Njohja e së shkuarës, vaksinë kundër totalitarizmit
22 Shkurt 2020Për Łukasz Kamińskin, historianin e njohur polak, Presidentin e Platformës së BE për Kujtesën Europiane të Ndërgjegjes, të ftuar në Shqipëri për edicionin e pestë , "Ditët e Kujtesës 2020”, që sapo përfunduan, qëndrueshmëria e demokracive, në vendet që dolën nga regjimi komunist, mes tyre Shqipëria, kalon nga njohja e të shkuarë dhe kujtesa për sa ndodhi në atë regjim. "Kujtesa shërben si një "vaksinë" kundër totalitarizmit - njohja e së shkuarës, e mekanizmave që çuan në shfaqjen e atyre regjimeve mund të na ndihmojnë të njohim simptomat e tyre të hershme. Kujtimi i viktimave mbron nga besimi në zgjidhje "perfekte" dhe "të lehta" për problemet e ndërlikuara të sotme, sociale dhe politike. Ashtu si me një sëmundje, ata që përjetuan dhe mbijetuan nën sundimin totalitar, janë imunë me njohuritë e tyre edhe brezat e rinj, të lindur në demokraci, duhet të "vaksinohen” duke mësuar të vërtetën për të kaluarën” thotë ai për DW, në një bisedë ekskluzive.
Pa njohur të shkuarën, nuk mund të ketë rë ardhme
E vërteta mbi të kaluarën e regjimit komunist, krimeve të tij po del në dritë edhe në Shqipëri. Gjithmonë e më shumë ajo vlerësohet si një proces që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen e demokracisë . "Ditët e Kujtesës”, të inicuara pesë vjet më parë, me mbështetjen e Fondacionit Gjerman në Tiranë, "Konrad Adenauer”, (KAS) në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Kulturë dhe Media, (IDCM) , një organizatë e shoqërisë civile me rol të spikatur në kultivimin e kulturës së kujtesës po rrit me progresion gjeometrik interesin e rinisë për të kaluarën që ajo nuk e ka jetuar,. Edicioni i sivjetëm, që përfundoi këtë javë, (20.02.2020) përfshiu një larmi aktivitesh ndërkombëtare që hodhën dritë mbi dhunën dhe represionin në regjimin stalinist në Shqipëri dhe në ish-vendet komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore.
Jonila Godole, Drejtore Ekzekutive e IDCM thotë për DW, se interes të jashtëzakonshmë ngjallën Ekspozita ndërkombëtare (open-air) mbi "Totalitarizmin në Europë” dhe ekspozita në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër , "Dritë përtej Errësirës” me dëshmi nga krimet e regjimit komunist ndaj klerikëve. "Ekspozitat prezantuan para publikut shqiptar përgjegjësit kryesorë të krimeve si gjatë Luftës së II-të Botërore edhe gjatë regjimit komunist në 14 shtete, mes tyre për herë të parë edhe në Shqipëri. Ekspozita për persekutimin e klerit ishte vetëm për Shqipërinë. Patëm mijëra vizitorë. Ka ende "uri” të madhe tek brezi i ri për informacione lidhur me diktaturën komuniste dhe vendosjen e saj në kontekstin e historisë europiane” thotë Jonila Godole për DW.
Drejtori i KAS, Tobias Ruettershoff konfirmon mbështetjen e Fondacionit për edicionet në vijim të " Ditët e Kujtesës”, pasi " pa njohur të shkuarën nuk mund të ketë të ardhme” mendon ai.
Rreziku që vjen sot nga grupet populiste dhe elitat politike
Si e rrezikon aktualisht e shkuara të ardhmen? Qartë këtë e thotë për DW, Łukasz Kamiński. "Kriza aktuale në shumë fusha mund të prodhojë dhe madje po prodhon grupe të shumëfishta populiste. Disa prej tyre ka të ngjarë të evoluojnë në lëvizje autoritare apo edhe neo-totalitare. Po vërejmë përpjekje të rrezikshme për të rehabilituar dhe pastruar idealet joshëse të komunizmit, një prej sistemeve të kaluara totalitare” thotë për DW Łukasz Kamiński. Nëse këto kushte a ështe e mjaftueshme vetëm kujtesa për të na mbrojtur?
" Jo, Kujtesa është e pamjaftueshme. Elitat politike duhet të ndryshojnë qëndrimet e tyre dhe të përqëndrohen më shumë në zgjidhjen e problemeve reale, në vend që të udhëheqin me "politika twitter" dhe t'i lëvizin ato në ꞔdo furi zemërimi të opinionit publik. Ky është gjithashtu një mësim nga historia - si komunizmi ashtu edhe nazizmi mbizotëruan, kur elitat e vjetra nuk arritën të zgjidhnin problemet e popullatës.” thekson ai për DW.
Demokracia kërkon njerëz të angazhuar
Që brezat e rinj të njohin të shkuarën dhe të ushtrojnë presion mbi elitën politike që të zgjidhë problemet reale që ka sot Shqipëria atyre u duhet dija në sistemin arsimor, si rruga më efikaase për t'u bërë qytetarë të angazhuar, aktivë. Ulrich Bongertmann, kryetar i shoqatës gjermane të mësuesve të historisë, i ftuar në "Ditët e Kujtesës 2020”, solli përvojën gjermane të përfshirjes në curriculat mësimore, në tekstet e histories, njohurirë për dy regjimet totalitare në Gjermani: atë nazist dhe komunist.
"Demokracia rrezikohet gjithmonë nëse lihet pas dore, nëse harrohet që që ajo duhet të shpëtohet dhe mbrohet nga njerëz të angazhuar. Rreziku konsiston tek besimi në zgjidhje të thjeshta nga burra të fortë që janë në krye. Në shkolla vështirësitë e një qeverie demokratike duhe të shpjegohen dhe rreziqet e humbjes së demokracisë dhe të drejtave të njeriut nga mënyra autokratike të drejtuari” thotë Ulrich Bongertmann , ekskluzivisht për DW.
Por sipas një studimi të fundit të IDCM, mbi tre të katërtat e mësuesve të historisë në Shqipëri mendojnë që "aspekte të rëndësishme të diktaturës komuniste si krimet, mënyrat e ndëshkimit, torturat ose numrin e viktimave që shkaktoi regjimi nuk adresohen në librat e historisë”. Ajo që lypset duket se është një vullnet më i madh politik për të zbardhur gjithë të vërtetën e së shkuarës totalitare dhe shërbyer kështu të ardhmes, demokracisë.