Kulmi i mungesës së instinktit
29 Mars 2013
Supozojmë se në Turqi për vite me rradhë vriten gjermanë nga një organizatë ilegale fashiste. Vrasësit e dyshuar kapen dhe ndiqen penalisht, por mediat gjermane përjashtohen nga proceset gjyqësore për shkak të rregullave formale ligjore. Sa e madhe do të ishte protesta në opinionin publik gjerman? Sa të forta do të ishin thirrjet për respektimin e lirisë së shtypit? Sa e pamëshirshme do të ishte kritika ndaj drejtësisë turke?
Gjykata e Lartë e Mynihut (OLG) duket se nuk është e vetëdijshme për pasojat e vendimit të saj, për të mos i lejuar mediat turke në procesin e NSU-së. Në bankën e të akuzuarve nuk ndodhen kriminelë të zakonshëm, por Beate Zschäpe, një anëtare e dyshuar e një celule të djathtë "Ilegaliteti Nacionalsocialist" (NSU), dhe katër persona të dyshuar si ndihmës.
Në mesin e viktimave të NSU-së janë edhe tetë shtetas turq. Dy muaj para 20 vjetorit të vënies së zjarrit në Solingen, ku humbën jetën pesë vajza turke nga mosha katër deri në 27 vjeç, dhe u plagosën rëndë edhe 17 persona të tjerë, për Gjermaninë s'ka ku të vejë më keq. Vendimi i gjykatës së Mynihut dëshmon një shkallë të lartë të mungesës së instinktit politik. Këtu është fjala edhe për reputacionin e Gjermanisë në botë.
Gjykata e Lartë në kryeqytetin bavarez vendosi sipas rregullave, por pa e shqyrtuar hapësirën e veprimtarisë së saj, siç shpjegojnë prej ditësh në media ekspertët e kushtetutës dhe të gjyqësorit. Që mund të bëhej edhe ndryshe, e tregon vendimi i gjykatës rajonale të Manheimit në procesin kundër ish- prezantuesit të motit në ARD, Jörg Kachelmann. Meqenëse i pandehuri është shtetas zviceran, përfaqësuesve të mediave zvicerane iu rezervua një kontigjent me vendet për shtypin në sallën e gjyqit.
Gjykatës së Lartë të Mynihut nuk do t'i kishte kushtuar gjë, sikur t'u kishte vënë në dispozicion gazetarëve turq dhe grekë ndoshta rreth 20 prej 50 vendeve të shtypit në sallën e gjyqit. Ekspertët ndryshe nga gjykata e lartë e Mynihut nuk shohin argumente ligjore, që flasin kundër transmetimit me video të procesit në një sallë tjetër.
Duke pasur parasysh parregullsitë e mëdha me dokumente gjatë hetimeve të NSU-së në mediat e vendeve, prej nga vijnë viktimat e NSU-së, përhapen teori konspirative. Vendimi i gjykatës së Mynihut u jep edhe më tepër ushqim këtyre teorive. Gjermania duhet të jetë e përgatitur për akuzat, se toleron ksenofobinë, nuk e merr seriozisht dhunën e ekstremistëve të djathtë, madje se zbukuron aktivitetet e neonazistëve.
Megjithatë gjykata e Mynihut ende mund ta rishqyrtojë vendimin e saj. Fillimi i procesit është më 17 prill. Deri tani Gjykata e Lartë e landit ka kohë të mjaftueshme për t'u larguar nga pozita e saj juridikisht formale me korrektësi maksimaliste. Eshtë detyrë e gjykatës që të evitojë dëmtimin e mëtejshëm të Gjermanisë.