër. Para së gjithash punëtorët e Jaguarit dhe Land Roverit shpresojnë që me pronarin e ri nuk do ta kenë më keq sesa me të vjetrin.