Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha për vizitë në Gjermani
7 Tetor 2008DW: Zoti Berisha, si e vlerësoni vizitën tuaj në Gjermani dhe marrëdhëniet shqiptaro-gjermane?
Berisha: Pres me shumë interes bisedimet që do të zhvillojmë në Gjermani për marredhëniet bilaterale në të gjitha fushat, për zgjerimin dhe intensifikimin e tyre, mbi problemet e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe për ecurinë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe per zhvillimet në rajon. Për mua kjo vizitë është një rast i shkëlqyer për të shprehur mirënjohjen më të thellë kancelares dhe qeverisë gjermane, kombit gjerman për bujarinë shumë të madhe, për solidaritetin e shkëlqyer që kanë treguar ndaj Shqipërisë dhe shqipëtarëve duke i vendosur ata në krye të ndihmës ekonomike gjermane në botë.
DW: Konretisht, cili është kontributi i Gjermanisë në Shqipëri, zoti Berisha?
Berisha: Ne kemi marrë ndihmën më të madhe ekonomike për frymë se çdo vend tjetër në botë dhe kjo ndihmë, e cila i tejkalon 700 milion euro, shtrihet në të gjithë vendin në sektorët më bazë si: furnizimi me ujë, furnizimi me energji elektrike, në përpunimin e ujrave , të kanalizimeve, por shtrihet gjithashtu edhe në disa fusha të tjera si në arsim, në rendin publik, në ushtri, në kulturë dhe në shumë fusha të tjera të rëndësishme.
Unë e pres me shumë kënaqësi këtë rast dhe jam i bindur se në këtë vizitë marrdhëniet mes dy vendeve tona do të marrin një dimension më të gjerë.
DW: Po në aspektin politik, cili është kontributi i Gjermanisë në Shqipëri dhe në rajon?
Berisha: Kontributi i Gjermanisë në Shqipëri dhe në rajon në aspektin politik dëshmon se është një faktor madhor i paqes dhe stabilitetit me të gjithë pjesëmarrjen e saj. Së pari, nuk duhet të harrojmë që Gjermania ka dhënë kontribute kryesore në rindërtimin e këtij rajoni të rrënuar nga konfliktet dhe luftërat.Së dyti ,Gjermania ka ndjekur një politikë shumë të dobishme në favor të paqes dhe stabilitetit. Ajo ka kontribuar me forcat e saj ushtarake në Kosovë, në Bosnjë dhe në zona të tjera për vendosjen e paqes dhe stabilitetit.
DW: Cili është mendimi juaj për rolin e Gjermanisë në Kosovë?
Berisha: Gjermania jo vetëm me njohjen, por ka qenë një mbështetje kryesore për të gjitha zgjidhjet tepër të rëndësishme të konflikteve në rajon.Sigurisht për Kosovën, qëndrimet e saj kanë qenë qëndrimet më mbështetëse, si për çlirimin e saj, për rindërtimin e saj dhe për pavarësinë e saj.