Kryeministri Berisha pranon humbjen në zgjedhjet parlamentare 2013
26 Qershor 2013Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike (PD), në një konferencë për shtyp të mërkurën (26.6.2013) në mbrëmje, pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Berisha deklaroi se do të respektojë vullnetin e popullit që votoi me diferencë të qartë për koalicion e majtë Aleanca për një Shqipëri Evropiane (ASHE), të drejtuar nga socialisti Edi Rama.
"Ne i humbëm këto zgjedhje dhe gjithë përgjegjësia e kësaj humbjeje bie mbi një person të vetëm, mbi mua", deklaroi Berisha para gazetarëve. Ai shtoi se do të dorëhiqet nga të gjitha funksionet në PD. Berisha tha se do të qendrojë anëtar i Partisë Demokratike dhe se ky nuk është fjalim lamtumire.
"Rezultatet e këtyre zgjedhjeve pranohen nga unë vetë dhe nga partia ime. Ne e humbëm këtë betejë, por ndryshimi i pushtetit është jetik për demokracinë", deklaroi Berisha.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha vuri në dukje arritjet e shënuara gjatë qeverisjes së Shqipërisë nga PD apo koalicione të drejtuara nga PD, si përmarimet në ekonomi, reformat e thella në vend, MSA-në, anëtarësimin në NATO etj.
Që prej rënies së komunizmit në Shqipëri ky është rotacioni i parë politik i pakontestuar në Shqipëri.