Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha viziton Kosovën
6 Tetor 2009Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë gjashtë marrëveshje bilaterale, të cilat kontribuojnë në lehtësimin e komunikimeve të ndryshme ndërshtetërore dhe po ashtu përmbushin disa kërkesa të komisionit evropian që kërkohen për procesin e liberalizimit të vizave për të dyja vendet. As Shqipëria dhe as Kosova akoma nuk janë pëfshirë në procesin e liberalizimit të vizave, mirëpo të dyja vendet tashmë kanë marrë udhërrëfyesit se çfarë kriteresh duhet plotësuar dhe cfarë marrëveshjesh ndërshtetërore duhet nënshkruar.
Lëvizje e lirë për qytetarët e të dyja vendeve
Është marrëveshja për lëvizjen e lirë dhe të ndërsjellë të shtetasve shqiptarë dhe kosovarë. Kjo marrëveshje ka të bëjë me një ide të mëhershme të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu që qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë të kalojnë lirshëm kufirin ndërmjet dy vendeve, pa pasur nevojë për kontrollë pasaportash.
Marrëveshja tjetër është ajo e bashkëpunimit policor ndërkufitar, që ka të bëjë me pengimin e aktiviteteve ilegale, trafikimin e qenieve njerëzore dhe pengimin dhe bartjen e krimit të organizuar.
Është marrëveshja tjetër ajo e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm. Kjo marrëveshje lejon Shqipërinë dhe Kosovën që të dëbojë nga vendet përkatëse personat që për një kohë të gjatë kanë qëndruar ilegalisht në ndonjërin vend Shqipëri apo Kosovë. Në të njetën kohë të dyja vendet janë të obliguara që të pranojnë këta persona.
U nënshkrua edhe marrëveshja për qarkullimin në zonat kufitare, marrëveshja në fushën e doganave dhe marrëveshja e bashkëpunimit të Administratave lokale.
Kosova, faktor stabiliteti për Ballkanin jugor
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vizitën e tij në Kosovë e quajti një vizitë vëllazërore, ndërsa, marrëveshjet e nënshkruara i cilësoi si funksionim të mirëfilltë të dy shteteve që synojnë anëtarësimin në BE dhe që kontribuojnë në stabilitetin e rajonit.
"Republika e Kosovës në një hark të shkurtër kohor është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal. Të gjithë ata që njohin rajonin dhe hedhin sytë nga e kaluara e tij, këto 20 muaj janë muajtë e parë të stabilitetit të vërtetë në Ballkanin jugor dhe e gjitha kjo, falë pavarësisë së Kosovës", tha kryeministri Berisha.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e shtetësisë së Kosovës dhe është i bindur se kjo ndihmë do të vazhdojë edhe në rrugën e Kosovës drejt BE-së.
"Kemi besim të plotë se Kosova do ta meritojë udhërrëfyesin evropian për integrime, udhërrëfyes ky me të cilin do të ballafaqohemi me shumë sfida, por me përgjegjësi të lartë shtetërore për të implementuar të gjitha kriteret për një vend demokratik që synon BE-ja", theksoi Kryeministri Thaçi.
Shqipëria mbështet Kosovën drejt BE-së
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se vizita në Kosovë e kryeministrit Sali Berisha është një sinjal i qartë se shteti shqiptar mbështet Kosovën në përspektivën e saj evropiane.
"Dëshiroj të përgëzoj nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ky është një moment i ndërtimit në vazhdimësi me kualitet të funksionimit në dimensione të shumta ndërshtetëror", tha Sejdiu.
Të gjitha marrëveshjet ndërshtetërore të nënshkruara ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në një kohë të shkurtër pritet të ratifikohen nga dy presidentët e të dyja vendeve. Kryeministrit Sali Berisha gjatë vizitës në Kosovë u mirëprit me ngohtwsi nga qytetarët e Kosovës dhe institucionet shtetërore. Gjithandej rrugëve të kryeqytetit janë vendosur pankarta me mbishkrimin: "Mirë se vjen Sali Berisha".
Kryeministri i Shqipërisë, në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë u nderua me medaljen e artë të lirisë nga presidenti, Fatmir Sejdiu. Nga Universiteti i Prishtinës, kryeministri Berisha merr titullin doctor Honoris-Causa, ndërsa edhe komuna e Prizrenit, kryeministrin shqiptar do ta shpallë qytetar nderi.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi