"Klima për reformën në OKB është e favorshme" - Ministri i jashtëm i Gjermanisë zhvillon bisedime në Indi me kryeministrin Manmohan Sing
14 Korrik 2004Të dy vendet duan që të jenë antarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, dhe që të dy vendet duan ta mbështesin reciprokisht njëri-tjetrin. Gjermania dhe India kërkojnë gjithashtu reformimin e OKB-së. Në rast të zgjerimit të Këshillit të Sigurimit "Gjermania dhe India janë dy kandidatë të natyrshëm", deklaruan ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher dhe homologu i tij nga India, Natvar Sing gjatë takimit në Nju Deli. OKB-ja e shekullit të 21 duhet të jetë më reprzentative, theksuan të dy ministrat e jashtëm. "Klima për reformën në OKB është e favorshme", tha Sing. Fisher u shpreh, se "janë të domosdoshme ndryshimet substanciale në mënyrë që OKB-ja të bëhet më efektive".
Gjetja e mbështetjes për një vend të përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit është qëllimi kryesor i turneut dhjetëditor të vizitave të Fisherit në vendet aziatike. Krahas Indisë Fisher dhe delegacioni që e shoqëron do të vizitojnë edhe Kinën, Bangladeshin, Sri Lankën e Pakistanin, ku ata do të bisedojnë për marrëdhënie më të mira ekonomike.
Vizita në Indi kishte karakter njohës dhe qëllimin për hartimin e planeve bilaterale. Joshka Fisher është i pari ministër i jashtëm perëndimor që i bën vizitë kortezie kryeminditrit të Indisë Manmohan Sing dhe ministrit të jashtëm Natvar Sing. Të dyja palët i shprehën simpatinë reciproke njëra-tjetrës dhe vendosën një strategji të përbashkët: të dyja vendet duan të arrijnë antarësinë e përhershme në Këshillin e Sigurimit. Ministri i jashtëm Fisher pas takimit me homologun e tij në nju Deli deklaroi: "Ne besojmë, se sistemi i OKB-së është vendimtar për një botë multilaterale në shekullin e 21. Por ky organizëm duhet të reformohet. OKB-ja duhet të jetë më reprezentative për të pasqyruar realitetin e shekullit që jetojmë. Gjermania dhe India e konsiderojnë veten si kandidatë të natyrshëm për të pasur një vend të përhershëm në OKB dhe ne do ta mbështesim njëri-tjetrin në këtë drejtim."
Një vend i madh në zhvillim si India dhe një vend i industrializuar si Gjermania, që kontribuojnë dukshëm në respektimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duhet të kenë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Kështu theksuan të dy ministrat duke dhënë kështu një sinjal të qartë të qeverive të tyre për të fituar më shumë peshë në arenën e politikës ndërkombëtare. Ky ishte një sinjal i qartë edhe në drejtim të SHBA dhe pretendimit të tyre për superfuqi- Ministri i jashtëm i Indisë, Natvar Sing, nënvizoi: "Mendimi i opinionit ndërkombëtar është për një reformë radikale të OKB-së, pasi ky organizëm tani nuk pasqyron më realitetin. Nëse në botën e sotme anashkalohet OKB-ja dhe politika e njëanshme ka prioritet ndaj asaj shupalëshe, kjo tregon, se dicka nuk është në rregull në rendin botëror."
India pra e mbështet Gjermaninë, por në vende të tjera aziatike Fisher do ta ketë më të vështirë. Në Pakistan p.sh. insistimi i Indisë për në Këshillin e Sigurimit shihet me dyshim. Të dy këto vende janë në garë për të fituar peshë jo vetëm në OKB, por edhe në arenën ndërkombëtare si dhe në marrëdhëniet me Uashingtonin. Njëkohësisht India dhe Pakistani ndodhen në fazën e përpjekjeve për afrim pas konfliktit dhjetra vjecar. Gjermania mbështet dialogun, thekson Fisher. Por ndërsa bota indinjohet për gardhin e sigurisë mes territoreve palestineze dhe Izraelit, ministrit të jashtëm nuk i duket për gjë izolimi i kufirit me tela me gjemba që po përfundon këto ditë India në Kashmirin e ndarë mes saj dhe Pakistanit: "Duhet ndërmarrë gjithcka kundër terrorizmit dhe kjo duhet bërë për të përforcuar dialogun midis dy vendeve. Do ta shihni: nëse tensionet tejkalohen njëherë dhe ka fqinjësi të mirë, atëherë gardhet nuk janë problem", theksoi Fisher.
Pas Nju Delit Fisher mbërrin në Pekin.