Ka mashtruar qeveria parlamentin mbi misionin e Bundeswehrit në Liban?
28 Tetor 2006Qeveria gjermane ndodhet në situatë të vështirë dhe duhet të japë sqarime lidhur me kushtet e paraqitura jo saktë mbi mandatin e marinës së Bundesverit në Liban. Ministri i mbrojtjes Franc-Jozef Jung pranon, se përkundër deklarimeve të deritanishme të qeverisë, ka kufizime të ndjeshme veçanërisht në zonën e gjashtë miljeve.
Partia liberale në opozitë bën fjalë për mashtrim dhe komentatori i "Meinheimer Morgen" i jep të drejtë: "Deputetët e opozitës e ndjejnë veten të mashtruar prej qeverisë (...). Në një çështje vendimtare të mandatit qeveria nuk e ka informuar në mënyrë korrekte parlamentin, ose me vetëdije, ose sepse më pas është vendosur diçka në nivelin ndërkombëtar, ndryshe nga ajo që miratoi Bundestagu. Por ai që për një çështje kaq kyçe mashtron dhe përdor truke, krijon pështjellime dhe mjegull pa u trazuar fare, vë në rrezik kredibilitetin e vet. Bundesveri është ende një ushtri parlamentare dhe jo qeveritare. Opinioni si dhe ushtarët duhet të kenë besim, që fjala e qeverisë ka peshë."
"Kieler Nachrichten" komenton: "Mandati, që ka miratuar parlamenti në shtator, është i qartë: deputetët e kanë dërguar marinën gjermane në Lindjen e Mesme vetëm me kusht që ato të kontrollojnë pa kufizime anijet e dyshimta. Në bazë të të dhënave të komandatit gjerman deri tani këto rrethana kanë ekzistuar. Pra ende s´ka asnjë shkas, që të flasësh për mashtrim të parlamentit. Megjithatë shqetësimi i opozitës është i drejtë. Ithtarët e Hisbollahut janë pjesë e qeverisë në Bejrut. Nëse ata shfrytëzojnë pozicionin e tyre të pushtetit, për t´i penguar njësitë ndërkombëtare në detyrën e tyre, atëherë nga perspektiva gjermane nuk ekzistojnë kushtet për të cilat është rënë dakord."
Ja se si komenton e përditshmja "Saarbrücker Zeitung": "Jo, kjo s´ishte gënjeshtër. Për një fije floku ajo s´është e tillë. Por është një mbulim i fakteve. Ministri i mbrotjes Franc-Jozef Jung dhe kancelarja Angela Merkel përpara votimit në Bundestag për misionin e Libanit e kanë zbukuruar përmbajtjen dhe kanë lënë në heshtje aspektet e tjera. Nëse këtë e kanë bërë me qëllim, mbetet të sqarohet. Me fjalë të përzgjedhura hollë që të dy ata folën për një "mandat efikas" dhe për një "lundrim pa kufizim" në të gjitha ujrat territoriale të Libanit. Ndërsa tani po duket, se të drejtat e kontrollit për marinën e Bundesverit janë të kufizuara strikt në një zonë prej gjashtë miljesh."
Ndërsa "Recklinghäuser Zeitung" shtron këto pyetje: "Akuza është e rëndë. Ka mashtruar qeveria parlamentin? Mos vallë miratimi i Bundestagut për misionin hisotrik dhe problematik të marinës në brigjet libaneze u arrit përmes informacioneve jo të sakta? Jo vetëm përfaqësuesit e opozitës me shumë të drejtë e ndjejnë veten të anashkaluar."
Lidhur me temën e dytë: skandali i fotografive të ushtarëve gjermanë me kafka të vdekurish në Afganistan po përfshin qarqe gjithnjë e më të mëdha pas publikimit të një serie të tertë të fotografive. Dhejtra fotografi, sipas një gazete, i tregojnë ushtarët gjermanë duke kryer veprime makabre me pjesë skeletesh. Ministri i mbrojtjes Jung ka shkarkuar ndërkaq dy pjesëmarrës nga detyra.
Në komentin e "Wesdeutsche Zeitung" të Dyseldorfit lexojmë: "Ndërsa udhëheqja politike dhe ushtarake e Bundesverit vazhdon të ketë mendimin dhe dëshirën që skandali i fotografive në Afganistan është një rast i veçuar, që me disa masa do të vihet nën kotrnoll, dëshmitë e reja po provojnë të kundërtën. Deputeti i të gjelbërve Shtrëbele bën fjalë për "disa qindra fotografi" që janë në qarkullim, por ai nuk thotë, se përse po e publikon tani këtë. E pikërisht kjo është pyetja kyç për skandalin e Bundesverit: Kush duhej ta dinte këtë? Kush e ka ditur dhe e ka ruajtur në heshtje një gjë të tillë?"
"Alllgemeine Zeitung" e Maincit komenton: "Jo rastësisht Bundesveri ndodhet në qendër të debatit politik dhe publik. Një fotografi e vetme, vërtetësia dhe origjina e së cilës janë dëshmuar pastër, mjafton për ta shtruar me seriozitet pyetjen lidhur me cilësinë e drejtimit nga brenda të ushtrisë në misionet jashtë vendit. Tani në radhë të parë ministria e mbrojtjes ndodhet përballë një grumbulli rrënojash që nuk mund të pastrohen lehtë."