Koment: Urrejtje në zemër të Gjermanisë
20 Shkurt 2020Dhe tani Hanau. Për herë të tretë brenda pak muajsh urrejtja dhe marrëzia kanë shpërthyer në Gjermani. Pasi politikani konservator Walter Lübcke u vra qershorin e kaluar para shtëpisë së tij për shkak të angazhimit të tij për refugjatët, në tetor ishte vetëm porta e sigurtë e një sinagoe në Halle, që e pengoi radikalin e djathtë të shkaktonte një masakër në mjediset plot me njerëz të godinës religjoze. Dhe tani një burrë në Hanau pranë Frankfurtit vrau dhjetë vetë. Në një video dorasi kishte përhapur racizëm dhe teori komploti përpara se të vriste klientët në dy bare shisha e në fund edhe nënën e tij.
Tokë pjellore për vrasësit në mesin e shoqërisë
Dorasit i bashkon urrejtja ndaj gjithçkaje që nuk përshtatet me botëkuptimin etnik të tyre për Gjermaninë. Pavarësisht nëse ata kanë qenë në kontakt në rrjet me njeri-tjetrin dhe me nejrëz e grupime të tjera radikale të djathta, ose jo: Gjermania duhet ta pranojë, që shkallëzimi i urrejtjes ka mbërritur në zemër të vendit tonë. Politikanët si dhe shoqëria civile duhet të përballen me këtë, sepse toka pjellore për këta vrasës janë ideologjitë raciste, antifeministe dhe radikale të djathta, që sërish po gjejnë mbështetje në shumë qarqe.
Këto vrasje nuk duhen parë të izoluara prej njera-tjetrës si akte të veçauara. Pavarësisht nëse kjo dhunë antihumane drejtohet kundër politikanëve kozmopolitë, hebrejve apo myslimanëve: Ato janë shprehje e asaj që mund të rigjallërohet në klimën shoqërore të Gjermanisë. E ky është një alarm tronditës zgjimi, që tani ne na duhet të verifikojmë, nëse shteti i ka instrumentat e duhur për t'iu përgjigjur detyrave të sovranitetit të tij, për të mbrojtur sigurinë individuale të të gjithë qytetareve dhe qytetarëve. E madje këtë duhet ta bëjë ashtu sikurse e parashikon ligji ynë themeltar - pavarësisht prejardhjes, religjonit apo gjinisë.
Urrejtja dhe marrëzia në rrjet sjell vdekjen
Çfarë masash mund të merren për ta shterruar nxitjen e urrejtjes dhe të marrëzisë në rrjet? Sepse interneti nuk është një kozmoz virtual, ku mund të shpërthejnë shpirtërat e mjerë e të çoroditur - duke u mbrojtur prej lirisë së informacionit. Hanau është një dëshmi tjetër, që kjo yshtje popullore nuk mbetet pa pasoja. Por sjell vdekjen.
Politika duhet tani të reagojë mendjekthjellët, shpejt dhe qartë. Jo vetëm me fjalë. Në rast të kundërt situata dikur mund të precipitojë dhe në fund rrezikohen të drejtat e lirisë individuale që janë bazë e shtetit tonë. Kancelarja gjermane Angela Merkel gjeti fjalët e duhura: Eshtë e drejtë, që "racizmi është helm". Por vetëm diagnoza nuk mjafton. Përgjigja duhet të jetë një sinjal i qartë për t'i shpallur luftë: Të gjitha ideologjive të përbuzjes ndaj njeriut! Si dhe kundër përhapjes së tyre në rrjet. Kjo përgjegjësi nuk mund t'u delegohet vetëm Facebook-ut apo Twitter-it e ndonëj koncerni tjetër të madh.