Juan Carlos dhe “mundësia e humbur"
24 Maj 2022Që prej largimit të tij të nxituar dy vjet më parë, ish-kreu i shtetit spanjoll ka jetuar në mërgim në vendet arabe. Ish-mbreti Juan Carlos tani u prit nga i biri dhe pasardhësi i tij Felipe VI. Por takimi në Pallatin Zarzuela, në veriperëndim të kryeqytetit Madrid, u zhvillua me dyer të mbyllura.
Gazetarët dhe kameramanët e shumtë vendas dhe të huaj mundën të shohin veturën me 84-vjeçarin të hynte në rezidencën mbretërore dhe të dilte nga ndërtesa vetëm në mbrëmje, rreth njëmbëdhjetë orë më vonë. Ai u nis me avion privat për në Emiratet e Bashkuara Arabe.
"Një cirk i tillë"
Jashtë para pallatit, Juan Carlos u brohorit nga disa dhjetëra tifozë me flamuj spanjollë, me duartrokitje dhe thirrje mirëseardhjeje. Por në politikë dhe media jehona e vizitës së tij është katastrofike.
Zëdhënësja e qeverisë Isabel Rodríguez i tha radios RNE se Juan Carlos kishte "humbur një mundësi" për t'u "kërkuar falje" qytetarëve dhe për të shpjeguar "veprimet as etike dhe as shembullore të viteve të fundit".
Madje edhe në gazetën "El Mundo”, të afërt me monarkinë, mund të lexohej: "Gjëja e fundit që donte shtëpia mbretërore ishte një cirk i tillë”.
Jo i preferuar
Regjenti, dikur i adhuruar për rolin e tij në tranzicionin e Spanjës drejt demokracisë, abdikoi në vitin 2014 pas skandaleve të shumta. Zbulimet gjithnjë e më të tepruara për stilin e tij të jetesës, dhuratat e dyshimta financiare dhe akuzat për pastrim parash e detyruan atë të shkonte në mërgim në Abu Dhabi.
Në fillim të marsit të këtij viti, drejtësia spanjolle pushoi hetimet ndaj tij vetëm për mungesë provash, prej parashkrimit dhe imunitetit që gëzonte Juan Carlos si kreu i shtetit. Në deklaratën e detajuar të arsyeve, megjithatë, prokurorët i bënë të ditura të gjitha mangësitë për publikun e gjerë.
"Çfarë duhet të shpjegoj?"
Juan Carlos i kaloi katër ditët e para të vizitës së tij të shkurtër prej pesë ditësh gjithsej me miq shumë të afërt dhe të pasur në qytetin port të Sanxenxos, në veriperëndim të vendit. Por indinjata e opinionit publik spanjoll u ndez kryesisht rreth përgjigjes së tij ndaj pyetjes së një gazetari, se a kishte ndërmend t'i shpjegonte diçka djalit të tij gjatë vizitës së tij familjare. "Çfarë kam për të shpjeguar?" - bërtiti ish-mbreti nga dritarja e hapur e sediljes së pasagjerit.
Që nga ardhja e tij në fron, mbreti Felipe është distancuar nga babai i tij për të rikthyer imazhin e monarkisë spanjolle. Në vitin 2020, ai i hoqi pensionin vjetor prej 200.000 euro dhe deklaroi se donte të hiqte dorë nga trashëgimia e tij e ardhshme.
Njerëzit në Spanjë tani pyesin nëse kjo vizitë i dha një goditje tjetër imazhit të monarkisë - pavarësisht sjelljes së virtytshme të Felipes.
rb/wa/aud (AFP, AP, dpa, Reuters)