Koment: Vetëm sunitët mund ta mundin IS
19 Shkurt 2015Pa dyshim që sulmet masive ajrore të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër të ashtuquajturit Shteti islamik (IS) kanë ndikuar dukshëm që të ndalohej fillimisht zgjerimi territorial i pseudo-kalifatit të xhihadistëve. Edhe çlirimi i qytetit verior kufitar sirian Kobane nga luftëtarët irakiano-kurdë Peshmerga do të ishte i paimagjinueshëm pa mbështetjen e sulmeve ajrore amerikane dhe arabe. Këto arritje të pamohueshme e kanë shkërmoqur disi mitin e pathyeshmërisë të të ashtuquajturit "Shteti Islamik" (IS), por për një fitore të afërt ndaj këtyre ekstremistëve nuk mund të flitet.
Sepse lufta e Perëndimit dhe e arabëve kundër IS ndalohet vazhdimisht: Pas katër muajsh lufte ajrore aleancës i mungojnë objektiva të tjera me rëndësi strategjike, që mund të bombardoheshin. Këtë e vështirëson edhe fakti se luftëtarët e IS kanë kaluar në një taktikë guerilase. Kështu është e vështirë, që ata të luftohen nga ajri.
Aleancë e brishtë kundër IS
Tani duken pasojat e asaj, që "koalicioni i të vullnetshmëve" ndërkombëtarë u nis në luftën kundër Kalifatit të horrorit pa një koncept politik dhe në rradhë të parë pa qartësi lidhur me objektivin strategjik të operacionit ushtarak. Sidomos për arsyen, se ishte e qartë, që terrori i IS nuk mund të luftohet vetëm me mjete ushtarake.
"Koalicioni i të vullnetshmëve" ka qenë në fakt që në fillim i brishtë dhe politikisht kontradiktor. Sepse ai mbështetet në aleatë arabë të dyshimtë si Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit. Kanë qenë ato, që e hapën ideologjikisht rrugën për zhvillimin e të gjitha rrymave xhihadiste në Lindjen e Mesme dhe në luftën e tyre kundër regjimit të Asadit mbështetën forcat radikale në Siri.
Shumë i rëndë mund të jetë në moment fakti, që përfshirja e fuqive të rëndësishme rajonale sunite në "Koalicionin e të vullnetshmëve" nuk ka qenë e mjaftueshme. Kjo duket në atë, që Perëndimit i mungojnë momentalisht aleatët, të cilët do të ishin në gjendje për të drejtuar një luftë efektive tokësore kundër IS në territoret sunite në Siri dhe Irak.
Anëtarët e deritanishëm të koalicionit perëndimor dolën se ishin të gabuarit: Kurdët ndjekin interesat e tyre kryesisht territoriale. Ata i kanë dëbuar arabët vendas nga territoret e pushtuara prej tyre dhe i kanë shpallur ata pjesë të Kurdistanit. Ndërsa milicët shiitë, që mezi kontrollohen dhe skuadrat e vdekjes janë partneri më i paimagjinueshëm, për t'i bërë ballë IS në tokë.
Edhe siguria e Afrikës së veriut është e rrezikuar
Ngaqë xhihadistët e IS shfrytëzojnë kaosin në Libi për të zgjeruar bazën operative dhe për të bërë aleancë me xhihadistët egjiptianë, ata bëhen kërcënim real për sigurinë nacionale të Egjiptit dhe Tunizisë. Prandaj nuk ishte e habitshme që pas prerjes së tmerrshme të kokave të 21 koptëve nga xhihadistët e IS presidenti egjiptian al-Sisi kërkon një rezolutë të OKB-së për ndërhyrje ushtarake ndërkombëtar e në vendín e përfshirë nga lufta civile.
Pikërisht këtë çast duhet të kapë Perëndimi dhe të bëjë çdo gjë të mundshme për të krijuar një aleancë egjiptiano-turko-saudite kundër IS, mundësisht duke marrë në konsideratë islamikët e moderuar, por pa Iranin dhe regjimin e Assadit të diskredituar ndërkombëtarisht. Sepse përfshirja e Iranit do të ishte më tepër kundërproduktive, për shkak të qëndrimit ekstrem antishiit të gati të gjithë xhihadistëve.
Sepse vetëm myslimanët sunitë janë në gjendje të mundin IS dhe të thajnë trungun ideologjik të xhihadizmit. Perëndimi duhet të insistojë në përfshirjen e tyre të vërtetë në veprimtarinë e qeverisë së Irakut. Të tjerë partnerë, më të dobishëm në luftën kundër pseudo-kalifatit IS, Perëndimi nuk ka.