75 vjet pas Auzhvicit - Ajo që duhet të bëjë Gjermania
28 Janar 2020Dekada me radhë dominonte në atdheun tim turpi. Turpi për atë çfarë kishin bërë prindërit dhe gjyshërit dhe për të cilën Gjermania duhet të mbajë gjithmonë përgjegjësi. Mbi gjashtë milionë njerëz u vranë në Auzhvic dhe në vende të tjera. Në një makineri industriale të vrasjes, që deri atëherë nuk kishte ekzistuar ndonjëherë. Dhe forca ekzekutuese e së cilës tejkalon çdo masë edhe sot.
Kjo ndjenjë e turpit ka qenë thelbi shpirtëror i fjalimeve të mbajtura nga politikanë dhe intelektualë në veprimtari të panumërta përkujtimore, kryesisht në datat përkujtimore përgjatë vitit. Edhe unë vet, shokët e shoqet e mia në universitet, e më vonë koleget e kolegët në redaksi kemi qenë të prekur prej kësaj: edhe mua më vjen turp për atë që ka bërë vendi im.
Të shtëna në sinagogë
Sivjet ndihem ndryshe. Ndoshta, sepse për herë të fundit janë të prnishëm dëshmitarët e kohës që i japin tonin veprimtarive përkujtimore. Por edhe sepse, në vendin tim hebrejtë sërish janë të rrezikuar. Pikërisht në ditën e festës më të rëndësishme të hebrejve një sinagogë e mbushur plot u sulmua me armë zjarri. Sepse shakatë për hebrejtë sërish janë bërë të zakonshme dhe shprehje të tilla si "ti çifut" në Gjermani po përdoren sërish si sharje. Turpi nuk mjafton, kur në fundjavën, që bota përkujton viktimat e Holokaustit, vijnë lajme, që në ushtrinë gjermane ka gjithnjë e më shumë nazistë. Sot. Tani. Sivjet turpi im dominohet nga indinjata, që sërish kjo ndodh në vendin tim. Indinjatë, që e gjitha kjo nuk parandalohet në Gjermani.
Fjalimet janë natyrisht të rëndësishme - po ashtu si edhe fjalimi i shkëlqyer i presidentit Frank-Walter Steinmeier javën e kaluar në Yad Vashem. Gjestet e mëdha e kanë karakterizuar kulturën e kujtesës në këtë vend - duke nisur qysh me gjunjëzimin e kancelarit Willy Brandt më 1970 në Varshavë.
Por vetëm kjo nuk mjafton. Nëse Gjermania do të vazhdojë t'i qëndrojë përrgjegjësisë së saj, me të cilën ky vend e ka ngarkuar veten përmes krimit ndaj njerëzimit, duhet të ndodhë diçka konkrete. Politikanët duhet të gjejnë përgjigje ndaj pyetjes se çfarë duhet bërë, që sinagogat në Gjermani të mos e kenë të nevojshme të vrojtohen. Prindërit duhet të gjejnë përgjigje, se si të zhduken prej shkollave shakatë për hebrejtë. E çfarë bën në fakt sistemi ynë shkollor, kur një në katër nxënës në klasën e dhjetë as që e dinë se çfarë do të thotë Auzhvic?
Përkujtimi nuk duhet të mbetet vetëm në skajet elitare
Ne e gjithë shoqëria civile si dhe politikanët e intelektualët - duhet ta prhapim përkujtimin e Holokaustit përtej skajeve elitare. Në radhë të parë ai duhet të arrijë nëpër shkolla, ku duhet bërë më shumë. Sepse antisemitizmi dhe ksenofobia nuk duhet të kenë vend në shoqërinë tonë. Një "kurrë më" qartazi mund të arrihet vetëm me një politikë të tolerancës zero.
Eshtë më e vështirë të urresh, atë që e njeh. Edhe ky ndërgjegjësim mund t'i vlejë Gjermanisë: Çfarë dimë ne në fakt për besimin hebre, jetën hebreje apo historinë e hebrejve në Europë? Përse nuk ka shkëmbime më intensive mes nxënësve me Izraelin?
Së shpejti nuk do të ketë më dëshmitarë të kohës. E dorasit e dikurshëm janë edhe një brez më larg se ata, që e karakterizojnë në masë Gjermaninë sot. Ndaj nuk ka kohë për të humbur - qeveria duhet të veprojë tani. E kjo duhet të jetë si etalon për vlerësimin e saj.